Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme uron Republikën e Kosovës për 11 vjetorin e mëvehtësisë së saj. Kjo datë shënon kurorëzimin e aspiratës për pavarësi me sakrificën e madhe për drejtësi historike. Pavarësia e Republikës së Kosovës është, gjithashtu, rezultat i përpjekjeve të përbashkëta të popullit të saj me mbështetjen e SHBA-ve dhe BE-së, por jo vetëm.

Pas 11 vjetësh e pavarur, Kosova dëshmon vendosmëri demokratike për prosperitet dhe konsolidimin e shtetit të së drejtës. Pavarësia e Kosovës nuk është vetëm një fitore e Kosovës, por e shqiptarëve në përgjithësi.

Republika e Shqipërisë shpreh përkushtimin e saj maksimal për ngritjen e bashkëpunimit Shqipëri Kosovë në nivele edhe më të larta dhe me dinamika më të shpejta.