Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Gjatë qëndrimit në Bruksel, Ministri në Detyrë Cakaj mori pjesë në një mëngjes pune të organizuar me përfaqësuesit e vendeve anëtare në Këshill, në grupin COWEB. Ministri Cakaj falënderoi përfaqësuesit për mbështetjen e vazhdueshme të vendeve anëtare përgjatë rrugëtimit evropian të vendit tonë.

Ai informoi me hollësi për ecurinë në përmbushjen e pesë prioriteteve kyçe dhe i siguroi për të çuar përpara me vendosmëri reformat e ndërmara jo vetëm si pjesë e kërkesave të Brukselit, por si përgjegjësi ndaj qytetarëve shqiptarë.

Ministri në Detyrë Cakaj evidentoi progresin e pakthyeshëm të reformës në drejtësi si një bazë e sigurt për rezultate të mëtejshme edhe në prioritetet e tjera.

Ai shprehu besimin se vlerësimi i Shqipërisë nga vendet anëtare do të jetë objektiv dhe i drejtë. Ky vlerësim, tha ai, është i rëndësishëm dhe inkurajues për Shqipërinë në rrugën e saj për konsolidimin e reformave dhe avancimin e proceseve integruese.

Ministri në Detyrë Cakaj, përmendi si pjesë të vokacionit evropian edhe rolin konstruktiv dhe proaktiv të Shqipërisë në rajon dhe linjëzimin e plotë me politikën e jashtme e të sigurisë të Bashkimit Evropian.

Përfaqësues nga vende të ndryshme në COWEB u interesuan të dijnë më shumë për situatën aktuale në Shqipëri, rajon dhe marrëdhëniet me vendet fqinje.  Ata vlerësuan hapat e ndërmara nga vendi ynë në fushën e pesë prioriteteve dhe rezultatet e mira te arritura deri tani.