Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, ka marrë pjesë në konferencën me titull Roli i Parlamentit në Procesin e Berlinit.

Ministri Hasani theksoi se Kuvendi i Shqipërisë dhe parlamentet e vendeve të tjera të Procesit të Berlinit duhet të kenë një rol proaktiv, teksa nënvizoi se ekzistojnë të gjithë mundësitë, për një përfshirje më të madhe të parlamentit në Procesin e Berlinit.

“Një bashkëpunim më i ngushtë mes qeverisë e Kuvendit natyrisht që do të japë rezultate konkrete e do të përmirësojë arritjet e Procesit të Berlinit për vendin tonë. Jam shpresëplotë që Samiti në Tiranë do të dalë me rezultate konkrete që do të përshpejtojnë rrugën e vendit tonë drejt tregut të përbashkët evropian dhe anëtarësimit në BE”, tha ai.

Samiti i Procesit të Berlinit do të mbahet më datë 16 tetor në Tiranë. Kjo është hera e parë që Samiti në suazën Procesi i Berlinit mbahet në një vend të rajonit.