Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, në cilësinë e Presidentit të Këshillit të Sigurimit, kryesoi takimin “Armeni – Azerbajxhan” në të cilën u trajtua përshkallëzimi i fundit ushtarak në rajonin e Nagorno-Karabakut.

Ministri Hasani përshëndeti arritjen e marrëveshjes së armëpushimit midis Armenisë dhe Azerbajxhanit për të ndaluar veprimet ushtarake, teksa i bëri thirrje të dyja palëve të qëndrojnë të përkushtuara ndaj kësaj marrëveshjeje dhe të shmangin çdo përshkallëzim të mëtejshëm.

“Ne mbështesim plotësisht përpjekjet midis Armenisë dhe Azerbajxhanit për të zgjidhur çështjet e vjetra dhe për të arritur një paqe të qëndrueshme. Të drejtat e armenëve etnikë që jetojnë në Azerbajxhan duhet të respektohen në përputhje të plotë me ligjin kombëtar dhe ndërkombëtar. Nëse respektohen dhe fuqizohen, komunitetet dhe pakicat kthehen në një vlerë të shtuar për shoqërinë e një vendi dhe mund të shërbejnë si urë për një marrëdhënie paqësore dhe miqësore midis vendeve fqinje”, tha kryediplomati shqiptar.

Përpara mbajtjes së këtij takimi, Ministri i Jashtëm Hasani ka zhvilluar një takim dypalësh me homologun armen Ararat Mirzoyan dhe me MPJ e Azerbajxhanit, Jeyhun Bayramov.