Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, në cilësinë e Presidentit të Këshillit të Sigurimit drejtoi takimin e Dialogut Interaktiv Informal me vendet e Ligës Arabe (IID – LAS).

Ministri Hasani u shpreh se Shqipëria mbështet rolin e Lidhjes së Shteteve Arabe në zbutjen e tensioneve, teksa ritheksoi nevojën për shtensionimin dhe tërheqjen nga hapat e njëanshëm në terren.

“Ne mbetemi të përkushtuar ndaj veprimit kolektiv për t’iu përgjigjur sfidave transnacionale. Prandaj, ne mbështesim plotësisht bashkëpunimin e Kombeve të Bashkuara dhe Vendeve Arabe për të punuar së bashku për të arritur qëllimet e përbashkëta kundër terrorizmit dhe për t’u koordinuar së bashku kundër të gjitha aktiviteteve të paligjshme të kontrabandës”, tha ai.

Takimi i Dialogut Interaktiv Informal me vendet e Ligës Arabe u parapri nga një takim dypalësh mes Ministrit të Jashtëm Hasani dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Lidhjes së Shteteve Arabe, Ahmed Aboul Gheit.