Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Sot në mjediset e MEPJ-së, Ministri Ditmir Bushati nënshkroi Marrëveshjen e Vendit Pritës ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Fondit të Ballkanit Perëndimor, , në praninë e ekipit të këtij Fondi, të Ambasadorëve të Ballkanit Perëndimor, si edhe të vendeve të Grupit të Vishegradit.

Ministri vlerësoi se nënshkrimi i Marrëveshjes shënon një tjetër moment kyç në kontributin e vazhdueshëm pozitiv që jep vendi ynë në Rajon, si dhe pjesë e përkushtimit dhe vendosmërisë sonë për evropianizimin e Rajonit në kuadër të Procesit të Berlinit.

Ai falënderoi vendet e Grupit të Vishegradit për mbështetjen që dhanë në drejtim të ngritjes së këtij Fondi dhe bashkëveprimin e të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilët kontribuan për ta shndërruar në një model të bashkëpunimit rajonal dhe transformimit të shoqërive tona.

“Si vendi pritës i Fondit të Ballkanit Perëndimor por edhe i Zyrës së Bashkëpunimit Rajonal, Shqipëria është e vendosur që këto dy organe të rëndësishme rajonale të mbeten mekanizma me ndikim në ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore, besimin e ndërsjellë në Ballkanin Perëndimor si mënyra më e mirë për të forcuar sigurinë dhe stabilitetin e të gjithë Rajonit.”, u tha Bushati të pranishmëve.

Në emër të Fondit përshëndeti Drejtori Ekzekutiv, Gjergj Murra, i cili evidentoi bashkëpunimin e suksesshëm me Qeverinë shqiptare për krijimin e kushteve të mbarëvajtjes së këtij organizmi rajonal.