Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

22 Korrik 2018

 

Konferenca e plotë për shtyp:

Ministri Bushati:

Mirëserdhe sërish në Shqipëri Ministër Roth, i dashur Michael. Ishte kënaqësi e veçantë që t’ju kishim sërish në Shqipëri duke pasur parasysh faktin që vizita juaj e majit ishte e përqendruar kryesisht tek pritshmëritë tona rreth konkluzioneve të Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian në lidhje me rekomandimin e Komisionit Evropian për fillimin e bisedimeve për anëtarësim. Dhe tanimë fokusi i kësaj vizite dhe i bisedës sonë ishte tek rruga që është skicuar nga ana e vendeve anëtare për Shqipërinë në procesin e bisedimeve për anëtarësim.

Në këtë kontekst, unë dëshiroj t’ju falënderoj sërish juve, personalisht, qeverinë gjermane, institucionet gjermane për mbështetjen e pakursyer që i keni dhënë Shqipërisë, jo vetëm në procesin e vështirë të reformave që ne po ndërmarrim e që kanë një lidhje dhe një impakt të drejtpërdrejtë për ecurinë e vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por kryesisht  edhe për diskutimet dramatike, do t’i quaja, të cilat u zhvilluan në Luksemburg, ku vendi juaj dhe ju ishit pjesë e asaj maxhorance të madhe të vendeve anëtare të BE-së në mbështetje të nisjes së menjëhershme të bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë.

Së dyti, pata mundësi të informoj mikun Roth edhe rreth zhvillimeve të fundit. Siç dihet, javën e kaluar Komisioneri për Zgjerim Hahn së bashku me qeverinë shqiptare hodhi hapin e parë në procesin “screening”. Dua të përfitoj edhe njëherë tjetër nga rasti për të nënvizuar rëndësinë e madhe që ka ky proces, i cili pavarësisht se në dukje duket si një proces teknik ku ne do  të bëjmë inventarin e ligjeve dhe sjelljeve institucionale në përputhje me normat e acquis communautaire ose normat e Bashkimit Evropian. Në të vërtetë, e konsiderojmë të një rëndësie politike sepse përmes këtij ushtrimi, rrezja e influencës së Bashkimit Evropian do të penetrojë në zemër të mënyrës se si funksionojnë institucionet shqiptare dhe kësisoj do të kemi një fashitje të asaj çka është evropiane dhe të asaj çka është kombëtare në këtë proces.

Së treti, besoj se ndamë pikëpamjen që viti para nesh si për Bashkimin Evropian ashtu edhe për ne është një vit me sfida. Rruga para nesh nuk është e lehtë. Sa më shumë hedhim hapa në drejtim të anëtarësimit të Bashkimit Evropian, aq më i vështirë bëhet procesi. Ne kemi një pasqyrë të qartë të sfidave dhe vështirësive që shtrihen para nesh. Në planin e brendshëm, na duhet të vijojmë me konsolidimin e procesit të reformave kryesisht në fushat që janë kritike për sundimin e së drejtës në ekonomi, luftën kundër krimit të organizuar, luftën kundër korrupsionit, thellimin dhe konsolidimin e procesit të vetting-ut dhe ndërtimin e institucioneve të reja të drejtësisë. Këto nuk janë beteja që mund të fitohen brenda një muaji apo një viti por është shumë e rëndësishme që trajektorja jonë të jetë veçse pozitive. Është shumë e rëndësishme që pas tre muajsh, gjashtë muajsh, një viti, dy vjetësh apo tre vjetësh, kur qytetarët tanë të pyeten rreth cilësisë së jetës dhe ofrimit të shërbimeve, të ketë një raport të drejtë mes reformave që ndërmarrim, afrimit me Bashkimin Evropian dhe përmirësimit të cilësisë së jetës.

Pikë tjetër e diskutimeve tona ishte mundësia për të përfshirë më shumë shoqërinë civile, të rinjtë që në fakt janë përfituesit kryesorë të procesit të transformimit të botës së biznesit për të pasur edhe një dozë kritike në procesin e reformave; krahas nevojës së përmirësimit të klimës politike ndërmjet nesh si maxhorancë qeverisëse dhe opozitës parlamentare, kryesisht në reformat të cilat nuk kanë të bëjnë me ndarje programatike apo ideologjike por që janë reforma për shtetbërjen evropiane. Në këtë kontekst para mundësinë ta informoj mikun tim Michael Roth edhe rreth disa projekteve që janë në tryezën e parlamentit shqiptar qoftë projekte që kanë të bëjnë me adresimin e rekomandimeve të OSBE/ODHIR për një proces sa më të shëndetshëm zgjedhor ashtu edhe projekte për zbatimin e mëtejshëm të reformës në drejtësi, për t’i mundësuar në radhë të parë Shkollës së Magjistraturës funksionimin në mënyrë optimale, por nga ana tjetër për t’i dhënë Shqipërisë Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë që meriton Shqipëria e shekullit të 21.

E fundit por jo më pak e rëndësishme, ne patëm mundësi të shkëmbenim pikëpamje edhe për sa i përket situatës në rajon, me fokus më të madh tek zhvillimet në Shkup. Realisht e vlerësojmë partneritetin me Gjermaninë. E kam thënë disa herë e nuk do të lodhem ta përsëris që Gjermania është një kritike e rreptë dhe partnere e ndershme. Është ai vend që ka investuar shumë në rajon dhe në Shqipëri, qoftë në planin politik e ekonomik por mbi të gjitha në planin njerëzor. Mjafton të shohim investimet në kapacitetet njerëzore që janë bërë falë bashkëpunimit dhe me ndihmën e ekspertizën gjermane për të kuptuar diferencën në cilësi me projekte të tjera të ngjashme. Dhe në këtë drejtim mora garancitë që Gjermania, Michael-i, qeveria gjermane, Bundestagu gjerman do të vijojnë të jenë të pranishëm në Shqipëri dhe në rajon.

Faleminderit edhe njëherë tjetër.

Ministri Roth:

I dashur koleg Bushati,

I dashur Ditmir,

Të dashur zonja dhe zotërinj,

Në fakt unë kam ardhur sot këtu me dëshirën për të shprehur edhe një herë vlerësimin tim mjaft të madh për sa i përket mikpritjes së kolegut tim, zotit Bushati dhe mikpritjes së të gjithë miqve që kam gjetur këtu. Kam ardhur gjithashtu të përgëzoj Shqipërinë për sukseset e saj. Shqipëria është në një rrugë mjaft të mirë drejt BE-së. Shqipëria ka marrë prej Këshillit të BE-së, për herë të parë, një rekomandim pozitiv për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit. Nëse gjithçka do të vazhdojë në këtë mënyrë, unë jam i bindur që vitin e ardhshëm ky do të jetë pikërisht realiteti dhe kjo do të bëhet realitet.

Jam gjithashtu i bindur se Shqipëria do të vijojë kursin e vet të reformave. Në radhë të parë, këtu bëhet fjalë për krijimin dhe ndërtimin e një shteti ligjor të fortë dhe solid, për krijimin e një sistemi drejtësie të pavarur, sikundër dhe për një luftë të vendosur kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Me procesin e ashtuquajtur të vetting-ut, Shqipëria po ecën në një rrugë që nuk ka të dytë në mbarë rajonin dhe mendoj që deri tani ajo ka treguar që ky proces ka qenë i suksesshëm. Fakti që jo pak gjykatës dhe prokurorë tashmë janë shkëputur nga sistemi do të thotë që e kanë kuptuar që qeveria është serioze në përpjekjet e veta në krijimin e një sistemi të pavarur drejtësie. Por këto reforma do duhet të ndiqen në mënyrë konseguente dhe të vendosur tanimë. Disa prej këtyre elementëve i bëri të ditura dhe Ministri Bushati në fjalën e tij, pra do duhet që të jemi të vendosur në rrugën e reformave.

Në qoftë se nëpërmjet një procesi të ndershëm dhe transparent por njëkohësisht dhe tepër strikt, në një moment do duhet të pushojmë gjykatës apo prokurorë të caktuar, atëherë do duhet që në një moment të mëvonshëm të kemi dhe gjykatës apo prokurorë të rinj të cilët me ekspertizën e tyre do duhet të përmbushnin këto boshllëqe. Sepse një sistem drejtësie që nuk funksionon do të ndikonte dhe në fusha të tjera mjaft të rëndësishme të jetës në vend. Dhe pikërisht ky proces, sa i rëndësishëm dhe i vështirë për Shqipërinë kërkon nga njëra anë një masë të lartë të vetëdijes dhe ndërgjegjësimit nga ana e qeverisë, e po kaq e lartë kërkohet të jetë masa e vetëdijes dhe ndërgjegjësimit dhe nga ana e opozitës. Ndaj unë do të shfrytëzoja rastin t’ju drejtoja një apel të gjithë personave përgjegjës, të gjithë politikanëve përgjegjës të Shqipërisë, që të marrin përgjegjësitë e tyre në mënyrë të tillë që të mos rrezikojnë rrugën e Shqipërisë drejtë BE.

Unë personalisht jam që prej 20 vitesh pjesë e Bundestagut Gjerman dhe sikurse prej 4.5 vitesh anëtar i Qeverisë Federale Gjermane, e di shumë mirë se sa i rëndësishëm është të debatuarit politik për një demokraci sa më të gjallë në vend. Nga ana tjetër, do të na nevojitej një konsensus bazik për sa i përket çështjeve që kanë të bëjnë me kushtetutën, me zgjedhjet e në mënyrë të veçante me rrugën drejt BE-së. Sepse momentalisht shumë çka është në lojë. Bëhet fjalë për stabilitetin ekonomik, politik, social të Ballkanit, e ky stabilitet është mjaft i rëndësishëm edhe për Shqipërinë. Pajtimi dhe paqja kanë luajtur një rol tepër të rëndësishëm në këtë rajon dhe janë po kaq të rëndësishëm dhe në procesin e integrimit.

Nisur nga konfliktet aktuale në nivel ndërkombëtar është mjaft e rëndësishme që ne si kontinent evropian, pra vendet e BE-së por edhe Ballkani Perëndimor, të qëndrojmë së bashku në mënyrë të tillë që të sigurojmë stabilitetin e këtij kontinenti. Ndaj edhe BE, Qeveria Federale vazhdon t’i qëndrojë fjalës së saj që pikërisht stabiliteti i rajonit të Evropës Juglindore të jetë i lidhur me një perspektivë konkrete dhe reale të integrimit në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Gjatë bisedës me kolegun Bushati, unë i bëra të qartë që ne do të vijojmë të japim mbështetjen tonë në këtë drejtim jo vetëm me fjalë por edhe me vepra konkrete, në mënyre të tillë që reformat që janë ende në vijim të mund të zbatohen sa më shpejt dhe muajt në vijim deri në  qershorin e vitit të ardhshëm do të jenë me rendësi vendimtare.  Unë gjithashtu kam shprehur edhe mirënjohjen time për sa i përket Komisionit të BE-së për faktin se ai nisi procesin e ashtuquajtur procesi “screening”  në mënyrë që të argumentojë e dokumentojë sa më objektivisht të jetë e mundur të gjitha ato hapa reformash që priten në muajt e ardhshëm nga Shqipëria.

Në të njëjtën kohë dëshiroj të shpreh vlerësimin tim për sa i përket pozicionimit të kolegut Ditmir Bushati dhe të gjithë qeverisë shqiptare në dëshirën dhe vullnetin e tyre për të përfshirë shoqërinë civile në këtë proces kaq të rëndësishëm për Shqipërinë. Sigurisht që gjatë bisedave të mia unë pata mundësinë të konstatoja dëshirën e tyre për përfshirje. Kemi nevojë për njerëz të rinj që t’i përfshijmë në këto procese dhe që të mund të kontribuojnë në këtë proces me suksesin e tyre. Për mua kjo ditë ka qenë një ditë tepër pozitive pasi pata mundësinë të konstatoj sa seriozisht Qeveria shqiptare ka vullnetin për të ndërmarrë hapat e reformave të nevojshme. Se çfarë mund të arrihet nga këto përpjekje këtë e kanë dëshmuar kolegët tanë në Athinë. Pajtimi është plotësisht i mundshëm, debati konstruktiv është plotësisht i mundshëm në qoftë se të gjithë politikanët me kurajë arrijnë të kryejnë detyrat e tyre të shtëpisë. Unë do të dëshiroja të ishim të gjithë optimistë dhe të ishim në lartësinë e përgjegjësive tona kundrejt qytetarëve tanë sepse në fund të fundit ajo çka ata duan është demokracia, siguria, vendet e punës dhe një perspektivë më e mirë për fëmijët dhe familjet e tyre. E në këtë kontekst, unë do të thosha që BE dhe perspektiva e anëtarësimit në të do të ishte siguria më e mirë.

 

Pyetje nga gazetarja

Kam dy pyetje. Një për Ministrin Rodhe dhe një për z.Bushati. Unë jam Ani Ruci dhe punoj për DW në Tiranë.

Për Ministrin Roth:

Një nga kushtet për Shqipërinë gjatë vitit të ardhshëm, për hapjen e negociatave, është që ajo të mbyllë rrugën e re të emigrantëve nga Lindja e Mesme dhe nga Afrika e Veriut që ata të mos kenë mundësi të kalojnë nga Shqipëria drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Si mundet Gjermania ta mbështesë Shqipërinë në plotësimin e këtij kushti? Pse nuk është ky kusht në paketën e kushteve që u përmendën gjatë kësaj konference për shtyp. Presidenti i Këshillit Evropian, z.Tusk e ka përmendur si një nga kushtet që Shqipëria duhet të plotësojë. Faleminderit!

 Ministri Roth: Ju jam shumë mirënjohës për pyetjet që më bëtë në mënyrë që të kem mundësi të sqaroj në mënyrë të paekuivoke që ndrimin e Gjermanisë në këtë drejtim. Ne fakt, nuk ka asnjë lloj kushti që ne t’i kemi vendosur Shqipërisë për mbylljen e kufijve për rrymën e emigrantëve që vijnë nga vendet e Afrikës së Veriut apo për hapjen e kampeve të pritjes së këtyre emigrantëve ose refugjatëve. Nuk ka absolutisht asnjë lidhje të drejtpërdrejtë të kësaj problematike me çështjet e integrimit. Ne sigurisht jemi të interesuar, të gjitha palët evropiane, të gjejmë një zgjidhje të përbashkët për sa i përket çështjes së azilkërkuesve apo të emigrantëve. Bazat në gjetjen e këtyre zgjidhjeve do të duhet të ishin vlerat që na bashkojnë, ato të solidaritetit dhe humanizmit. Në këtë kontekst, sigurisht që Shqipëria dhe Maqedonia janë të mirëpritura të japin kontributin e tyre. Sërish, dëshiroj të theksoj se nuk ka lidhje për sa i përket çështjeve të integrimit dhe kësaj problematike. Nuk besoj se do ta gjeni këtë në konkluzionet e Këshillit për Çështjet e Përgjithshme.

Gazetarja: Z.Roth përmendi rëndësinë që ka paqja dhe një rajon pa konflikte dhe në një stabilitet të gjithanshëm. Shqipëria po negocion me Greqinë për të zgjidhur divergjencat dhe mosmarrëveshjet e veta dhe kjo është një nga çështjet që bën pjesë në detyrimet që duhet të plotësojë gjatë vitit që vjen për të mundësuar hapjen e negociatave në 2019-n. Si po shkojnë nëgociatat, z.Bushati, dhe a keni konsensus të dyja palët lidhur me marrëveshjen e detit. Të dyja palët thonë që po ecin, por marrëveshja nuk është ende e konkretizuar. Faleminderit!

Ministri Bushati: Së pari, dua t’ju falenderoj për sqarimin që u bë për opinionin publik vendas në lidhje me kontributin e secilit prej vendeve të Ballkanit Perëndimor në përballimin e fenomeve që kanë lidhje me migracionin e paligjshëm, i cili ka në origjinë konfliktet dhe varfërinë e skajshme në Lindjen e Mesme. Personalisht kam shoqëruar Kryeministrin në takimin me Presidentin Tusk. Nuk ka qenë pjesë e diskutimit, por në konferencën për shtyp, Presidenti Tusk e ka përmendur si një prej sfidave me të cilat përballen shoqëritë në vendeve e Ballkanit Perëndimor. Duke mos dashur të komentoj si është pasqyruar në mediat shqiptare, shpresoj që sot të ketë marrë një përgjigje shteruese nga një përfaqësues i Qeverisë gjermane dhe nga një përfaqësues i Qeverisë shqiptare.

Në lidhje me pyetjen e dytë, ne jemi në një dialog intensiv me Greqinë. Koha është e rëndësishme në marrëdhëniet ndërkombëtare, në disa raste është edhe kritike. Kemi hedhur hapa substanciale për disa çështje që konsideroheshin deri para disa vitesh tabu. Jemi në tryezë qoftë për kufizimin e zonave detare, ashtu dhe përsa i përket çështjeve që kanë të bëjnë me kufirin tokësor, menaxhimin e piramidave dhe incidenteve kufitare.

Por nga ana tjetër, për fat të keq shohim qartë dita ditës se ka një strategji të qartë të orkestruar për ta mbajtur peng dhe për të mos lejuar që marrëdhënia shqiptaro-greke të çlirojë energjinë që ajo mundet. Duhet ta kuptojmë shumë qartë se, së pari nuk ka qenë e lehtë të ulesh në tryezën e bisedimeve, qoftë për çështje ekzistenca e të cilave mohohej. Së dyti, në një tryezë të bisedimeve nuk triumfon në asnjë lloj rrethane, vullneti i njërës palë, por parimet e të drejtës ndërkombëtare, barazia e palëve në një process, i cili tanimë ka 10 vite sa i takon përcaktimit të zonave detare që diskutohet në formate të ndryshme, me një intensitet shumë më të madh nga 2014 e këtej.

Duke ndjekur debatin, por jo vetëm debatin mediatik dhe konsultat politike të zhvilluara për këtë çështje, bazuar në Autorizimin që ka lëshuar Presidenti i Republikës dhe Plotfuqishmërinë që më pas kam lëshuar për gjithë ekipin negociator, kam vënë re se në disa raste ka paqartësi se çfarë kërkohet të arrihet. Ne besojmë se jemi në një rrugë të mbarë për të arritur një marrëveshje për të tre çështjet që unë shpjegova, qoftë në det apo në tokë, një marrëveshje që do të jetë e zbatueshme, e drejtë dhe shumë më e mirë se ato që kemi parë në të shkuarën edhe për faktin se tashmë kemi nxjerrë disa mësime nga gabimet e së shkuarës, pavarësisht se ata që kanë bërë ato gabime sot bërtasin më shumë në çdo lloj media për gjoja copëtim të trojeve shqiptare apo tradhëti të radhës ndaj kombit shqiptar, e kështu me radhë.

Mendoj se të gjithë faktorët politikë kanë nevojë të sillen me më shumë përgjegjshmëri sa i përket kësaj dosje. Nuk e di nëse ka një strategji të përcaktuar apo është një koincidencë fakti se si opozita në Greqi ashtu dhe opozita në Shqipëri duket se ndajnë të njëjtin qëndrim për këtë çështje. Fakti që ka kundërshti qoftë në Greqi për atë çfarë ne po bëjmë me palën greke, tregon se ne jemi në rrugën e duhur.