Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, priti sot në takim Presidentin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, George Tsereteli dhe Sekretarin e Përgjithshëm, Roberto Montella, me të cilët diskutoi çështje që kanë të bëjnë me forcimin e sigurisë dhe bashkëpunimit midis vendeve anëtare të OSBE, me diplomacinë parlamentare, reformën zgjedhore në Shqipëri, bashkëpunimin rajonal, etj.

Presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, George Tsereteli, dhe Sekretari i Përgjithshëm i saj, Roberto Montella, vlerësuan rolin dhe kontributin që Shqipëria jep në proceset e paqes, sigurisë dhe bashkëpunimit në kuadër të OSBE. Z. Tsereteli falënderoi angazhimin e delegacionit parlamentar shqiptar në Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, për trajtimin e një sërë çështjesh me të cilat përballet organizata, në të mirë të popujve dhe vendeve anëtare të saj.

Gjithashtu, vlerësoi reformat e thella të ndërmarra nga Shqipëria si në fushën e drejtësisë, zhvillimit ekonomik të vendit, të një qeverisje të mirë, por edhe në reformën zgjedhore, luftën kundër fenomeneve që pengojnë progresin, si korrupsioni etj.

Ai inkurajoi Shqipërinë që të vazhdojë rrugëtimin në këtë drejtim, rrugëtim i cili e sjellë edhe më afër me Bashkimin Evropian, për çka Shqipëria do të ketë edhe mbështetjen e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së. Të gjitha forcat politike në Shqipëri duhet të angazhohen sa më shumë në nxitjen e progresit të vendit, në realizim të objektivit për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian, mbasi i gjithë ky angazhim shkon, në fund të fundit, në shërbim të popullit, tha  z. Tsereteli.

Z. Tsereteli dhe Ministri Bushati ndanë të njëjtin mendim se bashkëpunimi i Shqipërisë me OSBE-në, nëpërmjet pranisë së saj në vendin tonë, ka qenë i frytshëm dhe ai do të vijojë edhe në të ardhmen në mbështetje të reformave në vend.

Ministri Bushati foli në vijim për rolin e rëndësishëm që Asambleja Parlamentare e OSBE-së, luan për përballimin e sfidave me të cilat ndeshet kjo organizate, si me çështje të luftës kundër terrorizimit, ekstremizmit të dhunshëm, zgjidhjes së konfliktit në dhe rreth Ukrainës apo në vende të tjera ku ka konflikte të ngrira, për të cilat Shqipëria ka dhënë dhe jep kontributin e saj. Nëpërmjet delegacionit të saj parlamentar në OSBE, Shqipëria ka kontribuar dhe do të vazhdojë të kontribuojë për ruajtjen dhe forcimin e paqes në rajonin e Ballkanit, nxitjen e bashkëpunimit rajonal, nëpërmjet pjesëmarrjes dhe kontributit të të gjitha vendeve të rajonit.

Duke iu referuar procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, Ministri Bushati tha se Shqipëria ka marrë tashmë një rekomandim të pakushtëzuar nga Komisioni Evropian për hapjen e negociatave, bazuar në progresin e bërë dhe pret tashmë edhe vendimin e Këshillit për formalizimin e tij. OSBE mund të japë në vijim një kontribut me ekspertizën e saj në ato fusha ku Shqipëria do të negociojë me Bashkimin Evropian, të cilat ndërlidhen edhe me prioritetet e kësaj organizate,vuri në dukje Ministri Bushati.