Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

MARRËDHËNIET DYPALËSHE SHQIPËRI ZVICËR

Konfederata zvicerane përbëhet nga 26 kantone dhe kryeqyteti është Bern-a. Popullsia e saj prek shifrën prej 8.549.474 banorësh dhe sipërfaqja saj është 41,285 km2.

Këshilli Federal Zviceran e njohu shtetin e ri Shqiptar në 1 mars të 1922. Në 1929 është nënshkruar marrëveshja e parë tregtare ndërsa në 1935 në Bernë u hap konsullata e parë shqiptare. Marrëdhëniet diplomatike janë vendosur në 1 korrik 1970. Misioni i parë diplomatik zviceran në Tiranë u hap në 1991, ndërsa në 1992 u hap ambasada e parë zvicerane. Që nga ajo kohë marrëdhëniet mes dy vendeve kanë ardhur duke u intensifikuar vazhdimisht.

PËRMBLEDHJE

Zvicra është vendi i katërt donator në Shqipëri dhe partneri i 8-të tregtar. Ky partneritet është afatgjatë dhe ka filluar që nga 1992. Shqipëria e konsideron Zvicrën një partner shumë të besuar dhe një vend prioritar sa i përket bashkëpunimit për zhvillim. Të dyja vendet ndajnë interesin e tyre të përbashkët në zhvillimin dhe stabilizimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Zvicra është ndër vendet e para që njohu pavarësinë e Kosovës. Ajo mbështet lidershipin proaktiv rajonal të Shqipërisë si dhe aspiratat e Shqipërisë për në BE. Gjatë vitit 2020, megjithë situatën e vështirë të krijuar nga pandemia e COVID -19, vendet tona festuan 50 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike.

MARRËDHËNIET DYPALËSHE

Marrëdhëniet dypalëshe fokusohen në bashkëpunimin për zhvillim, fuqizimin e bashkëpunimit ekonomik, dhe bashkëpunimin në çështje të migracionit dhe ato konsullore. Shqipëria dhe Zvicra bashkëpunojnë shumë ngushtë në çështje të ndryshme të natyrës bilaterale apo ndërkombëtare.

Shkëmbimi i vizitave të nivelit të lartë ka qënë i shpeshtë gjë e cila ka ndikuar në nxitjen e mëtejshme të marrëdhënieve bilateral. Kryeministri shqiptar, z. Edi Rama, ka vizituar 2 herë Zvicrën (2017 dhe 2018) ndërkohë që Ministri i Jashtëm zviceran, z. Ignazio Cassis, zhvilloi një vizitë zyrtare në Shqipëri, më 20 Nëntor 2020. Zëvendspresidenti i Konfederatës dhe Ministri i Brendshëm zviceran, z.Alain Berset, zhvilloi një vizitë zyrtare në Tiranë (18 -19 shkurt 2022) gjatë së cilës u nënshkrua edhe Marrëveshja për Njohjen e Sigurimeve Shoqërore.

Të dyja vendet zhvillojnë konsultime të rregullta politiko-diplomatike, të cilat zhvillohen në mënyrë të alternuar në Bernë e Tiranë, ku konsultimet e fundit diplomatike u zhvilluan në 29 qershor 2021, në Bernë. Po ashtu, Shqipëria dhe Zvicra bashkëpunojnë ngushtësisht në kuadër të organizatave ndërkombëtare ku ato janë anëtare, përfshi edhe mbështetjen e ndërsjelltë për një vend jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së (Shqipëria në periudhën 2022-2023, Zvicra në periudhën 2023-2024).

Marrëdhëniet ndërmjet Parlamenteve të të dyja vendeve po ashtu kanë qënë të shpeshta dhe intensive, duke përfshirë edhe shkëmbimin e vizitave të nivelit më të lartë parlamentar.

Kuadri ligjor që rregullon marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Zvicrës është i shumëllojshëm. Ai konsiston në rreth 30 marrëveshje që mbulojnë fusha të tilla si tregtia, transportet, ekonomia, doganat, çështje konsullore, legale, sigurinë, energjinë, bujqësinë, etj.

Shqipëria dhe Zvicra nxisin këmbimet në fushën e kulturës dhe krijimin e lidhjeve ndërmjet artistëve dhe aktorëve të tjerë kulturorë në mënyrë reciproke. Ambasadat e Shqipërisë dhe Zvicrës mbështesin rregullisht veprimtari kulturore në muzikë, teatër, letërsi apo filma. Mjaft artistë shqiptarë kanë dhënë shfaqe në koncerte në të dyja vendet. Në Universitetin e Bernës së shpejti do të fillojë të funksionojë një cikël leksionesh të gjuhës shqipe që do ti paraprijë hapjes së katedrës së gjuhës shqipe.