Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

MARRËDHËNIET DYPALËSHE SHQIPËRIUKRAINË

Ukraina është një vend në Evropën Lindore. Kryeqyteti i vendit dhe qyteti më i madh është Kievi. Gjuha zyrtare dhe kombëtare është ukrainishtja. Ukraina rifitoi pavarësinë e saj në 24 gusht 1991 me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik. Që nga pavarësia e saj, Ukraina është qeverisur si një republikë unitare nën një sistem gjysmë-presidencial. Popullsia: 47 732 079.

PËRMBLEDHJE

Marrëdhëniet diplomatike midis Shqipërisë dhe Ukrainës u vendosën në 13 Janar 1993. Marrëdhëniet bilaterale me Ukrainën janë zhvilluar me shpejtësi gjatë viteve të fundit.

MARRËDHËNIET DYPALËSHE

Gjatë vitit 2020, marrëdhëniet dypalëshe janë intensifikuar më tej pasi në vitin 2020 Ukraina ngriti nivelin e përfaqësimit të saj diplomatik në Shqipëri dhe hapi Ambasadën e saj me 1 shtator 2020 në Tiranë. Po në 2020 edhe Shqipëria hapi Misionin e saj diplomatik, në kuadër të Kryesisë së OSBE.

Vendet tona janë të lidhura, gjithashtu, nga një urë miqësie falë diasporës shqiptare në Ukrainë (rajoni i Odessa). Rreth 3500 shqiptarë jetojnë në Ukrainë.

Shqipëria që në fillim të aneksimit të paligjshëm të Krimesë ka mbajtur një qëndrim të qartë dhe të palëkundur në mbrojte të integritetit territorial, sovranitetit dhe pavarësisë së Ukrainës, në një linjë me qëndrimin e BE-së dhe SHBA. Në vijim pas fillimit të agresionit nga Federata Ruse në Ukrainë më datë 24 shkurt 2022, Shqipëria është bashkuar me partneret dhe aleatët e saj në mbështetje të Ukrainës, duke përsëritur mbështetjen e palëkundur për sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës, brenda kufijve të saj, të njohur ndërkombëtarisht.

Në datën 18 mars 2022 u miratua VKM nr. 169, për “Vendosjen e afatit për hyrjen dhe qëndrimin e shtetasve të Ukrainës në Republikën e Shqipërisë. Sipas VKM-së, shtetasit e Ukrainës kanë të drejtë të hyjnë dhe të qëndrojnë pa leje qëndrimi në Shqipëri për një periudhë deri në një vit.

Në datën 18 mars është miratuar gjithashtu VKM nr. 173, datë 18.03.2022, “Për dhënien e mbrojtjes së përkohshme shtetasve ukrainas, personave pa shtetësi dhe personave që kanë fituar mbrojtje ndërkombëtare në Ukrainë, me banim të përkohshëm ose të përhershëm në Ukrainë, si dhe për krijimin e Task-Forcës për menaxhimin e rrjedhës së aplikantëve për mbrojtje ndërkombëtare”.

Më datë 3 maj 2022, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy mbajti një fjalim në Kuvendin e Shqipërisë. Presidenti ukrainas falënderoi Shqipërinë për mbështetjen konkrete, për ndihmën në mbrojtje, për mbështetjen e sanksioneve ndaj Rusisë, për bashkëpunimin e vendeve në platformën e OKB-së dhe për kujdesin dhe pritjen e fëmijëve ukrainas në Durrës.

Më datë 5 maj 2022, Kryeministri i Shqipërisë z. Edi Rama deklaroi në Konferencën e Donatorëve për Ukrainën në Varshavë se Shqipëria do të kontribuojë për Ukrainën me 1 milion euro.