Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

MARRËDHËNIET DYPALËSHE SHQIPËRI SUEDI

Suedia është shteti më i madh në Rajonin Nordik, me një sipërfaqe prej rreth 447,435 km². Suedia ndan kufijtë tokësorë me Norvegjinë në perëndim dhe Finlandën në verilindje. Ajo ka gjithashtu brigje përballë fqinjëve të  saj nordikë, Danimarkës, Norvegjisë, Åland dhe Finlandës.

Kryeqyteti i Suedisë është Stokholmi. Suedia është një monarki kushtetuese dhe mbreti Carl XVI Gustaf është kreu jopolitik i shtetit. Mbreti ka kryesisht detyra ceremoniale dhe përfaqësuese.

Suedia është anëtare e BE-së, por ka ruajtur kronën suedeze si monedhën e saj. Suedia nuk është pjesë e NATO-s, por është një nga gjashtë vendet partnere të saj (të njohur si Enhanced Opportunity Partners’), që japin kontribute veçanërisht të rëndësishme në operacionet dhe objektivat e tjera të Aleancës.

PËRMBLEDHJE

Marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Suedisë dhe Shqipërisë janë (ri)vendosur më 20 qershor 1969. Ambasada jonë në Stokholm është hapur në prill të vitit 1972. Gjatë viteve 70 dhe 80 marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona kanë qenë të kufizuara.Vizita e parë e një Ministri suedez të Punëve të Jashtme në Shqipëri është zhvilluar në maj 1991, kur z. Sten Andersson vizitoi vendin tonë në cilësinë e Kryetarit të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës.

MARRËDHËNIET DYPALËSHE

Gjatë dy dekadave të fundit Suedia ka mbështetur në mënyrë të palëkundur procesin integrues-anëtarësues të vendit tonë në Bashkimin Evropian, fillimisht për përfundimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociiimit, më pas për marrjen e statusit të vendit kandidat dhe në vijim për hapjen e negociatave të pranimit në BE.Kjo mbështetje është dhënë dhe jepet jo vetëm në aspektin politik, por edhe nëpërmjet asistencës zhvillimore për forcimin e kapaciteteve administrative dhe drejtimeve të tjera. Instrumenti kryesor për konkretizimin e ndihmës zhvillimore suedeze në vendin tonë është veprimtaria e Agjencisë Suedeze të Zhvillimit dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar (SIDA). Gjatë vizitës së Ministrit  suedez për Bashkëpunimin Ndërkombëtar për Zhvillim, Per Olsson Fridh, në datat 6-7 tetor 2021, u lançua Strategjia e II e SIDA-s për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë 2021-2027, pjesë e së cilës është edhe Shqipëria.

Vizitat e nivelit të lartë janë intensifikuar shumë veçanërisht gjatë viteve të fundit. Më 7 korrik 2020, ish Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Gent Cakaj  zhvilloi një vizitë pune në Stokholm. Ndërsa, Ministrja e Puneve të Jashtme të Suedisë, Ann Linde ka vizituar disa herë Tiranën gjatë vitit 2019, 2020 dhe 2021.