Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

MARRËDHËNIET DYPALËSHE SHQIPËRI SPANJË

Spanja është e lokalizuar në evropën jugperëndimore. Ajo zë 80% të Gadishullit Iberik, të cilin e ndan me Portugalinë. Spanja ka një sipërfaqe prej 505,957 km2, duke përfshirë zonën e saj gadishullore, territorin e Ishujve Balear, Arkipelagun e Kanarias dhe qytetet spanjolle të vendosura  në Afrikën Veriore: Ceuta dhe Melilla.
Madridi është kryeqyteti i Spanjës. Sistemi politik është një monarki kushtetuese parlamentare. Spanja është pjesë e BE-së që nga 1 janari 1986.

PËRMBLEDHJE

Marrëdhëniet diplomatike midis Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Spanjës janë (ri) vendosur më 12 shtator 1986. Shqipëria i mbulon marrëdhëniet diplomatike me Spanjën nga Ambasada e saj në Madrid, ndërsa Spanja e mbulon Shqipërinë nga Ambasada e saj në Tiranë.

MARRËDHËNIET BILATERALE

Hapja e Ambasadës së Spanjës në Tiranë në verën e vitit 2006 shënoi një hap cilësor në marrëdhëniet bilaterale, të mbuluara më parë nga ambasadat në Beograd dhe Romë. Që atëherë janë bërë përpjekje për të nxitur bashkëpunimin në fusha me interes të ndërsjelltë si ekonomia dhe arsimi. Shqipëria dhe Spanja bashkëpunojnë jo vetëm në kuadër të OKB-së, BE-së dhe NATO-s, por edhe në iniciativa të tjera multilaterale.

Marrëdhëniet politike janë intensifikuar ndjeshëm, me shkëmbime e vizita zyrtare. Në 2015, Ministri i Puneve të Jashtme, z. Ditmir Bushati zhvilloi një vizitë zyrtare në Mbretërinë e Spanjës me ftesë të homologut spanjoll José Manuel García-Margallo.

Më 4 tetor 2021, Kryeministri Edi Rama zhvilloi një vizitë zyrtare në Spanjë me ftesë të Presidentit të Qeverisë së Mbretërisë së Spanjës, Pedro Sánchez. Gjatë kësaj vizite, u konfirmua mbështetja e plotë e Spanjës për hapjen formale të negociatave për anëtarësim në Bashkimi Evropian. Kjo ishte vizita e pare zyrtare e një KM shqiptar në Spanjë.