Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

MARRËDHËNIET DYPALËSHE SHQIPËRI SLLOVAKI

Sllovakia, e njohur zyrtarisht si Republika Sllovake, është një vend pa dalje në det në Evropën Qendrore. Ajo kufizohet nga Polonia në veri, Ukraina në lindje, Hungaria në jug, Republika Çeke në veriperëndim dhe Austria në jugperëndim. Territori i Sllovakisë përfshin rreth 49,000 km2. Popullsia është mbi 5.4 milionë dhe përbëhet kryesisht nga sllovakë. Qyteti më i madh është kryeqyteti Bratislava. Gjuha zyrtare është gjuha sllovake.

Sllovakia është republikë demokratike parlamentare. Kreu i Shtetit sllovak dhe kryetari zyrtar i ekzekutivit është Presidenti, megjithëse me kompetenca shumë të kufizuara. Presidenti zgjidhet me votim të drejtpërdrejtë popullor për një mandat pesë-vjeçar. Pjesa më e madhe e pushtetit ekzekutiv i përket kreut të qeverisë, Kryeministrit, i cili emërohet nga Presidenti. Trupi më i lartë legjislativ i Sllovakisë është Këshilli Kombëtar (Parlamenti) njëdhomësh me 150 vende. Deputetët zgjidhen për një mandat katër vjeçar në bazë të përfaqësimit proporcional.

PËRMBLEDHJE

Shqipëria dhe Sllovakia kanë ndërtuar një dialog të mirë e të vazhdueshëm, veçanërisht vitet e fundit, përmes shkëmbimit të vizitave të ndërsjellta në nivele të larta e shumë të larta. Vullneti i qeverisë shqiptare është për t`a çuar më tej bashkëpunimin dhe po bëhen përpjekje që dialogu intensiv politik dhe fryma miqësore të reflektohen e materializohen më mirë në fusha me interes reciprok, si energji, turizëm, infrastrukturë, arsim, bujqësi dhe fushat e artit e kulturës.

Vizitat e fundit dypalëshe janë vizita në Tiranë e Ministrit të Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Republikës Sllovake, z Ivan Korčok, më 10 shkurt 2021 dhe vizita në Bratislavë e Ministrit në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, z. Gent Cakaj, më 09 maj 2019, ku u ri-konfirmua edhe një herë mbështetja e plotë e Sllovakisë për reformat e ndërmarra nga vendi ynë në proceset integruese. Një vizitë në Tiranë ka zhvilluar edhe Sekretari i Shtetit (Zv. Ministri i Parë) i Ministrisë sllovake të Punëve të Jashtme dhe Evropiane, z. Martin Klus, më 30 prill 2021.

MARRËDHËNIET DYPALËSHE

Marrëdhëniet historike reflektojnë marrëdhënie të hershme përpjekjesh të përbashkëta në kohëra të shkuara, për liri dhe dinjitet dhe mbrojtjen e vlerave të qytetërimit të sotëm. Marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe Çekosllovakisë janë vendosur më 05 korrik 1922 dhe u ndërprenë gjatë Luftës së Dytë Botërore, por u rivendosën më 10 dhjetor 1945.

Pas shpërbërjes së Republikës Federale Çekosllovake, në dhjetor 1992, Republika Sllovake kërkoi njohjen e saj dhe vendosjes e marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë. Më 1 janar 1993, Shqipëria njohu Republikën Sllovake dhe më 4 janar 1993 deklaroi vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me të.

Me rënien e perdes së hekurt, marrëdhëniet midis dy vendeve patën një hov të ri në rendin tashmë të ndryshuar politik global, ku të dy vendet shihnin drejt demokratizimit dhe zhvillimit ekonomik me tregti të hapura dhe të lira, të reflektuar si në planin dypalësh ashtu edhe në atë shumëpalësh.

Sllovakia ka ofruar një mbështetje të vazhdueshme sa i takon proceseve integruese të Shqipërisë. Në këtë kontekst, në mars 2015, gjatë vizitës në Tiranë të Ministrit të Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane të Sllovakisë, z. Miroslav Lajčák, u nënshkrua Memorandumi i Bashkëpunimit mes dy vendeve për çështjet e Integrimit Evropian. Në të gjitha takimet e niveleve të larta pala shqiptare është siguruar për këtë mbështetje, që nuk është vetëm në planin politik, por duke ofruar konkretisht asistencë e ekspertizë edhe në drejtim të hapave që Shqipëria ka ndërmarrë vitet e fundit në ecurinë e saj evropiane. Sllovakia ka dhënë ndihmën e saj edhe për WBF (Fondi i Ballkanit Perëndimor) dhe Sekretariatin e saj të vendosur në Tiranë, duke ndjekur modelin e suksesshëm të Fondit Ndërkombëtar të Vishegradit. Gjithashtu, Sllovakia mbetet aktive në procesin bashkëpunimit mes IFV dhe WB6.