Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Lituania, zyrtarisht Republika e Lituanisë, është një nga vendet Baltike në Evropë. Lituania kufizohet me Letoninë në veri, Bjellorusinë në lindje e jug, Poloninë në jug dhe Rusinë (Kaliningradi) në jugperëndim. Lituania ka një sipërfaqe prej 65,300 km2 dhe një popullsi prej 2.8 milionë banorë. Kryeqyteti dhe qyteti më i madh është Vilnius. Gjuha zyrtare është gjuha lituaneze.

Lituania është republikë gjysmë presidenciale. Kreu i shtetit është presidenti, i zgjedhur drejtpërdrejt për një mandat pesë-vjeçar dhe që shërben maksimumi dy mandate. Presidenti emëron kryeministrin dhe me propozimin e këtij të fundit, pjesën tjetër të kabinetit. Parlamenti një-dhomësh, Seima, ka 141 deputetë, të cilët zgjidhen për një mandat katërvjeçar. 71 nga anëtarët e anëtarëve të saj zgjidhen në njësitë zgjedhore një-emërore dhe të tjerët me votim mbarëkombëtar me përfaqësim proporcional.

PËRMBLEDHJE

Mes dy vendeve nuk ka çështje të hapura. Ka vullnet për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dhe intensifikimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë. Lituania ka qëndrim të vendosur sa i takon mbështetjes së procesit të integrimit të Shqipërisë në BE dhe në veçanti për hapjen e negociatave. Në këtë kontekst, Ministri i Punëve të Jashtme i Lituanisë, z. Linas Linkevičius, së bashku me Ministrat e Punëve të Jashtme të Polonisë dhe Letonisë, si dhe Zv. Ministri i Punëve të Jashtme i Estonisë, zhvilloi një vizitë në Shqipëri, më 04-05 mars 2020, me qëllim dhënien e mesazhit të fortë për mbështetjen e përpjekjeve të Shqipërisë për hapjen e negociatave me BE-në.

Shqipëria mbetet në solidaritet me shtetet e Baltikut, si një anëtare e NATO-s, me trupat e saj në batalionin shumëkombësh të NATO-s, në enhanced Forward Presence (eFP) në Adazi, Letoni.

Dialogu politik konsiderohet si një nga shtyllat kryesore të marrëdhënieve bilaterale. Ka interes për intensifikimin e shkëmbimeve në nivele të ndryshme. Në këtë kontekst, më 4 maj 2022 u nënshkrua një Memorandum Mirëkuptimi për Konsultime Dypalëshe mes dy Ministrive të Punëve të Jashtme.

Vizitat e fundit përfshijnë vizitën në Tiranë të Ministrit të Punëve të Jashtme të Lituanisë, z. Gabrielius Landsbergis, më 4 maj 2022 si dhe vizitën në Lituani e Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Ditmir Bushati, në shkurt 2018, si pjesë e një turi baltik. Më 20 korrik 2020, Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Gent Cakaj, zhvilloi një video konferencë të përbashkët me Ministrin e Punëve të Jashtme të Lituanisë, z. Linas Linkevičius, Ministrin e Punëve të Jashtme të Letonisë, z. Edgars Rinkēvičs dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Estonisë, z. Urmas Reinsalu.

MARRËDHËNIET DYPALËSHE

Nota Verbale e palës lituaneze për rënien dakort për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Lituanisë dhe Shqipërisë mban datën 27 prill 1992 (si përgjigje e Notës tonë datë 12 shkurt 1992) dhe është përcjellë në Ambasadën shqiptare në Stokholm më 30 prill 1992. Ky shkëmbim Notash do të konsiderohej si marrëveshje midis dy vendeve për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.

Intensifikimi i dialogut politik dypalësh dhe shumëpalësh me Lituaninë mbetet i rëndësishëm. Lituania e ka mbështetur gjithmonë Shqipërinë në rrugën e saj të anëtarësimit në NATO dhe integrimit evropian në BE. Lituania ka mbështetur Kosovën dhe ka mbajtur qëndrim konstruktiv ndaj saj.

Mbulimi diplomatik është me ambasadorë jo-rezidentë, përkatësisht marrëdhëniet me Lituaninë mbulohen nga Ambasada Republikës së Shqipërisë në Varshavë, Poloni, ndërsa marrëdhëniet me Shqipërinë mbulohen nga Ambasada e Republikës së Lituanisë në Athinë, Greqi. Konsulli i Nderit i Lituanisë në Shqipëri është z. Kastriot Haska. Ndërkohë, gjatë vitit 2020, u emërua Konsulli i Nderit i Shqipërisë në Lituani, z. Darius Pinkevicius.