Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Principata e Lihtenshtajn është një shtet alpin, gjermanisht-folës, pa dalje në det në Evropën Qendrore. Ai kufizohet nga Zvicra në perëndim e në jug dhe nga Austria në lindje e në veri. Sipërfaqja e tij është pak më shumë se 160 kilometra katrorë, dhe ka një popullsi prej 35.000 banorësh. Kryeqyteti i tij është Vaduz. Qyteti më i madh është Schaan. Gjuha zytare është gjermanishtja standarde. Gjuha e përdorur është një dialekt alemanik. Festa Kombëtare është 15 gushti.

Lihtenshtajn është monarki kushtetuese, e trashëgueshme me baza demokratike dhe parlamentare. Pushteti i Shtetit i takon Regjimit Princor dhe popullit, si dhe ushtrohet nga ata me predipozitat kushtetuese (neni 2 i Kushtetutës së vitit 1921). Parlamenti (Landtag) është i përbërë prej 25 deputetësh. Ai ushtron të drejtat e tij në sesione plenare parlamentare.

Lihtenshtajn është vendi më industrializuar në Evropë, duke patur parasysh që ka produktin e brendshëm bruto për person më të lartë në botë. Lihtenshtajn gjithashtu ka një nga normat më të ulta të papunësisë në botë me 1.5%. Ka të zhvilluar sidomos industritë kimike, të plastikës, të mikromekanikës, të teknologjive të larta, të mjeteve të precizionit, industrinë ushqimore, etj. Sektori bankar dhe i shërbimeve bankare jep 30% të GDP-së. Ashtu si dhe për Zvicrën, ruajtja e sekretit bankar vlerësohet me “fanatizëm”. Në marrëdhëniet ekonomike me jashtë ka si partner kryesor vendet e BE-së dhe, veçanërisht, zhvillon aktivitet të rëndësishëm ekonomik, përveç Zvicrës, sidomos me Gjermaninë dhe me Austrinë.

MARRËDHËNIET DYPALËSHE

Shqipëria dhe Principata e Lihtenshtajn kanë vendosur marrëdhëniet diplomatike më 23 Prill 1993. Shkëmbimi i fundit i nivelit të lartë ka qenë një vizitë në rang ministror, në 21 korrik 2004, ku një delegacion i Principatës së Lihtenshtajnit i kryesuar nga Ministri i Jashtëm z. Ernst Walsh, vizitoi Tiranën.

Me 29 qershor 2004, në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Principatës së Lihtenshtajnit u zhvilluan konsultime diplomatike në nivel drejtorësh politik.

Principata ka një politikë të jashtme përgjithësisht në të njëjtën valë me Zvicrën. Principata e Lihtenshtajn e ka njohur Kosovën relativisht shpejt, pak kohë pas Bernës.