Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

MARRËDHËNIET DYPALËSHE SHQIPËRI LETONI

Letonia, e njohur zyrtarisht si Republika e Letonisë, është një nga vendet Baltike në Evropën Veriore, që kufizohet me Estoninë në veri, Lituaninë në jug, Rusinë në lindje, Bjellorusinë në juglindje dhe ndan një kufi detar me Suedinë në perëndim. Letonia ka një sipërfaqe prej 64,589 km2 dhe një popullsi prej 1.9 milionë banorë. Kryeqyteti i Letonisë është Riga. Gjuha zyrtare është gjuha letoneze.

Letonia është një shtet unitar. Parlamenti i Letonisë, Saeima, i përbërë nga 100 vende, zgjidhet me votim të drejtpërdrejtë popullor çdo katër vjet. Presidenti zgjidhet nga Saeima çdo katër vjet. Presidenti emëron kryeministrin, i cili, së bashku me kabinetin e tij, formon degën ekzekutive të qeverisë, që duhet të marrë një votëbesimi nga Saeima.

PËRMBLEDHJE

Mes dy vendeve nuk ka çështje të hapura. Letonia ka qëndrim të vendosur sa i takon mbështetjes së procesit të integrimit të Shqipërisë në BE dhe në veçanti për hapjen e negociatave. Në këtë kontekst, Ministri i Punëve të Jashtme i Letonisë, z. Edgars Rinkēvičs, së bashku me Ministrat e Punëve të Jashtme të Polonisë dhe Lituanisë, si dhe Zv. Ministrin e Punëve të Jashtme të Estonisë, zhvilloi një vizitë në Shqipëri, më 04-05 mars 2020, me qëllim dhënien e mesazhit të fortë për mbështetjen e përpjekjeve të Shqipërisë për hapjen e negociatave me BE-në.

Letonia është një vend miqësor me të cilin ndajmë qëndrime të përbashkëta për çështje të rëndësishme rajonale dhe globale dhe që mbështet Kosovën.

Shqipëria mbetet në solidaritet me shtetet e Baltikut, si një anëtare e NATO-s, me trupat e saj në batalionin shumëkombësh të NATO-s, në enhanced Forward Presence (eFP) në Adazi, Letoni.

Dialogu politik konsiderohet si një nga shtyllat kryesore të marrëdhënieve bilaterale. Ka vendosmëri për intensifikim të marrëdhënieve si dhe për vijimin e shkëmbimit të vizitave, jo vetëm në nivel ministrash, por edhe në nivel kryeministri, kryetar kuvendi dhe presidenti.

Vizitat e fundit përfshijnë vizitën në Shqipëri e Zv. Kryeministrit dhe Ministrit të Mbrojtjes së Letonisë, z. Artis Pabriks, më 8 shtator 2021; vizitën në Letoni të Ministrit të Mbrojtjes së Shqipërisë, z. Niko Peleshi, më 4-5 qershor 2021, si dhe vizitën në Letoni të Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Ditmir Bushati, në shkurt 2018, si pjesë e një turi baltik. Më 20 korrik 2020, Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Gent Cakaj, zhvilloi një video konferencë të përbashkët me Ministrin e Punëve të Jashtme të Letonisë, z. Edgars Rinkēvičs, Ministrin e Punëve të Jashtme të Lituanisë, z. Linas Linkevičius dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Estonisë, z. Urmas Reinsalu.

MARRËDHËNIET DYPALËSHE

Marrëdhëniet diplomatike me Letoninë janë vendosur në vitin 1928 dhe u ri-vendosën më 29 prill 1992. Marrëdhëniet midis dy vendeve kanë qenë gjithmonë shumë të mira. Si dëshmi për cilësinë e marrëdhënieve tona dypalëshe është edhe fakti se Letonia ishte vendi i parë që ratifikoi Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit ndërmjet BE dhe Shqipërisë. Letonia ka mbështetur gjithmonë Shqipërinë në rrugën e saj të anëtarësimit në NATO dhe integrimit në BE. Në këtë kontekst, gjatë vizitës zyrtare në Riga, më 21 shkurt 2018, të Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, z. Ditmir Bushati, u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit në fushën e Integrimit Evropian ndërmjet dy Ministrive të Punëve të Jashtme. Letonia është ndër vendet e para që e ka njohur Kosovën dhe e ka mbështetur gjithmonë.

Mbulimi diplomatik është me ambasadorë jo-rezidentë, përkatësisht marrëdhëniet me Letoninë mbulohen nga Ambasada Republikës së Shqipërisë në Varshavë, Poloni, ndërsa marrëdhëniet me Shqipërinë mbulohen nga Ambasada e Republikës së Letonisë në Romë, Itali. Më 4 qershor 2015, u inaugurua në Tiranë Konsullata e Nderit e Letonisë në Shqipëri dhe Konsull Nderi u emërua z. Sokol Kraja.