Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

MARRËDHËNIET DYPALËSHE SHQIPËRI IRLANDË

Republika e Irlandës ka një sipërfaqe prej 70,282 km2 dhe një popullësi prej rreth 5 milion banorësh. Kryeqyteti i vendit është Dublini me një popullësi prej rreth 1 milion banorë. Gjuha e parë zyrtare është irlandishtja, ndonëse anglishtja përdoret kudo. Rreth 92% e popullësisë është e besimit katolik. Festa Kmbëtare është 21 Janari 1919.

Irlanda u shpall zyrtarisht republikë në vitin 1949. Irlanda u bë anëtare e OKB në dhjetor 1955. Ajo u bashkua me Komunitetin Evropian (KE), paraardhësi i BE, në 1973. Që nga nënshkrimi i Marrëveshjes të së Premtes së Mirë në 1998 , qeveria irlandeze dhe qeveria e Irlandës së Veriut kanë bashkëpunuar në një sërë fushash politikash në kuadrin e Këshillit Ministror Veri/Jug të krijuar nga Marrëveshja në fjalë.

Dublini është konsideruar si një nga qendrat kryesore financiare të Evropës. Irlanda renditet ndër dhjetë vendet më të pasura në botë për sa i përket GDP-së për frymë. Si një vend i zhvilluar, cilësia e jetës së Irlandës renditet ndër më të lartat në botë dhe vendi ka një performance të veçantë në fusha të tilla si kujdesi shëndetësor, liria ekonomike dhe liria e shtypit.

Irlanda është anëtare e Bashkimit Evropian dhe është një anëtar themelues i Këshillit të Evropës dhe OECD. Qeveria irlandeze ka ndjekur një politikë të neutralitetit ushtarak përmes mos-angazhimit që menjëherë përpara Luftës së Dytë Botërore dhe si pasojë vendi nuk është anëtar i NATO-s.

Momenti më i rëndësishëm politik në Irlandë gjatë vitit 2020 ishin zgjedhjet e parakohshme të datës 8 shkurt. Asnjëra nga partitë nuk siguroi vende të mjaftueshme për të fituar një shumicë që të mund të krijonte e vetme qeverinë. Qeveria e re irlandeze mori votbesimin në parlamentin e vendit, më 27.06.2020, rreth 4 muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare. Kabineti i ri qeveritar irlandez do të përbëhet nga një koalicion prej 3 partish: Fianna Fail, Fine Gael dhe Të Gjelbrit, ku lideri i Fianna Fail, Micheal Martin, do të mbajë postin e kryeministrit (Taoiseach) deri në dhjetor 2022 dhe më pas, sipas marrëveshjes mes partive të koalicionit, lideri i Fine Gael, Leo Varadkar, do të marrë postin e kryeministrit.

MARRËDHËNIET BILATERALE

Marrëdhëniet mes dy vendeve janë kryesisht të zhvilluara në kuadër të diplomacisë shumëpalëshe dhe ka pasur një shkëmbim të një numri të kufizuar vizitash. Ne vlerësojmë bashkëpunimin ndërparlamentar tashmë të krijuar mes dy vendeve dhe mbështesim intensifikimin e kontakteve mes dy parlamenteve. Të dyja vendet zhvillojnë konsultime politico-diplomatike dhe konsultimet e fundit diplomatike u zhvilluan më 5 qershor 2019, në Dublin.

Irlanda ka dhënë një ndihmë financiare për Shqipërinë për të kapërcyer pasojat katastrofike të tërmetit të 26 nëntorit 2019 (300.000 Euro).

Irlanda ka qenë në grupin e atyre vendeve anëtare të BE-së që kanë mbështetur gjithmonë procesin e zgjerimit të BE-së drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor. Irlanda ka mbështetur qëndrimin e Komisionit Evropian se Shqipëria ka përmbushur masën e reformave që mundësojnë mbajtjen e ICG me BE-në. Ajo gjithashtu mbështet hapjen sa më të shpejtë të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Të dy vendet kanë nënshkruar disa marrëveshje midis të cilave mund të përmendim”: a) Marrëveshjen për shmangien e taksimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Irlandës, (nënshkruar më 16.10.2009, hyrë në fuqi më 12.7.2011); b) Marrëveshja e bashkëpunimit teknik ndërmjet INSTAT dhe Byrosë Qendrore të Statistikave të Irlandës (OSHC), nënshkruar në Gjenevë, më 17.6.2015.

Shqipëria dhe Irlanda bashkëpunojnë ngushtë në kuadrin e organizatave ndërkombëtare ku janë anëtarë, duke përfshirë mbështetjen e ndërsjellë për një vend jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së (Irlanda për periudhën 2021/2022, Shqipëria për periudhën 2022/2023).

Bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve ka ende një potencial të pashfrytëzuar në fusha si turizmi, agroindustria, bujqësia, industria farmaceutike, shërbimet e teknologjisë së informacionit, hardueri dhe softueri kompjuterik etj.