Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

MARRËDHËNIET DYPALËSHE SHQIPËRI HUNGARI

Emri zyrtar i Hungarisë ndryshoi nga “Republika e Hungarisë” në “Hungari” kur Kushtetuta e re hyri në fuqi më 1 janar 2012.

Hungaria është një vend pa dalje në det në Evropën Qendrore me popullsi prej 10 milionë banorësh. Hungaria ka një sipërfaqe prej 93,030 kilometra katrorë dhe kufizohet me Sllovakinë në veri, Ukrainën në verilindje, Rumaninë në lindje dhe juglindje, Serbinë në jug, Kroacinë dhe Slloveninë në jugperëndim dhe Austrinë në perëndim. Gjuha zyrtare është gjuha hungareze. Kryeqyteti dhe qyteti më i madh është Budapesti.

Hungaria është republikë parlamentare. Parlamenti njëdhomësh (Asambleja Kombëtare) përbëhet nga 199 deputetë dhe zgjidhet një herë në katër vjet. Asambleja Kombëtare ka gjithashtu detyrën të zgjedhë Presidentin dhe Kryeministrin. Presidenti, i zgjedhur çdo pesë vjet, shërben si kryetar i shtetit dhe ka kryesisht përgjegjësi dhe kompetenca përfaqësuese. Kryeministri shërben si kreu i qeverisë dhe ushtron pushtet ekzekutiv.

PËRMBLEDHJE

Dialogu politik konsiderohet si një nga shtyllat kryesore të marrëdhënieve dypalëshe. Hungaria ka përdorur të gjitha mundësitë për të shprehur mbështetjen për integrimin evropian të Shqipërisë dhe ka ofruar mbështetje konkrete me ekspertizë në kuadrin e programeve të binjakëzimit dhe të Fondit të Ballkanit Perëndimor. Hungaria ka treguar pa asnjë hezitim vullnetin për hapjen e negociatave të pranimit midis BE dhe Shqipërisë.

Vizitat më të fundit në nivel të lartë janë vizita e Kryeministrit të Shqipërisë, z. Edi Rama, në Budapest, më 7-8 qershor 2021, me ftesë të Kryeministrit të Hungarisë, z. Viktor Orbán, i shoqëruar nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Zv. Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Zv. Ministrja e Punëve të Brendshme dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës; Vizita e Presidentit të RSH, z. Ilir Meta, në Budapest, më 3-6 korrik 2021, me rastin e inaugurimit të Bustit të Skënderbeut; si dhe Vizita në Tiranë e Ministrit të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Hungarisë, z. Péter Szijjártó, më 12 shkurt 2021.

Më 31 janar 2022, Sekretari i Shtetit për Politikat e Sigurisë në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Hungarisë, z. Péter Sztáray, zhvilloi një vizitë në Tiranë, ku mori pjesë në Konferencën e organizuar nga Ambasada hungareze në Tiranë, me rastin e 100 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve tona, si dhe në përurimin e Shtatores së Mbretëreshës Geraldinë.

MARRËDHËNIET DYPALËSHE

Marrëdhëniet mes dy vendeve janë zhvilluar e thelluar që në shekullin e 15-të, për të vijuar më pas gjatë krijimit të shtetit modern shqiptar dhe deri në ditët e sotme. Shqiptarët dhe hungarezët ndajnë një traditë të kahershme të marrëdhënieve miqësore dhe të përzemërta, që daton që në kohën e partneritetit strategjik e aleancës mes Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, me Heroin Kombëtar të Hungarisë, Janosh Huniadi dhe që simbolizojnë e mishërojnë rrënjët e thella të bashkëpunimit të ngushtë mes popujve tanë. Lidhjet e përbashkëta historike vazhduan edhe pas shpalljes se pavarësisë, kur Mbreti Zog zgjodhi si bashkëshorten e tij të ardhshme Konteshën fisnike hungareze Geraldine Appony.

Marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe Hungarisë janë vendosur më 23 maj 1922.

Të dy vendet kanë treguar vullnet të lartë për të intensifikuar më tej dialogun e tyre politik përmes vizitave të ndryshme në të gjitha nivelet, përfshirë vizitat e nivelit më të lartë, si një kontribut thelbësor për forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve dhe intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fushat me interes të ndërsjellë. Hungaria është një nga shtetet e para anëtare të BE-së që ka ratifikuar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit ndërmjet BE dhe Shqipërisë. Parlamenti hungarez ratifikoi njëzëri marrëveshjen më 23 prill 2007. Tradita e gjatë dhe e mirë e miqësisë dhe bashkëpunimi mes dy vendeve tona janë të mirëkonsoliduara. Përtej aspektit historik, stabiliteti i Shqipërisë shihet si shumë i rëndësishëm për Hungarinë. Integrimi evropian i të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor është një interes i madh për Hungarinë, duke qenë në afërsi të ngushtë dhe gjeostrategjike në rajon.