Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

MARRËDHËNIET DYPALËSHE SHQIPËRIGJEORGJI

Gjeorgjia ndodhet në udhëkryqin e Evropës dhe Azisë. Gjeorgjia ndodhet në rajonin e Evropës Lindore të Kaukazit Jugor. Në juglindje ka një kufi me Azerbajxhanin, në jug me Armeninë dhe Turqinë dhe në veri me Rusinë. Pjesa perëndimore e Gjeorgjisë takohet me Detin e Zi, i cili e lidh Gjeorgjinë fizikisht me Bashkimin Evropian. Kryeqyteti antik i Gjeorgjisë, Tbilisi, u themelua në shekullin e pestë. Gjeorgjia përfshin një sipërfaqe totale prej 69,700 kilometra katrorë, me një popullsi prej 3,720,000.

Vendi rifitoi pavarësinë e tij në 1991.Gjeorgjia është një demokraci përfaqësuese e qeverisur si një republikë unitare parlamentare.

PËRMBLEDHJE

Marrëdhëniet diplomatike midis Shqipërisë dhe Gjeorgjisë u vendosën më 8 korrik 1993. Marrëdhëniet bilaterale midis dy vendeve janë aktive në kuadrin e organizatave ndërkombëtare ndërsa në planin dypalësh ka akoma hapësira për intensifikimin e tyre.

MARRËDHËNIET DYPALËSHE

Janë nënshkruar tre marrëveshje që rregullojnë bashkëpunimin midis Ministrive të Punëve të Jashtme dhe Mbrojtjes të të dy vendeve, si dhe udhëtimin pa viza për mbajtësit e pasaportave diplomatike dhe të shërbimit. Në të njëjtën kohë, një drejtim tjetër i bashkëpunimit është shkëmbimi i përvojave lidhur me zbatimin e reformave në fushën e drejtësisë.

Shqipëria mbështet integritetin territorial dhe sovranitetin e Gjeorgjisë. Vendi ynë i është bashkëngjitur gjithmonë qëndrimit të BE-së, duke shprehur mbështetjen për sigurinë dhe stabilitetin e Gjeorgjisë, bazuar në respektimin e plotë të pavarësisë dhe integritetit territorial të saj.

Shqipëria nuk e njeh “pavarësinë” e republikave të vetëshpallura të Osetisë së Jugut dhe Abkhazisë.

Sipas VKM-së nr.858, datë 29.12.2021 “Për përcaktimin e kritereve, të procedurave e të dokumentacionit për hyrjen, qëndrimin dhe trajtimin e të huajve në republikën e Shqipërisë”, Gjeorgjia është në listën e vendeve, shtetasit e të cilëve hyjnë pa vizë në Shqipëri, si rrjedhojë e hyrjes pa vizë në zonën Shengen.