Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

MARRËDHËNIET DYPALËSHE SHQIPËRI FINLANDË

Finlanda është e lokalizuar në Evropën Veriore dhe ka një sipërfaqe prej 338,440 km2. Ajo ndan kufij tokësorë me fqinjët e saj nordikë, Norvegjinë dhe Suedinë, dhe kufijtë e tre vendeve takohen të gjithë në Treriksröse (The Three-Country Cairn).Finlanda ka gjithashtu një kufi tokësor me Rusinë dhe kufij detarë me Estoninë dhe Alandin. Kryeqyteti i saj është Helsinki. Gjuhët zyrtare në Finlandë janë finlandishtja dhe suedishtja.

Finlanda është republikë parlamentare. Ajo nuk është pjesë e NATO-s, por është një nga gjashtë vendet partnere të saj (të njohur si Enhanced Opportunity Partners’), që japin kontribute veçanërisht të rëndësishme në operacionet dhe objektivat e tjera të Aleancës. Finlanda u bë pjesë e BE-së më 1 janar 1995.

PËRMBLEDHJE

Marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe Finlandës janë vendosur më 27 gusht 1956. Si Shqipëria ashtu edhe Finalnda nuk kanë përfaqësi diplomatike në kryeqyetet përkatëse. Shqipëria i mbulon marrëdhëniet diplomatike me Finlandën nga Ambasada e saj në Stokholm, ndërsa Finlanda i mbulon marrëdhëniet diplomatike me Shqipërinë nga Ambasada e saj në Athinë.

MARRËDHËNIET DYPALËSHE

Gjatë dy dekadave të fundit Finlanda ka mbështetur vazhdimisht procesin integrues-anëtarësues të vendit tonë në Bashkimin Evropian, fillimisht për përfundimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, më pas për marrjen e statusit të vendit kandidat dhe në vijim për arritjen e objektivit të anëtarësimit. Përveç mbështetjes politike, Helsinki kontribuon edhe në projekte të ndryshme zhvillimore në Shqipëri.

Vitet e fundit ka patur shkëmbime të vizitave të nivelit te alrtë nga te dyja palët. Më 15 – 16 maj 2019, ish Ministri n.d për Evropen dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj vizitoi Helsinkin, ndërsa më 2 tetor 2019 Ministri finlandez i Punëve të Jashtme, Peka Havisto vizitoi Tiranën në kuadër të komunikimit intensiv me vendet e Ballkanit Perëndimor me objektiv vendimmarrjen për hapjen e bisedimeve për anëtarësim në BE. Po ashtu, kjo vizitë u zhvillua edhe në kuadrin e vazhdimësisë pozitive të marrëdhënieve dypalëshe.