Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

MARRËDHËNIET DYPALËSHE SHQIPËRI ESTONI

Estonia, zyrtarisht Republika e Estonisë, është një nga Vendet Baltike në Evropën Veriore, që kufizohet në veri me Gjirin e Finlandës përtej Finlandës, në perëndim me Detin Baltik përtej Suedisë, në jug me Letoninë dhe në lindje me Liqenin Peipus dhe Rusinë. Territori i Estonisë ka një popullsi prej 1.3 milionë banorë dhe mbulon një sipërfaqe totale prej 43,432 km². Talini është kryeqyteti i Estonisë. Gjuha zyrtare është gjuha estoneze.

Estonia është republikë parlamentare. Parlamenti njëdhomësh, Riigikogu, zgjidhet për një mandat katërvjeçar me përfaqësim proporcional, ka 101 anëtarë dhe shërben si legjislativ, ndërsa dhe qeveria si ekzekutiv. Kreu i shtetit është Presidenti, i cili ka kryesisht rol përfaqësues dhe ceremonial. Presidenti zgjidhet nga Riigikogu, ose nga një kolegj i posaçëm zgjedhor. Kryeministri rekomandohet nga Presidenti dhe miratohet nga Riigikogu.

PËRMBLEDHJE

Mes dy vendeve nuk ka çështje të hapura. Ka një vullnet të përbashkët për të nxitur dhe forcuar bashkëpunimin në terma më konkretë. Estonia ka qëndrim të vendosur për mbështetjen e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE dhe në veçanti për hapjen e negociatave. Në këtë kontekst, Zv. Ministri i Punëve të Jashtme i Estonisë, së bashku me Ministrat e Punëve të Jashtme të Polonisë, Letonisë dhe Lituanisë, zhvilloi një vizitë në Shqipëri, më 04-05 mars 2020, me qëllim dhënien e mesazhit të fortë për mbështetjen e përpjekjeve të Shqipërisë për hapjen e negociatave me BE-në.

Shqipëria mbetet në solidaritet me shtetet e Baltikut, si një anëtare e NATO-s, me trupat e saj në batalionin shumëkombësh të NATO-s, në enhanced Forward Presence (eFP) në Adazi, Letoni.

Vizitat më të fundit përfshijnë vizitën në Estoni të Ministrit të Mbrojtjes së RSH, z. Niko Peleshi, më 2-3 qershor 2021; vizitën në Estoni, më 01-02 tetor 2019, të Presidentit të Shqipërisë, z. Ilir Meta si dhe vizitën në Estoni, më 07 shkurt 2018, si pjesë e një turi baltik, të Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Ditmir Bushati. Më 20 korrik 2020, Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, z. Gent Cakaj, zhvilloi një video konferencë të përbashkët me Ministrin e Punëve të Jashtme të Estonisë, z. Urmas Reinsalu, Ministrin e Punëve të Jashtme të Lituanisë, z. Linas Linkevičius dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Letonisë, z. Edgars Rinkēvičs.

MARRËDHËNIET DYPALËSHE

Marrëdhëniet diplomatike me Estoninë janë vendosur më 17 janar të vitit 1992 dhe vlerësohen historikisht si marrëdhënie shumë të mira. Shkëmbimi i vizitave të nivelit të lartë është një element kyç i rivitalizimit të marrëdhënieve dypalëshe. Estonia ka mbështetur gjithmonë Shqipërinë në rrugën e saj të anëtarësimit në NATO dhe integrimit evropian në BE. Në këtë kontekst, më 01-02 tetor 2019, gjatë vizitës në Estoni të Presidentit të Shqipërisë, z. Ilir Meta, u nënshkrua një Memorandum Mirëkuptimi në fushën e Integrimit Evropian. Estonia ka patur gjithmonë një qëndrim konstruktiv ndaj rajonit tonë, mbështetje për aspiratat euro-atlantike të të gjitha vendeve të rajonit, veçanërisht Kosovës.

Mbulimi diplomatik është me ambasadorë jo-rezidentë, përkatësisht marrëdhëniet me Estoninë mbulohen nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Varshavë, Poloni, ndërsa marrëdhëniet me Shqipërinë mbulohen nga Ambasada e Republikës së Estonisë në Athinë, Greqi.

Konsullata e Nderit e Estonisë në Shqipëri u inagurua zyrtarisht në prill 2010, gjatë vizitës së Kryeministrit z. Andrus Ansip në Tiranë, pas emërimit të Konsullit të Nderit, z. Sotiraq Guga, gjatë pranverës së vitit 2009. Ndërkohë, Konsullata e Nderit e Shqipërisë në Estoni u inaugurua zyrtarisht më 1 prill 2022, pas emërimit të Konsullit të Nderit, z. Tom Annikve, në vitin 2019.