MARRËDHËNIET DYPALËSHE SHQIPËRI – DANIMARKË
Danimarka është e lokalizuar në pjesën veriore të Evropës. Danimarka shtrihet në jugperëndim të Suedisë dhe në jug të Norvegjisë, dhe kufizohet në jug me Gjermaninë. Kufizohet gjithashtu nga Deti Baltik dhe Deti i Veriut. Danimarka ka një sipërfaqe prej rreth 42,924 km2. Kryeqyteti i saj është Kopenhagen.
Sistemi politik është një monarki kushtetuese parlamentare. Danimarka është një vend anëtar i BE-së që nga 1 janari 1973.
PËRMBLEDHJE
Marrëdhëniet diplomatike midis Shqipërisë dhe Mbretërisë së Danimarkës janë vendosur më 29 maj 1970. Mbulimi diplomatik i Danimarkës realizohet nga Ambasada e RSH në Kopenhagen, ndërsa Danimarka e mbulon Shqipërinë nga Misioni Përhershëm pranë Organizatave Ndërkombëtare në Vjenë.
MARRËDHËNIET DYPALËSHE
Marrëdhëniet dypalëshe me Danimarkën gjatë viteve të fundit janë intensifikuar ndjeshëm.Interesimi danez ndaj vendit tonë filloi të rritej me vendosjen e pluralizmit politik në Shqipëri. Danimarka ka mbështetur fort reformat demokratike të ndërmarra në vendin tonë dhe ajo ka financuar një sërë programesh e projektesh ndihme për zhvillim, ku më kryesori ka qenë dhe vijon të jetë institucioni i Avokatit të Popullit. Danimarka vlerëson rolin e Shqipërisë në mbarëvajtjen e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe nënvizon rëndësinë e avancimit të reformave të nevojshme, që kontribuojnë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik të vendit.
Pas një kohe të gjatë mungesash së vizitave zyrtare, me 8 korrik 2020 ish Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Gent Cakaj zhvilloi një vizitë pune në Danimarkë. Kjo vizitë shënoi një moment të rëndësishëm për ecurinë e bashkëpunimit dypalësh dhe marrëdhënieve tërësore mes dy vendeve. Njëherësh me simbolikën e 50 vjetorit të marrëdhënieve diplomatike, kjo vizitë shënoi një zhvillim kyç për nxitje të ndërsjellë e përmbajtjesore të kuadrit të marrëdhënieve, veçanërisht në plan të shkëmbimeve politike në nivel të lartë dhe të bashkëpunimit sektorial. Më datë 2 shtator 2021, MPJ danez, Jeppe Kofod zhvilloi një vizitë zyrtare në Tiranë, gjatë së cilës konfirmoi mbështetjen e Danimarkës për hapjen e negociatave dhe mbajtjen e KNP1.