Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

MARRËDHËNIET DYPALËSHE SHQIPËRI-REPUBLIKA ÇEKE

Republika Çeke, e njohur edhe me emrin e saj të shkurtër Çekia, është një vend në Evropën Qendrore, me një sipërfaqe prej 78,866 km2 dhe një popullsi prej 10.6 milionë banorë. Republika Çeke është një vend pa dalje në det, që kufizohet me Austria në jug, Gjermania në perëndim, Polonia në verilindje dhe Sllovakia në lindje. Gjuha zyrtare është gjuha çeke.

Republika Çeke është një demokraci përfaqësuese gjysmë-presidenciale. Parlamenti përbëhet nga dy Dhoma: Dhoma e Deputetëve (200 anëtarë, të zgjedhur për një mandat katër-vjeçar) dhe Senati (81 anëtarë, të zgjedhur për një mandat gjashtë-vjeçar). Presidenti është kreu formal i shtetit me kompetenca të kufizuara dhe specifike, i cili emëron kryeministrin. Që nga viti 2013, zgjedhjet presidenciale janë të drejtpërdrejta. Kryeministri është kreu i qeverisë.

PËRMBLEDHJE

Çekia ka dhënë e vazhdon të japë një kontribut të qenësishëm për proceset e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Zëri i Çekisë, si pjesë edhe e Grupit të Vishegradit (V4) ka qenë i rëndësishëm në lidhje me përparimin e Shqipërisë në rrugën e saj evropiane. Të dy vendet kanë shprehur vullnetin politik të zgjerojnë edhe më tej marrëdhëniet tradicionale, duke promovuar përdorimin më efikas, të hapësirave të pa eksploruara deri më tani, në fushën ekonomike dhe të marrëdhënieve tregtare, veçanërisht në sferën e energjisë, transportit hekurudhor, turizmit, kulturës, arsimit dhe shkencës.

Vizitat më të fundit përfshijnë vizitën në Tiranë të Zv. Presidentit të Senatit të Republikës Çeke, z. Jan Horník, i shoqëruar nga një delegacion i Komitetit për Administratën Publike, Zhvillimin Rajonal dhe Mjedisin në Senat, më 18-24 nëntor 2021; vizitën e përbashkët në Tiranë të Ministrave të Punëve të Jashtme të Çekisë, z. Kulhánek, të Austrisë, z. Schallenberg dhe të Sllovenisë, z. Logar, si pjesë e një turi që përfshinte edhe një vizitë në Shkup; vizitën në Pragë të Ministrit në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, z. Gent Cakaj, më 10 shtator 2020, në kuadër të pjesëmarrjes së tij në Forumin Ekonomik dhe Mjedisor të OSBE-së, ku zhvilloi një takim edhe me Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës Çeke, z. Tomáš Petříček; si dhe vizitën e Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës Çeke, z. Tomas Petříček, më 14 mars 2019, në Tiranë.

MARRËDHËNIET DYPALËSHE

Marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe Çekosllovakisë janë vendosur më 05 korrik 1922 dhe u ndërprenë gjatë Luftës së Dytë Botërore, por u rivendosën më 10 dhjetor 1945.

Pas shpërbërjes së Republikës Federale Çekosllovake, në dhjetor 1992, Republika Çeke kërkoi njohjen e saj dhe vendosjes e marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë. Më 1 janar 1993, Shqipëria njohu Republikën Çeke dhe më 4 janar 1993 deklaroi vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me të.

Nga të dy vendet vihet re me kënaqësi se vitet e fundit marrëdhëniet kanë fituar një moment të ri me shkëmbim vizitash politike në nivelet më të larta. Vizita e Kryeministrit të Shqipërisë, z. Edi Rama në Pragë, në tetor 2015, shtroi rrugën për mundësi të reja bashkëpunimi mes dy vendeve. Shumë vizita të tjera në nivel ministrash kanë ndjekur këtë vizitë. Gjithashtu, bashkëpunim i mirë është shënuar edhe në nivel parlamentar. Shkëmbimet kanë qenë të shpeshta në të dy anët, si në nivel të kryetarëve të parlamenteve ashtu edhe të komisioneve parlamentare, duke krijuar kushtet për nxitje të mëtejshme të bashkëpunimit.