Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

MARRËDHËNIET DYPALËSHE SHQIPËRIAZERBAJXHAN

Baku është kryeqyteti i Republikës së Azerbajxhanit. Azerbajxhani kufizohet me Iranin, Turqinë, Rusinë, Gjeorgjinë dhe Armeninë.  Qeveria e Republikës së Azerbajxhanit është e organizuar në bazë të parimeve të ndarjes së pushtetit. Sipas konceptit tradicional të ndarjes së pushtetit, Kushtetuta përcakton që Presidenti i Republikës së Azerbajxhanit ka pushtetin ekzekutiv, pushteti legjislativ kryhet nga Parlamenti i Republikës së Azerbajxhanit – Milli Mexhlis i Republikës së Azerbajxhanit dhe pushtetin gjyqësor e mbajnë gjykatat e pavarura.

PËRMBLEDHJE

Marrëdhëniet diplomatike të vendit tonë me Azerbajxhanin janë vendosur më 22 shtator 1993. Me Azerbajxhanin, vërehet një tendencë gjithnjë në rritje e kontakteve politike, sidomos këto vitet e fundit.

MARRËDHËNIET DYPALËSHE

Marrëdhënie dypalëshe miqësore ndërmjet dy vendeve janë të bazuara në besim dhe respekt të ndërsjellë.

Vlen të përmendet vizita zyrtare e Kryeministrit Shqiptar z. Edi Rama në Baku, më datë 14 prill 2022.  Në këtë vizitë në mënyrë të veçantë, energjia dhe turizmi u identifikuan si sektorët më potencial për intensifikimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.

Qeveria shqiptare ka hequr vizat për qëndrim afatshkurtër për qytetarët azerë që nga viti 2011, një veprim i ndërmarrë nga vendi ynë i cili shpreh vullnetin tonë për të zhvilluar më tej bashkëpunimin mes dy vendeve.

Sipas VKM-së nr.858, datë 29.12.2021 “Për përcaktimin e kritereve, të procedurave e të dokumentacionit për hyrjen, qëndrimin dhe trajtimin e të huajve në republikën e Shqipërisë”, Azerbajxhani është në listën e e shteteve, shtetasit e të cilëve hyjnë pa vizë në Republikën e Shqipërisë, për qëndrim afatrshkurtër.

Janë 8 marrëveshje të nënshkruara dhe janë në proces disa të tjera. Interes gjithnjë në rritje gjatë intensifikimit të bashkëpunimit ka pasur nё fushёn e ekonomisё, veçanërisht në sferën e energjetikës. Bashkëpunimi në sektorin e energjisë konsiderohet si një nga fushat më të rëndësishme të marrëdhënieve tona ekonomike. Përfundimi i punimeve të gazsjellësit TAP është një rëndësie strategjike për forcimin e bashkëpunimit në këtë fushë. Shqipëria është e interesuar për një pjesëmarrje active të Azerbaixhanit në zhvillimin e infrastrukturës energjitike në vend dhe i kushton një vëmendje të vecantë implementimit të Memorandumit mbi Planin e Përgjithshëm të Gazifikimit të Shqipërisë, të nënshkruar midis dy vendeve.

Tirana ka qenë gjithmonë mbështetëse për integritetin territorial të Azerbajxhanit dhe për zbatimin e rezolutave përkatëse të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Zhvillime pozitive në dialogun mes palëve ndodhën gjatë Kryesimit Shqiptar të OSBE-së”. (Deklarata trepalëshe e nënshkruar më 10 nëntor 2020 midis Azerbajxhanit, Armenisë dhe Rusisë).