Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

MARRËDHËNIET DYPALËSHE SHQIPЁRI – POLONI

Polonia, zyrtarisht Republika e Polonisë, është një vend në Evropën Qendrore, i kufizuar nga Gjermania në perëndim, Bjellorusia e Ukraina në lindje, Sllovakia e Republika Çeke në jug dhe Lituania e Kaliningradi i Rusisë në verilindje. Polonia është e ndarë në 16 provinca administrative, me një sipërfaqe prej 312,696 kilometra katrorë dhe popullsi afro 38.5 milionë banorë. Kryeqyteti dhe metropoli më i madh i Polonisë është Varshava. Gjuha zyrtare është gjuha polake. Kushtetuta polake (3 maj 1791) konsiderohet si kushtetuta moderne e parë e Evropës dhe e dyta në botë, pas Kushtetutës së SHBA (1789).

Polonia është një demokraci përfaqësuese, me një president si kreu i shtetit, i zgjedhur me votim popullor çdo pesë vjet. Autoriteti legjislativ i Polonisë i është dhënë Parlamentit dydhomësh, Sejm (dhoma e ulët, 460 anëtarë) dhe Senat (dhoma e sipërme, 100 anëtarë). Struktura qeveritare e përqendruar në Këshillin e Ministrave drejtohet nga kryeministri.

PËRMBLEDHJE

Polonia është një vend që ka mbështetur gjithmonë proceset më të rëndësishme integruese të Shqipërisë. Në këtë kontekst, me iniciativën e Polonisë u organizua një vizitë në Shqipëri, më 04-05 mars 2020, e Ministrave të Punëve të Jashtme të Polonisë, Letonisë, Lituanisë dhe Zv. Ministrit të Jashtëm të Estonisë, me qëllim dhënien e mesazhit të fortë për mbështetjen e përpjekjeve të Shqipërisë për hapjen e negociatave me BE-në.

Dialogu politik, i kontakteve dhe vizitave është intensiv dhe produktiv. Vizitat më të fundit përfshijnë vizitën në Poloni të Ministrit në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, z. Gent Cakaj, më 09 shtator 2019; vizitën në Shqipëri të Ministrit të Punëve të Jashtme të Polonisë, z. Jacek Czaputowicz, më 7 maj 2018; vizitën në Tiranë të Presidentit të Polonisë, z. Andrzej Duda, më 08–09 maj 2019, në kuadër të pjesëmarrjes së tij në Samitin e Brdo–Brijunit, si dhe vizitën në Varshavë të Presidentit të Shqipërisë, z. Ilir Meta, më 02-03 shtator 2019, në kuadër të pjesëmarrjes së tij në ceremoninë e 80-vjetorit të Luftës së Dytë Botërore. Një vizitë në Tiranë ka zhvilluar edhe Sekretari i Shtetit për Evropën, Komunitetin Polak Jashtë, Diplomacinë Publike dhe Kulturore në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Polonisë,         z. Szymon Szynkowski vel Sęk, më 2-3 nëntor 2021, gjatë së cilës u inaugurua fluturimi i parë i rregullt dhe i përhershëm Varshavë-Tiranë, i mundësuar nga kompania ajrore polake LOT.

MARRËDHËNIET DYPALËSHE

Viti 1937 konsiderohet si viti i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve. Qeveria shqiptare i dërgoi qeverisë polake një kërkesë për njohje, menjëherë pas vendimit final të Konferencës së Ambasadorëve në Paris, në nëntor 1921. Në vitin 1937, legata shqiptare në Athinë, njoftoi se, kishte informacion se, Ministri Fuqiplotë i Polonisë në Athinë, do të akreditohej Ministër Fuqiplotë edhe në Tiranë. Ky informacion konkretizohet në vitin 1938, ku më 10 prill 1938 u firmosën kredencialet për z. Wladyslav Schwarzburg-Gunther, si i Dërguar i Jashtëzakonshëm dhe Ministër Fuqiplotë në Tiranë, me qëndrim në Athinë. Shtypi polak i kohës e cilësoi këtë akt si rivendosje të marrëdhënieve midis Polonisë dhe Shqipërisë, pas 500 vjetësh, duke i’u referuar periudhës së fitoreve të Gjergj Kastrioti Skëndërbeut, kohë kur mbreti i Polonisë, Władysław i tretë, i ishte drejtuar nëpërmjet një letre për t’i kërkuar bashkëpunim.

Marrëdhëniet me Poloninë vlerësohen tradicionalisht si shumë të mira. Një vend dashamirës dhe që ka mbështetur proceset më të rëndësishme në të cilat është angazhuar Shqipëria, pas rënies së murit të Berlinit, anëtarësimin në NATO dhe integrimin në Bashkimin Evropian. Në të gjitha takimet e nivelit të lartë pala shqiptare është siguruar për këtë mbështetje të Polonisë, që nuk është vetëm në planin politik. Në maj 2014, gjatë vizitës në Varshavë të Ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, z. Ditmir Bushati, u nënshkrua Memorandumi i Bashkëpunimit midis dy vendeve për çështjet e integrimit evropian dhe menjëherë filloi puna për zbatimin e tij. Gjatë vizitës së Ministrit të Punëve të Jashtme të Polonisë, z. Jacek Czaputowicz, në Shqipëri, më 07 maj 2018, u lançua Konferenca e Tiranës, një forum konsultativ dypalësh midis dy vendeve, për shkëmbimin e ekspertizës dhe informacionit mbi çështjet e BE-së, në të cilin Polonia ndan përvojën e saj dhe ndihmon Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit evropian. Edicioni i Dytë i kësaj Konference u mbajt më 09 shtator 2019, në Varshavë, gjatë vizitës së Ministrit në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, z. Gent Cakaj.