Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Kryenegociatori i Shqipërisë për negociatat e anëtarësimit me BE-në, Zef Mazi, zhvilloi një vizitë pune në Hollandë nga data 30 shtator – 1 tetor.

Gjatë qëndrimit atje, Kryenegociatori Mazi kreu takime me Drejtoren e Përgjithshme, Ministren për Evropën, Anita van den Ende, në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Hollandës. Gjithashtu, ai zhvilloi takime me një numër parlamentarësh, përfaqësues të lartë të partive politike në parlamentin hollandaz, si dhe me akademikë dhe drejtues të think-tanke-ve më influente në qarqet politike, qeverinë hollandeze, mediat dhe opinionin publik në Hollandë.

Në këto takime, u shkëmbyen mendime dhe gjithashtu, pala hollandeze u informua mbi përparimin dhe arritjet konkrete të Shqipërisë që prej vendimit të Këshillit në mars 2020 kur dhe u hapën negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë me BE.

U nënvizua gjithashtu angazhimi i plotë i qeverisë dhe i Shqipërisë për të vijuar pareshtur dhe me më shumë vendosmëri punën me rezultate në ecurinë e reformave. Këto do të çojnë në vendimin për mbajtjen e Konferencës së parë Nderqeveritare, brenda Presidencës gjermane të Këshillit të BE-së.

Bazuar në arritjet konkrete dhe zbatimin e kërkesave të BE-së, Z. Mazi kërkoi mbështetjen e Hollandës për finalizmin e kuadrit negociues të Shqipërisë në Këshill dhe organizimin e Konferencës së parë Ndërqeveritare, menjëherë pas saj.

Kryenegociatori Mazi theksoi pandryshueshmërinë e kursit euroatlantik të Shqipërisë, duke vënë në dukje se objektivi madhor i anëtarësimit në BE është vendim strategjik dhe politik, prioritar, që gëzon mbështjetjen e gjerë të të gjithë spektrit të vendit.

Bashkëbiseduesit diskutuan për rëndësinë e zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor nga këndvështrimi gjeostrategjik, politik, ekonomik, moral dhe të qasjes “strikte dhe të drejtë”, për të siguruar kështu besueshmërinë dhe parashikueshmërinë e procesit të zgjerimit.