Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Nëntë vjet pas nisjes së Procesit të Berlinit në gusht 2014, Krerët e Qeverive të Shqipërisë, Bosnjë dhe Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Serbisë, si dhe krerët e Shteteve të Qeverive dhe përfaqësues të Austrisë, Bullgarisë, Kroacisë, Francës, Gjermanisë, Greqisë, Italisë, Polonisë, Sllovenisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, Spanjës, Hungarisë, Rumanisë dhe Holandës, përfaqësues të Bashkimit Evropian (BE) dhe organizatave dhe institucioneve ndërkombëtare dhe financiare rajonale u takuan në Tiranë më 16 tetor 2023 për Samitin e Proçesit të Berlinit.

Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor në kontekstin aktual të pasigurisë gjeopolitike dhe luftës në Europë. Ata theksuan rëndësinë e forcimit të lidhjes së transportit, tregtisë, energjisë, dixhitalizimit në Ballkanin Perëndimor, si dhe midis rajonit dhe BE-së.

Bazuar në Ministerialin e Ministrave të Punëve të Jashtme, të Brendshme dhe Ekonomisë dhe Forumit të Integrimit të Romëve si dhe Dialogut të Liderëve për Partneritetin Klimatik, Forumi i Biznesit, Forumi Rinor, Forumi i Shoqërisë Civile, Samiti Dixhital dhe Konferenca e Përbashkët Shkencore, pjesëmarrësit morën në konsideratë përparimin, sfidat e vazhdueshme dhe perspektivat për bashkëpunimin rajonal në Ballkanin Perëndimor si një hap drejt integrimit gradual të rajonit në politikat, mekanizmat dhe instrumentet e BE-së.

Gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor (WB6) e mirëpriti shpalljen e një Plani për Rritjen e Ballkanit Perëndimor, siç u nënvizua nga Presidenti i Komisionit Evropian në maj 2023, dhe shprehu angazhimin për avancimin e integrimit ekonomik rajonal përmes Tregut të Përbashkët Rajonal përmes përshpejtimit të reformave të brendshme, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe luftës kundër krimit të organizuar.

Pjesëmarrësit e WB6 shprehën nevojën për mbylljen e hendekut socio-ekonomik dhe përmirësimin e konvergjencës midis Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian. Për këtë qëllim, ata shprehën interesin e tyre për intensifikimin e bashkëpunimit me njëri-tjetrin dhe kur është e mundur me BE-në, në një sërë fushash të politikave, si për shembull në Zonӕn e Vetme të pagesave në euro (SEPA), lehtësimin e tregtisë dhe transportit, telekomunikacionit dhe dixhitalizimit, klimës, energjisë, bujqësisë, sigurisë, rinisë, arsimit dhe shkencës si dhe integrimin e Romëve.

Pjesëmarrësit e WB6 mbështetën një monitorim të rregullt dhe të strukturuar të konvergjencës ekonomike të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së.

Pjesëmarrësit e WB6 shprehën interes për pjesëmarrje në takime dhe forume me BE-në, ku diskutohen çështje me interes të përbashkët.

 

Tregu i përbashkët rajonal (CRM) dhe përmirësimi i konvergjencës midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor

 

Pjesëmarrësit mirëpritën nënshkrimin e Marrëveshjes për Njohjen Reciproke të Kualifikimeve Profesionale për Infermierët, Veterinerët, Farmacistët dhe Mamitë që do të nxisë lëvizjen e profesionistëve në Ballkanin Perëndimor.

Për më tepër, pjesëmarrësit mirëpritën hyrjen në fuqi të tre marrëveshjeve të lëvizshmërisë të nënshkruara në Berlin në nëntor 2022 për Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë dhe kërkuan ratifikimin/miratimin e këtyre marrëveshjeve nga të gjithë partnerët e Ballkanit Perëndimor.

Bazuar në konkluzionet e Ministerialit të Ministrave të Ekonomisë, pjesëmarrësit njohën rëndësinë e Zonës së Vetme të Pagesave në Euro (SEPA) të Bashkimit Evropian, detyra e së cilës është të sjellë efektivisht pagesat kombëtare dhe ndërkufitare brenda SEPA-s në të njëjtin nivel kostoje, efikasiteti dhe kohe. Ata nënvizuan rëndësinë e reduktimit të kostove të pagesave ndërkufitare, duke përfshirë krijimin e sistemeve të pagesave të menjëhershme, lehtësimin e ofrimit të shërbimeve nga ofruesit e pagesave jo-bankare dhe zhvillimin e mëtejshëm të industrisë FinTech në rajon, duke lejuar përdorimin e kodeve QR për pagesat dhe miratimin e kufizimit të kostove të pagesave brenda CEFTA-s për të mirën e konsumatorëve dhe bizneseve.

Që nga 1 tetori, pjesëmarrësit mirëpritën hyrjen në fuqi të tarifave të reduktuara të të dhënave roaming midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, bazuar në Deklaratën e Roaming-ut, lehtësuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal me mbështetjen e fortë të Komisionit Evropian, e cila u nënshkrua midis 38 operatorëve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së në Samitin BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë, në dhjetor 2022.

Pjesëmarrësit vlerësuan Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal (RCC) dhe Sekretariatin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA) për mbështetjen e tyre në zbatimin e agjendave politike në kuadër të Tregut të Përbashkët Rajonal dhe rolin e tyre koordinues në negocimin e marrëveshjeve tregtare duke kontribuar kështu në një konvergjencë më të madhe ekonomike ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.

Pjesëmarrësit vunë në dukje se duhet të bëhen progrese të mëtejshme në lidhje me zbatimin e Planit të Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal deri në Samitin e ardhshëm të Procesit të Berlinit dhe i bënë thirrje RCC, CEFTA dhe organizatave të tjera rajonale që të fillojnë hartimin e fazës tjetër.

 

Rinia, Arsimi dhe Kërkimi Shkencor

Gjashtë pjesëmarrësit e Ballkanit Perëndimor (BP) shprehën dëshirën e tyre për avancimin në integrimin gradual të institucioneve dhe politikave arsimore, shkencore dhe rinore të Ballkanit Perëndimor në fushat dhe mekanizmat e lidhur me BE-në.

Të pranishmit vlerësuan nënshkrimin e Marrëveshjes ndërmjet Kolegjit të Evropës, Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë dhe Bashkisë së Tiranës më 6 tetor 2023, e cila i zgjeron rrugën hapjes së kampusit të Kolegjit të Evropës në Tiranë. Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e këtij institucioni në përgatitjen e profesionistëve dhe ekspertëve të çështjeve të BE-së në të gjithë rajonin, si dhe në nxitjen e ndjenjës së mirëkuptimit dhe përkatësisë reciproke. Ata vlerësuan gjithashtu mbështetjen e shpejtë të Komisionit Evropian për projektin.

Pjesëmarrësit mirëpritën rekomandimet e Konferencës së Përbashkët Shkencore të mbajtur në Tiranë, më 18-20 shtator 2023, mbi nevojën për të nxitur investimet në kërkimin shkencor dhe inovacionin, si dhe për vendosur Qendrat e Ekselencës së Kërkimit Shkencor dhe Teknologjisë dhe Universitetet e Ekselencës në Ballkanin Perëndimor, gjithashtu edhe fondet rajonale të kërkimit. Këto veprime duhet të kontribuojnë në integrimin e mëtejshëm të Ballkanit Perëndimor në Zonën Evropiane të Kërkimit dhe Zonën Evropiane të Arsimit. Ata mirëpritën rekomandimin për të rinovuar dhe zgjeruar thirrjen e zgjerimit për Ballkanin Perëndimor në Horizontin Europian. Ata gjithashtu vlerësuan bashkëpunimin rajonal ndërmjet vendeve anëtare, në arsimin e lartë, kërkim dhe inovacionin.

Pjesëmarrësit mirëpritën Konkluzionet e Forumit Rinor të Ballkanit Perëndimor të mbajtur në Shqipëri më 6 tetor 2023. Bazuar në këto Konkluzione, pjesëmarrësit nënvizuan rëndësinë e forcimit dhe zgjerimit të mekanizmave aktualë rajonalë dhe planeve të zhvillimit të BE-s për të përfituar më tej nga lëvizja e të rinjve dhe shkëmbimet kulturore në vendet e Ballkanit Perëndimior, si një mënyrë për të promovuar paqen në rajon. Ata vlerësuan gjithashtu theksin që Forumi vendosi për përfshirjen e arsimit të detyrueshëm në kurrikulat formale, si dhe pjesëmarrjen e të rinjve në aktivitetet qytetare dhe sferën publike.

 

Përfshirja e Ballkanit Perëndimor në Partneritetin e Zinxhirit të Vlerave të BE-së

Pjesëmarrësit pranuan se, duke pasur parasysh situatën aktuale gjeopolitike, një partneritet zinxhir i vlerave midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor duhet eksploruar më tej. Ata njohën rëndësinë strategjike të rajonit të Ballkanit Perëndimor në kontekstin e lëndëve bazë kritike dhe baterive, si dhe rolin e tij në zinxhirin e vlerave të BE-së dhe industrive. Me rritjen e kërkesës globale për këto materiale, Ballkani Perëndimor ka potencial të rëndësishëm që duhet të shfrytëzohet në mënyrë efektive për të kontribuar në sigurinë e furnizimeve të BE-së.

Pjesëmarrësit nënvizuan se investimet në kërkimin shkencor, inovacion dhe praktikave të qëndrueshme minerare, duhet të jenë prioritare, me qëllim rritjen e kontributit të rajonit në lëndët bazë kritike dhe zinxhirin e vlerave industrial kritike. Një rritje e tillë jo vetëm që do të përmirësonte sigurinë e furnizimeve të BE-së, por gjithashtu do të nxiste rritjen ekonomike dhe shtimin e vendeve të punës në Ballkanin Perëndimor.

Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e miratimit të një përqasjeje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse për të shfrytëzuar potencialin e Ballkanit Perëndimor në lëndët bazë të përbashkëta dhe në zinxhirin e vlerave të BE-së që merr në konsideratë problematikën mjedisore dhe sociale.

Gjashtë pjesëmarrësit e BP-së shprehën interesin e tyre për t’u bashkuar me Klubin e Partnerëve të Zinxhirit të Vlerave të BE-së për Lëndet e Para Kritike dhe për të siguruar mbështetje për zhvillimin e industrive përkatëse, në përputhje me nevojat dhe standardet e Tregut të Përbashkët të BE-së.

 

Tregtia, transporti dhe ndërlidhja dixhitale

Pjesëmarrësit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor theksuan rëndësinë e rritjes së investimeve në transport dhe në linjat hekurudhore në Ballkanin Perëndimor si dhe midis Ballkanit Perëndimor dhe BE-së.

Pjesëmarrësit konfirmuan se bashkëpunimi ekonomik rajonal dhe përmirësimi i marrëdhënieve ekonomike me BE-në shkojnë paralelisht me përmirësimin e ndërlidhjes midis rajonit dhe BE-së.

Pjesëmarrësit shprehën mbështetjen e tyre të plotë për deklaratën e CEFTA-s, Komuniteti i Përbashkët i Transportit, mbi “Shtimin e Korridoreve të Gjelbra” në përputhje me Samitin e Ndërlidhjes mbajtur në Budva më 15-16 maj, si dhe me vijimin e punës mbi Udhërrëfyesin për Korridoret e Gjelbra dhe kontrollet e koordinuara në kalimet kufitare BE-BP6. Ata theksuan rëndësinë e shtimit të bashkëpunimit kufitar ndërmjet rajonit dhe Bashkimit Evropian. Në këtë kuptim, ata shprehën mbështetjen e tyre në shtrirjen e fazës së dytë të Projektit për Lehtësimin e Tregtisë dhe Transportit me ndërhyrje që synojnë përmirësimin e ndëridhjes në Ballkanin Perëndimor dhe ndërmjet rajonit dhe BE-së. Pjesëmarrësit e Ballkanit Perëndimor theksuan nevojën për të përshpejtuar zbatimin e Planit Ekonomik dhe të Investimeve dhe shtrirjen e Korridoreve të Gjelbra CEFTA-TCT në të gjitha pikat kryesore kufitare me shtetet anëtare të BE-së, si dhe përmirësimin e kushteve të infrastrukturës dhe operacioneve në ato kalime kufitare. Po ashtu, ata bën thirrje për zbatimin e plotë të Korridoreve të Gjelbra me BE-në si dhe shkëmbimin elektronik të të dhënave në të dyja drejtimet, pasuar nga vendosja e një baze të përshtatshme ligjore.

Pjesëmarrësit e BP6 deklaruan se, në vijim të përshpejtimit të investimeve të investimeve në infrastrukturën e transportit, është e rëndësishme të sigurohet:

  1. a) prioritizimi i investimeve, sipas informacioneve nga flukset aktuale dhe të ardhshme të trafikut,
  2. b) një koordinim më i ngushtë midis Ballkanit Perëndimor dhe Shteteve Anëtare të BE-së në kufi me rajonin,
  3. c) mobilizimi strategjik i burimeve financiare, duke përfshirë huatë, grantet dhe investimet private.

Pjesëmarrësit vlerësuan përfshirjen e segmentit hekurudhor të Korridorit VIII nga Shkupi në Durrës në rrjetin e zgjeruar TEN-T. Ata i bënë thirrje BE-së dhe institucioneve financiare ndërkombëtare (IFIs) që të investojnë në këtë projekt të rëndësishëm strategjik, si nga pikëpamja ekonomike ashtu edhe nga ajo e sigurisë.

Pjesëmarrësit e BP6 bën thirrje për të shtuar përpjekjet me qëllim lehtësimin e tregtisë nga ana e Komisionit Evropian dhe CEFTA-as. Kjo nënkupton përpjekjet për të zvogëluar periudhat e gjata të pritjes në pikat e përbashkët kufitare me shtetet anëtare të BE-së, kohën dhe kostot e shpenzuara për proçedurat e importit dhe eksportit, pasigurinë lidhur me kohën e tranzitit që dëmton konkurrencën e eksporteve dhe vështirësitë për kompanitë e Ballkanit Perëndimor për të treguar cilësinë e produkteve të tyre dhe përputhjen me standardet e BE-së.

Pjesëmarrësit mirëpritën nënshkrimin e marrëveshjeve të asocimit ndërmjet Komisionit Evropian dhe vendeve candidate të BE-së mbi Programin e Evropës Dixhitale në qershor 2023. Ata theksuan rëndësinë e përmirësimit të infrastrukturës ndërlidhëse dixhitale, si dhe kuadrin rregullator ligjor midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në sferën dixhitale, duke përfshirë sigurinë kibernetike.

Gjashtë pjesëmarrësit e Ballkanit Perëndimor theksuan nevojën për të rritur investimet në ndërlidhje dhe infrastrukturë, si dhe në zhvillimin e kapaciteteve në lidhje me zbatimin e legjislacionit të BE-së në sektorët e mjedisit, transportit dhe energjisë. Pjesëmarrësit vlerësuan punën e bërë nga RCC për të lehtësuar dhe koordinuar aktivitetet rajonale në lidhje me përhapjen e teknologjive të reja dhe vlerësuan progresin e bërë deri më tani në këto fusha.

 

Zbatimi i Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor

Pjesëmarrësit mirëpritën rezultatet e Dialogut të Liderëve të Qershorit 2023 dhe krijimin e Partneritetit Rajonal të Klimës midis BP6 dhe Gjermanisë, me synimin për të përshpejtuar bashkërisht zbatimin e Axhendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor. Prandaj, liderët e BP6 dhe Republikës Federale të Gjermanisë miratuan Deklaratën e Përbashkët për Partneritetin Rajonal të Klimës. Në të ata shprehën synimin e tyre për të çuar përpara dialogun e tyre strategjik lidhur me klimën dhe shtimin e bashkëpunimit për një tranzicion të gjelbër dhe të drejtë për shoqërinë në fusha të tilla si energjia, me fokus në efiçencën energjitike të rinovueshme, zhvillimin e qëndrueshëm urban, turizmin, transportin dhe bujqësinë. Ata theksuan rëndësinë e nxitjes së investimeve të sektorit privat në këto fusha. Ata mirëpritën angazhimin e Republikës Federale të Gjermanisë për të mbështetur këtë tranzicion me një paketë fillestare prej 1 miliardë eurosh, duke përfshirë grante zhvillimi dhe kredi deri në vitin 2030 përmes Bankës për Zhvillim KfW, si dhe premtuan mbështetje buxhetore prej 500 milionë euro përmes kredive me afat të shkurtër.

Në vijim të deklaratës së vitit të kaluar për Sigurinë e Energjisë dhe Tranzicionin e Gjelbër në Ballkanin Perëndimor, pjesëmarrësit e Ballkanit Perëndimor përforcuan angazhimin e tyre ndaj objektivave të përbashkëta drejt tranzicionit të gjelbër të mbështetur nga Udhërrëfyesi i Komunitetit të Energjisë për Dekarbonizimin, në kontekstin e Axhendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor.

Ata mirëpritën gjithashtu mbështetjen nga Agjencia Franceze e Zhvillimit (AFD), e cila ka ofruar 1 miliard euro për Ballkanin Perëndimor që nga viti 2019 për të mbështetur përpjekjet në një gamë të gjerë sektorësh kyç për integrimin evropian të rajonit, konkretisht energjinë dhe tranzicionin ekologjik, zhvillimin urban, transportin dhe përfshirjen ekonomike.

Pjesëmarrësit e Ballkanit Perëndimor theksuan rëndësinë e linjëzimit të legjislacionit me BE-në, në sektorin e energjisë, me synimin për të mundësuar integrimin e plotë të tregut, dekarbonizimin, përshpejtimin e adoptimit të energjisë së rinovueshme dhe reduktimin e gazeve serrë në përputhje me legjislacionin e BE-së për energjinë, të parashikuar sipas Traktatit të Komunitetit të Energjisë.

Pjesëmarrësit ranë dakord mbi nevojën për të përmirësuar bashkëpunimin në fushat e bujqësisë, ushqimit, zhvillimit rural dhe pyjeve, për të adresuar në mënyrë efektive sfidat e sigurisë ushqimore.

Pjesëmarrësit vlerësuan përpjekjet thelbësore të Grupit të Punës për Zhvillimin Rural Rajonal (SWG).

Në lidhje me sa më sipër, u theksua se është e nevojshme të forcohet koordinimi i politikave në lidhje me përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike, mbrojtjen e tokës, bujqësinë organike, sistemet e njohurive bujqësore dhe inovacionit (AKIS), cilësinë e verërave dhe pyjet. Në vijim, duhet të trajtohen edhe aspekte të tjera të Axhendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, të tilla si linjëzimi me standardet e BE-së në fushat si: siguria ushqimore, shëndeti i bimëve dhe mirëqënia e kafshëve, mjedisi, rritja e kontrolleve sanitare dhe gjurmimi i tyre, si dhe promovimi i energjisë së rinovueshme në zonat rurale. Pjesëmarrësit njohën dhe vlerësuan rolin e Gjermanisë dhe vendeve të tjera anëtare të BE-së, përfshirë Francën, për të arritur këtë qëllim dhe i bënë thirrje BE-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare për të mbështetur këto përpjekje.

Për më tepër, pjesëmarrësit vlerësuan punën dhe rolin e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal në koordinimin dhe monitorimin e zbatimit të Axhendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor dhe ritheksuan nevojën për të koordinuar mbështetjen për të gjithë partnerët, përfshirë qeveritë lokale, për të arritur zbatuar angazhimet e Deklaratës së Sofjes dhe për tu linjëzuar me standardet e BE-së.

Pjesëmarrësit ranë dakord të ndërmarrin veprime, të rrisin bashkëpunimin rajonal dhe të përmirësojnë kuadrin rregullator për të parandaluar ndotjen plastike, duke përfshirë ndotjen detare.

 

Siguria

Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e bashkëpunimit më të thellë rajonal në fushat e politikave të lidhura me sigurinë. Ata përsëritën gjithashtu nevojën kritike për një nivel më të lartë të shkëmbimit të informacionit ndërmjet Ballkanit Perëndimor dhe Task Forcave të Përbashkëta të BE-së, dhe për ushtrime të përbashkëta për të trajtuar aspekte të veçanta të krimit të organizuar, si trafikimi i qenieve njerëzore, kontrabanda e emigrantëve dhe trafikimi i drogës.

Pjesëmarrësit theksuan se është thelbësore të ndërtohet një bashkëpunim më i fortë në fushën e sigurisë kibernetike, duke përfshirë mbështetjen e koordinuar operative dhe teknike, dhe krijimin e një platforme që mundëson paralajmërimet në kohë të kërcënimeve kibernetike dhe shkëmbimin e praktikave dhe përvojave.

Pjesëmarrësit mirëpritën nënshkrimin e marrëveshjes trepalëshe ndërqeveritare për krijimin e Qendrës së Ballkanit Perëndimor për Kapacitetet Kibernetike dhe njohën potencialin e saj për të promovuar bashkëpunimin rajonal në fushën e qëndrueshmërisë kibernetike.

Pjesëmarrësit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor shprehën dëshirën e tyre për të shtuar përpjekjet drejt menaxhimit të integruar të kufijve (IBM) dhe kërkuan mbështetje në lidhje me zhvillimin e kapaciteteve, dixhitalizimin dhe sigurinë kufitare, si dhe komunikim dhe koordinim më të mirë me agjencitë ligjzbatuese të BE-së, duke përfshirë Agjencinë e Bashkimit Evropian për Sigurinë Kibernetike, Mekanizmat e Rishikimit të Incidenteve Emergjente të Sigurisë Kibernetike të BE-së, etj. Ata kërkuan vazhdimin e dialogut të nivelit të lartë për sigurinë kibernetike dhe koordinim më të ngushtë në nivel rajonal, siç lehtësohet nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal.

 

Çështje dypalëshe dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë

Pjesëmarrësit shprehën shqetësimin për rritjen e fundit të tensioneve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës që i parapriu dhe pasoi sulmin ndaj policisë së Kosovës dhe vrasjen e një oficeri policie të Kosovës dhe plagosjen e tre personave të tjerë më 24 shtator. Ata theksuan se zhvillimet e fundit kërcënojnë paqen, sigurinë dhe bashkëpunimin në rajon dhe pengojnë përpjekjet e pajtimit nga BE-ja dhe partnerët e tjerë strategjikë në Ballkanin Perëndimor.

Pjesëmarrësit inkurajuan përpjekjet evropiane për t’u angazhuar me palët, me qëllim zhbllokimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve të lehtësuar nga BE, dhe në këtë mënyrë zhbllokimin e bashkëpunimit rajonal edhe rrugëve përkatëse të BE-së të BP6. Në këtë frymë, pjesëmarrësit theksuan nevojën për përpjekje të përbashkëta evropiane dhe mekanizmat e duhur për këtë rast për zhvillimin ekonomik, rininë dhe arsimin, si dhe kontaktet mes njerëzve dhe bashkëpunimin ndërmjet grupeve të shoqërisë civile.

Pjesëmarrësit shprehën shqetësimin se çështjet dypalëshe midis pjesëmarrësve të Procesit të Berlinit mund të vazhdojnë të pengojnë rrugëtimin e rajonit drejt BE-së. Pjesëmarrësit e gjashtë vendeve të BP-s kërkuan mbështetje të vazhdueshme nga BE-ja dhe vendet pjesëmarrëse anëtare të BE-së për përpjekjet e Ballkanit Perëndimor në fushën e forcimit të sundimit të ligjit, luftës kundër krimit të organizuar dhe në rrugëtimit të tyre drejt anëtarësimit në BE.

Pjesëmarrësit konfirmuan rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mire në lidhje me perspektivën evropiane të rajonit. Pjesëmarrësit e Ballkanit Perëndimor propozuan se një kushtëzim i fuqishëm lidhur me zbatimin e angazhimeve rajonale dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë në Ballkanin Perëndimor të përfshihen në kriteret e zbatimit të Planit të Rritjes.

 

Integrimi i Romëve

Pjesëmarrësit vlerësuan progresin në zbatimin e Deklaratës së Poznanit të partnerëve të Ballkanit Perëndimor mbi integrimin e romëve në procesin e zgjerimit. Udhëheqësit e BP6 mirëpritën dhe miratuan zyrtarisht konkluzionet e Ministerialit të Katërt për Romët mbajtur në Shkup më 22 shtator. Këto përfundime identifikojnë qartë hapat e ndërmjetëm të nevojshëm për zbatimin e angazhimeve për integrimin e romëve në fushën e arsimit, punësimit, rregullimit të vendbanimeve informale, në sferën dixhitale dhe në gjendjen civile.

 

E ardhmja e Procesit të Berlinit

Pjesëmarrësit mirëpritën gatishmërinë e Gjermanisë për të mbajtur Samitin e ardhshëm të Liderëve në 2024, në kuadër të 10-vjetorit të Procesit të Berlinit.