Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Fjala e Ministrit në Detyrë, Gent Cakaj

Përshëndetje të gjithëve!

Së pari, një falënderim Ministrit Petříček për sjelljen kolegjiale dhe tërësisht bashkëpunuese.

Ky takim është jo vetëm dëshmi e marrëdhënieve të shkëlqyera që gëzon Republika e Shqipërisë me Republikën çeke, por në fakt edhe hapje e një kapitulli të ri të mundësive të bashkëpunimit në një sërë fushash, duke filluar nga politika e deri tek ekonomia.

Republika  çeke dhe Shqipëria, në fakt, janë fuqimisht të lidhura me vlerat Euro-Atlantike.

Republika çeke ka qenë mbështetëse e rrugëtimit Evropian të Shqipërisë dhe së bashku jemi pjesë e disa misioneve të sigurisë, në kuadër të bashkëpunimit në NATO.

Me kolegun Petříček kemi folur për marrëdhëniet dypalëshe, duke insistuar që komunikimi i shkëlqyer politik, të përkthehet në bashkëpunim më të thellë ekonomik. Kam shprehur mirënjohjen për kontributin e Republikës çeke në projektin e “100 fshatrave”, por në të njejtën kohë, po ashtu, kemi theksuar nevojën që në fushën e agrikulturës dhe të turizmit, të kemi projekte më specifike që kontribuojnë, qoftë në rritjen e numrit të  investitorëve, qoftë në zhvillimin e të gjithë indikatorëve ekonomikë që karakterizojnë tregun tonë.

Po ashtu, kemi folur për zhvillimet në rajon, për domosdoshmërinë e zgjidhjes së të gjitha çështjeve dypalëshe dhe për të kontribuar aktivisht në stabilitetin dhe paqen në rajon, gjë për të cilën Shqipëria vijimisht ka luajtur rolin e saj pozitiv.

Kemi biseduar po ashtu për perspektiven e Shqipërisë dhe integrimin në Bashkimin Evropian si dhe për domosdoshmërinë e hapjes së negociatave për anëtarësim në qershor të këtij viti.

Unë jam tërësisht falënderues dhe shpreh mirënjohjen në emër të institucioneve të Shqipërisë, për mbështetjen që Republika çeke ka dhënë për hapjen e negociatave në qershor të këtij viti.

Ne kemi filluar procesin e ekzaminimit analitik të legjislacionit evropian. Kemi përmbushur të gjitha kushtet e Këshillit dhe presim një rekomandim pozitiv nga Komisioni Evropian për hapjen e negociatave dhe natyrisht, llogarisim mbështetjen politike të vendeve anëtare, për ta bërë projektin tonë realitet.

Kemi diskutuar, po ashtu, për angazhimet tona shumëpalëshe, me theks të veçantë në këmbimin e ekspertizës në angazhimet tona për kryesimin e OSBE-së në vitin 2020. Ashtu siç e dini, ne tashmë jemi pjesë e Trojkës. Jemi të angazhuar në komunikimin me një sërë shtetesh për të fuqizuar ekspertizën tonë teknike, në mënyrë që kryesimi i OSBE-së në vitin 2020, të jetë një histori suksesi e padiskutueshme.

Po ashtu, në angazhimet tona më të përgjithshme dhe më afatgjata, kemi diskutuar për domosdoshmërinë e mbështetjes të kandidaturës së Shqipërisë për të qenë anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit në vitin 2022.

Me këtë rast, po ashtu, falënderoj mikun dhe kolegun Petříček, për mbështetjen e pakursyer në ambicien e Shqipërisë, për praninë e saj në Organizatat Ndërkombëtare.

Edhe një herë, jeni gjithmonë të mirëseardhur në Shqipëri, Ministër, dhe mbetem shpresëplotë që kjo klimë pozitive e takimit të përkthehet në angazhime më konstruktive dhe në një qasje më intensive bashkëpunuese në periudhën që vjen.

Faleminderit shumë! Fjala për ju.

 

Fjala e ministrit, Tomas Petříček.

I nderuar zoti Ministër,

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Së pari më lejoni t’ju falënderoj për mikpritjen tuaj.

Po kaloj një ditë të mrekullueshme në Tiranën e mrekullueshme.

Jam i kënaqur të them se marrëdhëniet midis Republikës çeke dhe Shqipërisë janë të shkëlqyera. Shqipëria është një mik dhe partner i vyer në Evropë, në NATO dhe në organizata të tjera.

Krahas bashkëpunimit të shkëlqyer politik, dëshirojmë që të kemi një bashkëpunim më të ngushtë ekonomik midis dy vendeve tona.

Vitin e kaluar, bashkëpunimi ynë ekonomik u rrit me thuajse 30% dhe kjo tregon se ekziston një potencial i madh për bashkëpunim më të ngushtë ekonomik në të ardhmen.

Ka pasur një interes shumë të madh nga ana jonë, sa i takon turizmit në Shqipëri. Gjithashtu, Shqipëria po kthehet në një destinacion gjithnjë e më popullor e i kërkuar nga turistët çekë. Shpresoj që kjo të vijojë.

Po ashtu, ka një potencial të madh për bashkëpunimin në fushën e bujqësisë, për shembull investimet në sipërmarrje të përbashkëta, në agro-përpunim dhe në kultivimin e agrumeve. Këto janë fushat në të cilat ne mund të zgjerojmë bashkëpunimin tonë, për të pasur rezultate të prekshme, sa më shpejt.

Diskutuam edhe çështjen e Integrimit Evropian, ku Republika çeke, gjithmonë ka dhënë mbështetjen e saj në procesin e zgjerimit. Ne e konsiderojmë zgjerimin e BE-së si një prej sukseseve më të mëdha të Bashkimit Evropian dhe sigurisht, ne e mbështesim ambicien e Shqipërisë për hapjen e bisedimeve për anëtarësim këtë qershor dhe do t’ju mbështesim përpara partnerëve tanë në Bashkimin Evropian.

Sa i takon marrëdhënieve shumëpalëshe, Republika çeke do të bashkëpunojë me Shqipërinë në kuadër të OSBE-së.

Kështu që ne shpresojmë ta fuqizojmë bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe bashkëpunimin tonë si partnerë për kontributin e përbashkët në sigurinë dhe stabilitetin në Evropë dhe në rajon.

Ju falënderoj shumë për vëmendjen tuaj.

Dëshiroj ta mbyll duke konfirmuar edhe një herë se Republika çeke është po ashtu e gatshme që t’ju asistojë me përvojën e saj, sa i përket bisedimeve për anëtarësim në vitin 2004.

Ne këtë vit festojmë edhe 15 vjetorin e anëtarësisë në Bashkimin Evropian dhe shpresojmë që Shqipëria të jetë vend partner, për ne, në Bashkimin Evropian në momentin që do të bëhet pjesë.

Ju falënderoj shumë!

 

Pyetje nga gazetarët

Pyetje: Zoti Ministër Cakaj, në maj Parlamenti Evropian ka zgjedhje. A rrezikon që për shkak të këtyre zgjedhjeve, vendimi për Shqipërinë, për hapjen e negociatave të shtyhet për në vjeshtë, ashtu siç ka deklaruar pak ditë më parë edhe Eurokomisioneri Hahn?

Dhe pyetja e dytë: Homologu juaj grek, ka deklaruar dje, se për shkak të situatës politike, Marrëveshja për Detin me Greqinë është vonuar. Kur do të nisin bisedimet mes Tiranës dhe Athinës?

Përgjigja Ministri Cakaj: Së pari, ne nuk kemi një komunikim institucional që vendimi i Këshillit për hapjen e negociatave në qershor do të shtyhet, përkundrazi, në konkluzionet e fundit të Këshillit për Zgjerimin theksohet se vendimi do të merret në vitin 2019. Nëse për arsye teknike dhe të brendshme të Bashkimit Evropian, vendimi për hapjen e mundshme të negociatave do të shtyhet, kjo është një çështje që unë nuk mund ta komentoj tani. Por ajo që mund të them është që pavarësisht se do të ketë një shtyrje në publikimin e Raportit të Progresit, për shkak të situatës elektorale të Bashkimit Evropian, ne deri tani nuk kemi sinjale që kjo shtyrje do të manifestohet edhe në një shtyrje të vendimit politik për hapjen e mundshme të negociatave.

Ajo qe mund të them unë në lidhje me sfidën tonë është që të marrim rekomandimin pozitiv për hapje të negociatave nga Komisioni dhe të shpresojmë, dhe kjo është më me rëndësi sesa data e vendimit, që vullneti i shteteve anëtare do të formohet bazuar në konsideratat e shpalosura nga Komisioni.

Për çështjen e dytë, ndërkaq ne mbesim të përkushtuar që të mbyllen të gjitha çështjet e hapura në të gjitha vendet në rajon dhe të kontribuojmë më tej për politikën tonë, “0 probleme” me fqinjët, meqenëse këtë e dikton edhe interesi rajonal, por edhe nevoja e integrimit evropian.

Pyetje për Ministrin çek: Javën që shkoi ju bëtë një takim me Punëve të Jashtme të Holandës dhe me sa di unë, Holanda dhe Franca janë dy vende të cilat janë fuqimisht kundër pranimit të vendeve të reja anëtare në Bashkimin Evropian. A mendoni se është e mundshme që i gjithë procesi i pranimit të Shqipërisë, por edhe i vendeve të tjera, nuk do të bëhet i mundur?

Pyetje për Ministrin Cakaj: A mendoni se është e mundshme këtu në Shqipëri, që në rast se procesi ndalon, njerëzit do ta ndryshojnë mendimin e tyre dhe do jenë kundër anëtarësimit evropian për shkak se do të jenë të lodhur me këto negociata kaq të gjata?

Përgjigje Ministri çek: Së pari, Republika çeke gjithmonë e ka mbështetur zgjerimin. Aktualisht mbështet Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, si vende partnere, me të cilat do të donim që të fillonim negociatat për bisedime. Këtë e kemi mbështetur dhe vitin e kaluar dhe besoj se do të arrijmë që të kemi një konsensus për çeljen e negociatave në mbledhjen e Këshillit në qershor të vitit 2019. Kam biseduar me një sërë partnerësh në Bashkimin Evropian sa i takon negociatave për anëtarësim.

Jam përpjekur që t’ua bëj të ditur, për rëndësinë që ka marrja e një vendimi pozitiv për popujt e këtyre vendeve, sepse ka një mbështetje të konsiderueshme për integrimin në Bashkimin Evropian nga popullsia, si në Shqipëri, ashtu edhe në Maqedoninë e Veriut.

Besoj se zgjerimi ka dy anë ku duhet të përmbushen premtimet tona. Në aspektin praktik kam përmendur faktin se Shqipëria ka ndërmarrë një sërë reformash, në vitet e fundit sidomos në gjyqësor dhe se detyrat që i kemi caktuar Shqipërisë për të kryer, në pjesën më të madhe janë realizuar. Prandaj dhe parakushti për çeljen e negociatave është përmbushur.

Po kështu, do të kryej një vizitë zyrtare në Francë, në prill dhe do të diskutoj edhe me partnerin francez. E kam si synim krijimin e një atmosfere pozitive për mbledhjen në qershor të Këshillit, në mënyrë që të merret një vendim pozitiv për çeljen e negociatave.

Përgjigje Ministri Cakaj: Faleminderit shumë për pyetjen tuaj. Fillimisht një sqarim paraprak, është tepër politik mbase. Këtu nuk po flasim për pranimin e anëtareve të rinj në Bashkimin Evropian, por në fakt për procedimin me procesin e negocimit për anëtaret e rinj. Kjo do të thotë që Bashkimi Evropian mund të ketë forma se si të fuqizohet nga brenda dhe paralelisht të konfirmojë gatishmërinë e zgjerimit për anëtarët e rinj.

Procesi i hapjes së negociatave nuk është  akt i anëtarësimit, por në fakt shprehje e gatishmërisë për të vazhduar reformat në procesin e anëtarësimit. Unë këtu dua të theksoj se janë dy faktorë: Është faktori i  reformave në Shqipëri, të cilat inspektohen nga Komisioni Evropian dhe në fakt po ashtu është procesi i reformave në Bashkimin Evropian, i cili shpesh herë ndikon edhe në dinamikat e zgjerimit.

Kohëve të fundit, është bërë mbase tipik, ku flitet për lodhje nga zgjerimi, por kjo lodhje nga zgjerimi e Bashkimit Evropian, kurrsesi nuk manifestohet në lodhje të popullit të Shqipërisë dhe të institucioneve të Shqipërisë, për të vazhduar tutje reformat e tyre.

Për ne është shumë e rëndësishme të vazhdojmë me agjendën pozitive të reformave dhe të mbesim shpresëplotë që vendet anëtare  të Bashkimit Evropian do t’i përgjigjen pozitivisht progresit të ndërmarrë në Shqipëri gjatë kësaj periudhe. Pa asnjë mëdyshje,  pavarësisht dilemave momentale e mëdyshjeve të herë pas hershme, ne mbetemi komuniteti më pro-evropian në rajon dhe do të vazhdojmë të mbetemi të tillë, duke përkthyer këtë bashkëpunim pro Evropës në momentum dhe në shans për reformat e brendshme dhe në përkushtim afatgjatë për t’ju bashkuar familjes evropiane.