Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

9 nëntor 2020 – Fokusi i konferencës përfundimtare të OSBE-së për të drejtat e njeriut, e këtij viti, ishte nevoja për të përfituar plotësisht nga mundësitë e ofruara nga teknologjitë dixhitale dhe minimizimi i rreziqeve që ato paraqesin, të cilat po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme përsa liria e fesë dhe besimit vihen gjithnjë e më shumë nën presion.
Inid Milo, Kryetare e Task Forcës së Kryesisë Shqiptare të OSBE-së 2020, në fjalën e saj u shpreh se: “Ne po përjetojmë kërcënime të mëdha për paqen dhe sigurinë në të gjithë zonën e OSBE-së, me njerëzit që vihen në shënjestër për besimet e tyre fetare ose thjesht për mënyrën e tyre të jetesës. Prandaj jemi të kënaqur që sot shohim kaq shumë pjesëmarrës. Ne shpresojmë për një dialog të hapur për mënyrat si të cojmë përpara të drejtën e lirisë së besimit për të gjithë, ndarjen e praktikave më të mira dhe ofrimin e rekomandimeve konkrete nga të cilat mund të përfitojmë të gjithë”.
Takimi online, i organizuar nga Kryesia Shqiptare e OSBE-së 2020 së bashku me Zyrën e OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), mblodhi së bashku më shumë se 300 pjesëmarrës nga qeveritë, shoqëria civile, komunitetet fetare apo të besimit dhe organizata ndërkombëtare nga i gjithë rajoni i OSBE-së. Në konferencë u diskutuan tendencat e fundit të kornizave ligjore kombëtare dhe politikat qeveritare, roli i shoqërisë civile si në promovimin edhe në mbrojtjen e kësaj të drejte, si dhe përpjekja për të ndërtuar shoqëri më tolerante.
Zz/Drejtorja e Parë e ODIHR-it, Katarzyna Gardapkhadze, u shpreh se: “Ne shpesh nuk e lidhim lirinë e fesë ose besimit me botën dixhitale, por në fakt dixhitalizimi ofron shumë mundësi, veçanërisht gjatë rrethanave të vështira të shkaktuara nga pandemia, kur komunitetet nuk janë në gjendje të takohen personalisht. Sidoqoftë, nevojitet një përpjekje më e madhe për të luftuar përdorimin e mjeteve dixhitale si një platformë për intolerancë dhe urrejtje kundër njerëzve thjesht për shkak të fesë apo besimit të tyre.”
“Kufizimet jo vetëm që kanë përmirësuar statusin e internetit si forumi kryesor ndërkombëtar, duke ofruar shumë zgjidhje, përfshirë komunitetet fetare dhe të besimit, por gjithashtu kanë vënë në pah shumë forma të ndarjeve dixhitale,” u shpreh Dr. Ahmed Shaheed, Raportuesi Special i Kombeve të Bashkuara për Lirinë e fesë ose e besimit. “Këto ndarje janë imponuar jo vetëm për shkak të çështjeve të aksesit, por gjithashtu për shkak të nxitësve të urrejtjes. Ato kërkojnë një përgjigje të shumë palëve për të garantuar përfshirjen dixhitale për të gjithë.”