Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Në përkujtim të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit (3 majit) dhe Ditës Ndërkombëtare për t’i Dhënë fund Pandëshkueshmërisë për Krime kundër Gazetarëve (2 nëntorit), Mbretëria e Holandës dhe UNESCO organizuan Konferencën Botërore mbi Lirinë e Shtypit 2020 (WPFC), që u mbajt në datat 9 dhe 10 dhjetor 2020, në formatin virtual, për shkak të pandemisë COVID-19.

Në kuadër të kësaj konference, Ministri i Punëve të Jashtme i Mbretërisë së Holandës, Stef Blok, së bashku me DP të UNESCO-s, Azoulay, organizuan edhe një tryezë diskutimi në nivel ministror, me temë “Forcimi i angazhimit për sigurinë e gazetarëve”, për të shtuar bashkëpunimin ndërmjet vendeve për përmirësim të sigurisë së gazetarëve dhe për të luftuar mosndëshkueshmërinë për krime kundër tyre.

Pjesëmarrës në takimin virtual ministror ishte edhe Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Armand Skapi, i cili mbajti dhe një fjalë lidhur me forcimin e lirisë se gazetarëve dhe të shtypit të lirë. Ndërmjet të tjerash, ai tha se mbrojtja e lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias, veçanërisht në kushtet e pandemisë, merr një rëndësi të veçantë.

Ne i përmbahemi qëndrimit se mbrojtja dhe respektimi i të drejtave të njeriut nuk mund të jenë të përmbushura pa mbrojtjen dhe respektimin e fjalës së lirë dhe të medias së lirë. Shqipëria, tha në vijim Skapi, e ka të sanksionuar në Kushtetutën e vendit mbrojtjen e fjalës së lirë, ndërkohë që vendi ynë është pjesë dhe jep kontribut të vyer në Grupet e Miqve për mbrojtjen e sigurisë së gazetarëve si në sistemin e OKB-së, të OSBE-së, KiE-s etj. Referuar këtyre angazhimeve kombëtare dhe ndërkombëtare, Shqipëria mbështeti edhe Komunikatën e Hagës, produkt i këtij takimi ministror, me angazhime konkrete për forcimin e sigurisë së gazetarëve.