Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Takimi i 11-të i Komitetit të Stabilizim Asociimit ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian u zhvillua më datë 9 Dhjetor 2020 në Tiranë ( video konferencë). Takimi u hap nga z. Zef Mazi, Kryenegociator për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe nga znj. Genoveva Ruiz Calavera, Drejtore e Drejtorisë së Përgjithshme për Politikën e Fqinjësisë Evropiane dhe Negociatat e Zgjerimit në Komisionin Evropian. znj. Adea Pirdeni, Zëvendësministre e Drejtësisë në Shqipëri dhe znj. Michela Matuella, Përgjegjëse e Sektorit për Shqipërinë, Bosnje dhe Hercegovinën, në Komisionin Evropian, bashkëkryesuan takimin.

Komiteti i Stabilizim Asociimit vlerësoi progresin në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, si dhe të zhvillimeve më të rëndësishme të vitit të kaluar në fushën e sundimit të ligjit, reformës në administratën publike, tregtisë, zhvillimit ekonomik, bujqësisë dhe peshkimit, industrisë dhe tregut të brendshëm, inovacionit dhe kulturës, politikave sociale, transportit, energjisë, mjedisit dhe ndryshimeve klimatike. Gjithashtu, u shqyrtua zbatimi i ndihmës financiare të Bashkimit Evropian. Komiteti i Stabilizim Asociimit nënvizoi premtimet e rendësishme të mobilizuara për rindërtimet nga tërmeti dhe mbështetjen në kohë të nevojave urgjente dhe rimëkëmbjes prej COVID-19.

Komisioni mirëpriti kahun pozitiv të progresit të vazhdueshëm që Shqipëria ka arritur në të gjitha fushat gjatë vitit. Shqipëria është afër përmbushjes së të gjitha kushteve për t’u përmbushur para takimit të parë të Konferencës Ndërqeveritare të negociatave të pranimit. Komisioni vlerësoi reformën zgjedhore të miratuar me datë 23 korrik në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR. Komiteti i Stabilizim Asociimit rishikoi situatën aktuale të zbatimit të reformës në praktikë. Komisioni nënvizoi progresin e mirë në tërësi në zbatimin e reformës në drejtësi dhe mirëpriti vazhdimin e procesit të vetingut. Komisioni inkurajoi autoritetet përgjegjëse të plotësojnë emërimet e mbetura në Gjykatën Kushtetuese.

Komisioni mirëpriti angazhimin e treguar nga Shqipëria në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Komisioni vlerësoi pozitivisht faktin se organet e reja të specializuara në fushën e anti-korrupsionit dhe krimit të organizuar janë krijuar dhe kanë filluar të funksionojnë. Komiteti i Stabilizim Asociimit shqyrtoi progresin në rekrutimet në Byronë Kombëtare të Hetimit. Komisioni vuri në dukje se numri i operacioneve policore, duke përfshirë dhe ato së bashku me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, kundrejt grupeve të krimit të organizuar, është rritur dhe se janë kryer arrestime të rëndësishme dhe janë ngritur padi.

Gjithashtu u diskutua progresi në zbatimin e planit të veprimit të Task Forcës për Veprimin Financiar (FATF) dhe Komisioni theksoi rëndësinë e intensifikimit të mëtejshëm të luftës kundër pastrimit të parave. Komisioni risolli në vëmendje se historiku i përgjithshëm i hetimeve, ndjekjeve penale dhe dënimeve në fushën e krimit të organizuar dhe rastet e korrupsionit, në vecanti në rastet e nivelit të lartë, duhet të forcohet më tej.

Për më tepër, Komisioni mirëpriti bashkëpunimin e mirë në adresimin e sfidave të përbashkëta të emigracionit dhe sigurisë dhe vlerësoi Shqipërinë për lidhjen e marrëveshjeve të bashkëpunimit me të gjitha agjencitë e drejtësisë dhe të punëve të brendshme të Bashkimit Evropian.

Komisioni dhe Shqipëria u dakordësuan mbi rëndësinë e vazhdimit të adresimit të fenomenit të kërkesave të pabazuara për azil, i cili kërkon një bashkëpunim të vazhdueshëm e të ngushtë me shtetet anëtare të destinacionit.

Në fushën e të drejtave themelore, Komisioni mirëpriti miratimin e ligjit të censusit dhe inkurajoi zbatimin e këtij ligji. Komisioni nënvizoi se aktet nënligjore të mbetura në fushën e mbrojtjes së minoriteteve duhet të miratohen sa më parë. Angazhimi i përsëritur i Shqipërisë për të siguruar se legjislacioni për mediat do të ishte në përputhje me Opinionin e Komisionit të Venecias dhe standartet ndërkombëtare, u theksua edhe më tej. Komisioni mirëpriti emërimin e Vëzhguesit të Shqipërisë në Bordin e Menaxhimit të Agjencisë për të Drejtat Themelore në Bashkimin Evropian.

Komisioni i Stabilizim Asociimit vuri në dukje me kënaqësi bashkëpunimin e vazhdueshëm të Shqipërisë dhe përafrimin e plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të Bashkimit Evropian, si dhe pjesëmarrjen e saj aktive të vazhdueshme në misione dhe operacione nën Politikën e Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes. U mirëprit angazhimi i Shqipërisë në bashkëpunimin rajonal.

U diskutua politika ekonomike dhe fiskale, përfshirë planet e zhvillimit dhe rimëkëmbjes, si edhe strategjia fiskale afatmesme dhe pragu i përjashtimit nga TVSH. Në fushën e bujqësisë dhe peshkimit, diskutimet u fokusuan në planifikimin e zhvillimit rural, regjistrat bujqësorë, sigurisë ushqimore, si edhe në monitorimin e anijeve të peshkimit. U shqyrtua progresi në përafrimin e legjislacionit të Bashkimit Evropian në fushën e tregut të brendshëm, duke përfshirë prokurimin publik dhe kontrollin e ndihmës shtetërore.

Komiteti i Stabilizim Asociimit diskutoi strategjinë e arsimit dhe financimin, aftësitë digjitale, sigurinë kibernetike dhe inovacionin, programin kërkimor Horizon, si edhe kulturën dhe trashëgiminë kulturore, dhe dialogun midis partnerëve socialë. Diskutimi gjithashtu përfshiu politikat rajonale dhe të kohezionit, ndërlidhjen përfshirë transportin hekurudhor, si dhe kontrollin e shtetit të flamurit, eficencën energjitike dhe burimet e ripërtëritshme, mjedisin përfshirë menaxhimin e ujit dhe mbetjeve dhe ndryshimet klimatike.