Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Këshilli i të Drejtave të Njeriut (KDNJ) i OKB-së zëvendësoi në vitin 2006 Komisionin e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut (1946), rakorduar në Këshillin Ekonomik dhe Social, i cili ishte organi kryesor ndërqeveritar i Kombeve të Bashkuara, përgjegjës për të drejtat e njeriut.

Këshilli i të Drejtave të Njeriut, me qendër në Gjenevë, është organ qeveritar brenda sistemit të Kombeve të Bashkuara i përbërë nga 47 shtete, të cilat zgjidhen nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, përgjegjëse për promovimin dhe mbrojtjen e të gjitha të drejtave të njeriut në të gjithë globin. KDNJ ka aftësinë të diskutojë të gjitha çështjet tematike të lidhura me të drejtat e njeriut dhe situatat që kërkojnë vëmendjen e Këshillit gjatë gjithë vitit.

Dita ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut festohet çdo vit më 10 dhjetor, datë që përkon me 10 dhjetorin e vitit 1948, kur Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut.

Shqipëria dhe KDNJ

Shqipëria, pas tre vjetësh të sukseshme si anëtare e KDNJ-së, 2015-2017, aktualisht është me statusin e vëzhguesit dhe ka arritur të ruajë një nivel të lartë përfaqësimi falë një koordinimi pozitiv dhe një dinamike të re të organizimit dhe mbikëqyrjes së veprimtarive të KDNJ. Gjatë sesionit KDNJ43 (shkurt 2020), në Segmentin e Nivelit të Lartë, vendi ynë u përfaqësua në nivelin e Zëvendës Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme.

MEPJ realizon veprimtarinë e saj për të garantuar rolin aktiv të vendit në kuadër të KDNJ, në zbatim të prioriteteve kyçe të RSH-së, në lidhje me respektimin dhe promovimin e të drejtave të njeriut, përmes pjesëmarrjes aktive në sesionet e KDNJ-së dhe mbajtjes së deklaratave në kapacitet kombëtar, pajtimit me deklaratat e BE-së, bashkëpunimit dhe zhvillimit të negociatave joformale në procesin e rritjes së efikasitetit dhe reformimit të KDNJ-së, etj.