Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës dërgoi për herë të parë vëzhgues në Shqipëri në zgjedhjet e pranverës së vitit 1991, të cilat shënojnë fillimin e demokracisë parlamentare pluraliste në vend. Në vijim të konkluzioneve të misionit vëzhgues, si dhe të zhvillimeve të mëvonshme politike, parlamentit shqiptar ju dha statusi i “të ftuarit të veçantë” në KiE, më 25 nëntor 1991.

Nga prilli i vitit 1991 deri në shtator të vitit 1993 u ndërtua kuadri ligjor për zhvillimin e demokracisë me anë të tetë ligjeve të një karakteri kushtetues, të cilat përmbanin dhe një listë me të drejtat e njeriut dhe liritë themelore, pas konsultimeve me ekspertë ndërkombëtarë. Këto ligje siguruan ndërtimin e një republike parlamentare dhe ndarjen e pushteteve.

Më 4 maj 1992, Shqipëria bëri kërkesë zyrtare për t’u bërë pjesë e Këshillit të Evropës. Me anë të Rezolutës (92)9, të datës 21 maj 1992, Komiteti i Ministrave te KiE i kërkoi Asamblesë Parlamentare të jepte një opinion në përputhje me Rezolutën e Statutit (51) 30 A.

Nga maji 1992, Komitetet e Asamblesë dhe Raportuesit e tyre zhvilluan disa vizita të njëpasnjëshme në vend.

Në janar 1993 filloi zbatimi i një programi bashkëpunimi, i organizuar nga Komisioni Evropian dhe Këshilli i Evropës, në fushat e të drejtave të njeriut dhe të shtetit të së drejtës. Programi trajtoi midis të tjerash përgatitjen e gjykatësve, avokatëve dhe policisë, reformën në prokurori, në sistemin gjyqësor, në Ministrinë e Drejtësisë dhe në burgje; hartimin e kodit civil dhe penal dhe kodet e procedurave përkatëse.

Asambleja vlerësoi se Shqipëria ishte në gjendje dhe e gatshme të përmbushë kushtet për anëtarësi në Këshillin e Evropës, sipas përcaktimit të nenit 3: “Çdo anëtar i Këshillit të Evropës duhet të pranojë parimet e shtetit ligjor dhe parimin se çdo person nën juridiksionin e tij, gëzon të njëjtat të drejta njerëzore dhe liri themelore, dhe të bashkëpunojë sinqerisht dhe efektivisht për realizimin e qëllimeve të tij”.

Duke nënkuptuar se Shqipëria i interpreton njëlloj me të angazhimet që ka marrë, siç përcaktohen në paragrafët 13 dhe 16 të Statutit, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës shprehu një Opinion të favorshëm (Opinioni nr. 189, 1995), për pranimin e kërkesës për anëtarësim nga ana e Shqipërisë.

Te trembëdhjetë pikat e Opinionit 189 (1995) të Asamblesë Parlamentare përbëjnë bazën e detyrimeve dhe angazhimeve të ndërmarra nga shteti shqiptar në kuadër të anëtarësimit në KiE. Deri më sot Shqipëria ka përmbushur pothuajse të gjitha këto angazhime.

Shqipëria ka nënshkruar dhe ratifikuar 89 nga traktatet e Këshillit të Evropës dhe në 7 shkurt 2020, është bërë anëtare me të drejta të plota e Konventës për Përpunimin e Farmakopesë Evropiane.

Aktivitetet e ndërmarra ndërmjet Këshillit të Evropës dhe autoriteteve shqiptare janë një shenjë pozitive e aftësisë për të ecur përpara së bashku.

Kontributi i Misionit të Përhershëm të Republikës së Shqipërisë pranë Këshillit të Evropës, i parlamentarëve të vendit tonë pranë Asamblesë Parlamentare te Këshillit të Evropës dhe të tjerëve në Strasburg, janë dëshmi e rolit aktiv që Shqipëria luan në përmirësimin e standardeve në kontinentin tonë.

Kryesimi nga Shqipëria i Komitetit të Ministrave të KiE-s (23 maj-9 nëntor 2012)

Në periudhën 23 maj – 9 nëntor 2012, Republika e Shqipërisë kryesoi Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës për herë të parë, që prej anëtarësimit të saj. Për të mbështetur dhe promovuar vlerat themelore të organizatës, Kryesia shqiptare u përqendrua në këto prioritete:

1. Promovimi i shoqërive demokratike të qëndrueshme; 2. Forcimi i demokracisë në nivel lokal dhe rajonal; 3. Forcimi i shtetit të së drejtës në Evropë; 4. Vazhdimi i reformës politike të organizatës; 5. Garantimi i funksionimit afatgjatë të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut; 6. Stimulimi i dialogut në nivel ndërinstitucional dhe në nivel organizatash ndërkombëtare.