Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, ka marrë pjesë në mëngjesin e punës të Kartës SHBA-Adriatik (A-5) me temë “Ballkani Perëndimor i sigurt, i qëndrueshëm, i integruar – mision (i pa)i mundur”, organizuar nga Ministri i Jashtëm i RMV, Bujar Osmani.

Ministri Hasani theksoi se A5 mbetet një aktor i rëndësishëm në ruajtjen e perspektivës euro-atlantike të rajonit, teksa ripërsëriti thirrjen që Kosova duhet të jetë pjesë e Kartës.

“Për të qenë plotësisht e suksesshme, Karta duhet të respektojë plotësisht natyrën e saj të hapur. Kjo nënkupton zgjerimin e saj me ato vende të rajonit që janë politikisht të gatshëm t’i përmbahen nismës. Pra, ne besojmë se në mënyrë që kjo iniciativë të mbetet e shëndetshme dhe e qëndrueshme, nuk duhet të lejojmë që ajo të mbetet peng i pozicioneve nacionaliste dhe duhet të zgjidhim urgjentisht këtë nyjë”, tha ai.

Karta SHBA-Adriatik (A5) mbetet si forum unik i bashkëpunimit rajonal dhe është e vetmja iniciativë rajonale e sigurisë që përfshin Shtetet e Bashkuara.