Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, priti në takim Ministrin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Holandës, Stef Blok.

Ministri Bushati falënderoi homologun holandez për bashkëpunimin e qëndrueshëm dypalësh si dhe mbështetjen e vazhdueshme që Holanda ka ofruar në refomat kyçe me fokus integrimin e vendit në BE, ku konkretisht, ekspertë holandezë janë pjesë e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, i ngritur për të mbikëqyrur procesin e vetingut të anëtarëve të gjyqësorit në Shqipëri.

Ministri Bushati vurin theksin në faktin se Shqipëria dhe Holanda janë bashkësponsorizuese të shumë konventave me fokus respektimin e lirisë dhe të drejtave kryesore të njeriut, në kuadër të organizmave të rëndësishëm ndërkombëtarë si NATO, OSBE, OKB, etj.

“Në një pjesë të mirë të rezolutave, të cilat sponsorizohen nga organizatat ndërkombëtare, sidomos në suazën e OKB-së, rezoluta që kanë lidhje me Liritë dhe të Drejtat Themelore të Njeriut, Holanda dhe Shqipëria janë bashkë-sponsorizuese, që është tregues i qartë i pikëpamjeve të ngjashme që dy vendet tona ndajnë për Sundimin e së Drejtës dhe për Liritë dhe të Drejtat Themelore të Njeriut” theksoi ministri Bushati.

Ministri Blok u shpreh i impresionuar nga ndryshimet dhe procesi i reformave në vendin tonë. Ai theksoi angazhimin e vendit të tij për të thelluar bashkëpunimin me Shqipërinë, duke ripohuar se Holanda mbështet rrugën evropiane të Shqipërisë, bazuar në një proces të besueshëm e konstant reformash që sigurojnë vijueshmërinë e avancimit të mëtejshëm të vendit.

Të dy ministrat vlerësuan rritjen e bashkëpunimit ekonomik mes vendeve tona dhe u angazhuan për më shumë bashkëpunim për plotësimin e kuadrit ligjor, bashkëpunim ekonomik, me qëllim shfrytëzimin e potencialeve në rritje që ofron vendi ynë.

 

Konferencë e përbashkët për shtyp e ministrit të MEPJ, Ditmir Bushati dhe homologut holandez, Stef Blok

Fjala e Ministrit Ditmir Bushati

Mirëdita!

Mirëpres sot në Tiranë kolegun holandez, Stef Blok, në këtë vizitë në Shqipëri, e cila mendoj është mjaft e frytshme për të diskutuar, jo vetëm për bashkëpunimin dypalësh, por edhe për ecurinë e reformave të vendit tonë në kuadër të procesit të Integrimit Evropian.  Në të shkuarën, së bashku me Stefin, ne kemi pasur një komunikim të vazhdueshëm, sidomos në vigjilje të vendimit të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në qershorin e kaluar, përsa i përket procesit të bisedimeve të pritshme për antarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Dua të falënderoj Stefin, Holandën, për të gjithë programet që ka zbatuar dhe zbaton në Shqipëri dhe në vendet e Ballkanit Perëndimor, kryesisht programet në fushën e Sundimit të së Drejtës në Ekonomi, mbështetjen që Holanda i ka dhënë vendit tonë përsa i përket Reformës në Drejtësi.

Kujtoj këtu edhe Burimet Njerëzore të atashuara pranë trupës së gjyqtarëve ndërkombëtarë, që ndihmojnë ekspertët shqiptarë për procesin e Vettingut. Gjithashtu programet e drejtësisë të komisionuara nga Bashkimi Evropian, ku ka ekspertë holandezë që japin kontributin e tyre, krahas programeve të tjera që agjencia apo qeveria holandeze zbaton në fushat e ndryshme të zhvillimit ekonomik të vendit.

Dua ta falënderoj gjithashtu Holandën për mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë përsa i përket drejtimit të OSBE-së për në vitin 2020 dhe bashkëpunimit të konsoliduar në organizatat ndërkombëtare. Në media dhe në opinionin publik harrohet një fakt i cili është i pakundërshtueshëm. Në një pjesë të mirë të rezolutave, të cilat sponsorizohen në organizatat ndërkombëtare, sidomos në suazën e OKB-së, rezoluta që kanë lidhje me liritë dhe Të Drejtat Themelore të Njeriut, Holanda dhe Shqipëria janë bashkë-sponsorizuese, që është tregues i qartë i pikëpamjeve të ngjashme që dy vendet tona ndajnë për Sundimin e së Drejtës dhe për Liritë dhe të Drejtat Themelore të Njeriut.

Ne jemi besimplotë që bashkëpunimin do ta forcojmë në të ardhmen, për të përmirësuar më tej imazhin e vendit tonë, për të komunikuar më mirë ecurinë e reformave që ndërmarrim në Shqipëri, edhe për opinionin publik në Holandë dhe për të bashkëpunuar së bashku në mënyrë që të përmbushim një e nga një të gjitha detyrimet dhe të gjitha reformat që do të mundësonin fillimin e bisedimeve për anëtarësim të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Siç jam përpjekur për ta thënë disa herë gjatë bashkëpunimit të shkëlqyer që kemi pasur me Stefin, kur vjen puna për vende si Shqipëria, Evropa është një ideal, Evropa është një projekt, Evropa është një nevojshmëri për të gjithë gamën e reformave që vendi ynë duhet të ndërmarrë.

Faleminderit!

Fjala për ju…

 

Fjala e Ministrit Stef Blok

Jam shumë i lumtur që jam në Shqipëri për të zhvilluar takim me disa përfaqësues të shtetit shqiptar. Holanda dhe Shqipëria kanë marrëdhënie shumë të forta bashkëpunimi. Ne kemi qenë partnerë aktivë të Shqipërisë në shumë fusha që në fillim të viteve 90 dhe po shohim që këto marrëdhënie po vijojnë të rriten. Ka disa shoqëri tregtare të mëdha që janë aktive në Shqipëri dhe Holanda është një nga vendet që ka investuar shumë në ekonomi.

Holanda është angazhuar dhe përkushtuar për perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe sipas mendimit tim, shteti dhe demokracia qëndrojnë në vlerat qendrore të BE-së dhe ne shikojmë që qeveria e Shqipërisë është fuqimisht e angazhuar në këtë fushë dhe po kryen hapa serioze. Shqipëria ka ndërmarrë një sërë reformash, siç është ngritja e institucioneve të reja dhe procesi i Vettingut.

Është e rëndësishme që të ruhet fokusi tek konsolidimi i reformave të tjera shtesë për të ecur më përpara në vendosjen e një historiku të qëndrueshëm dhe të pakontestueshëm për luftën kundër krimit të organizuar dhe fushave të tjera të rëndësishme. Kjo ka qenë një nga temat kryesore të diskutimit këtu sot. Tema të tjera kanë përfshirë migrimin dhe përpjekjet e vazhdueshme të Shqipërisë për t’i dekurajuar njerëzit që të drejtohen në BE për të kërkuar azil.

Dua ta përsëris edhe një herë që orvatje të tilla nga njerëzit, do të jenë të pafrikshme thuajse në të gjitha rastet dhe le të punojmë së bashku me Shqipërinë për ta luftuar këtë dukuri. Gjithashtu, dua të falënderoj autoritetet shqiptare për kthimin e personave të tillë, për bashkëpunimin policor dhe për luftën kundër krimit të organizuar. Shqipëria ka bërë hapa të mëdha në shumë fusha siç është reforma e gjyqësorit, përmirësimi i klimës në investime apo mbrojtjet edhe të të drejtave të njeriut apo dhe reforma në fushën administrative.

Holanda vazhdon të jetë e gatshme ta mbështesë Shqipërinë në rrugën e integrimit në BE dhe me kënaqësi do ta vijojmë këtë bashkëpunim edhe në të ardhmen.

 

Pyetje nga gazetarët

Pyetje: Si do të vepronit ju në qoftë se Këshilli Evropian do të vendoste për mos hapjen e negociatave në vendin tuaj, a do të jepnit ju dorëheqjen në atë moment?

Dhe pyetja e dytë ka të bëjë me një kërkesë nga anëtarët e parlamentit holandez për të investiguar rastet ku në Shqipëri janë zhvilluar tendera të prokurimeve publike të ndershme . A i keni pyetur ju autoritetet shqiptare për këto raste dhe a pritet një përgjigje për parlamentin holandez nga ju në tre javët në vazhdim?

Ministri Blok:  Në traditën parlamentare holandeze, pyetjet janë pjesë e procesit të përditshëm pra, pyetjet që i drejtohen qeverisë. Gjithmonë deputetët bëjnë shumë e shumë pyetje çdo vit dhe kjo është faktikisht mënyra normale se si parlamenti ynë më mbikëqyr mua dhe kolegët tanë. Pra, nuk është se bëhet fjalë për një rast të veçante apo ndonjë interes të veçantë për sa i përket parlamentarëve për Shqipërinë. Këto pyetje janë pjesë e mënyrës së tyre normale. Pra, pyetjet që bëjnë këta deputetë sa i takon investimeve publike në Shqipëri, ku sa di unë janë të përfshira fondet e BE-së dhe prandaj ka lindur ky interes sepse në fondet e BE-së përfshihen edhe paratë e tatimpaguesve holandezë. Ne sapo i kemi marrë këto pyetje dhe padyshim do t’i përgjigjemi atyre, do të jemi në kontakt me nëpunësit civilë holandezë edhe në Holandë edhe në Shqipëri.

Pyetje: Për sa i përket pyetjes së parë, kishte të bënte me vendimin e muajit Qershor. Cili do të jetë qëndrimi juaj? Pra, nëse do të ketë një votë kundër hapjes së negociatave në vendin tuaj ?

Ministri Blok: Ne ramë dakord Qershorin e kaluar që të marrim një raport të ri nga Komisioni Evropian këtë verë sa i takon progresit që do bëjë Shqipëria dhe për të parë nëse ky progres do të jetë i mjaftueshëm për të çelur bisedimet për anëtarësim. Sigurisht, pa pasur këtë raport në dorë unë nuk mund të them asgjë sa i takon vendimit tonë përfundimtar sepse nëse duam të jemi të drejtë e të ndershëm, duam të shikojmë progress. Unë e thashë dhe në fjalimin tim që Shqipëria është e angazhuar dhe e përkushtuar në këtë proces por gjithmonë duhet matur me progresin konkret.

Pyetje: Desha të pyes për dëbimin e gazetarit holandez në Turqi. A do të marrë ndonjë masë qeveria holandeze deri në dëbimin e ambasadorit turk në Holandë ?

Pyetja e dytë: A i është afruar ndopak Shqipëria marrjes së vendimit pozitiv këtë vit?

Një pyetje për zotin Bushati: A prisni një trajtim të diferencuar nga Holanda për të votuar në favor të hapjes së negociatave?

Ministri Blok: Sa i takon pyetjes tuaj për dëbimin e gazetarit holandez në Turqi, Ministria e Punëve të Jashtme ka qenë në kontakt me Ministrinë e Punëve të Jashtme në Turqi. Dje i kemi ofruar dhe ne asistencën tonë gazetarit në fjalë. Vazhdojmë të jemi në kontakte të ngushta lidhur me arsyet që kanë çuar në këtë dëbim.

Për sa i takon pyetjes suaj sa i takon negociatave për anëtarësim. Unë sa e përmenda, i’u përgjigja pyetjes së kolegut tuaj shqiptar. Për t’ju përgjigjur një pyetjeje të tillë duhet të presim Komisionin, raportin e Komisionit Evropian. Sa i takon progresit që ka bërë Shqipëria, pa pasur një raport të tillë në dorë unë nuk mund të gjykoj nëse ka pasur ose jo një progres të vazhdueshëm. Vendet e Ulta përpiqen të vlerësojnë me drejtësi çdo vend si Shqipëria por dhe çdo vend tjetër sa i takon fillimit të negociatave dhe vlerësimi ynë do të mbështetet gjithmonë në proces të dukshëm që duhet të jetë i qëndrueshëm në kohë, duhet të jetë bindës dhe na duhet ta shikojmë këtë proces para se të merren hapa të tjerë.

Faleminderit.

Ministri Bushati: Rregullat e lojës në këtë proces janë të qarta. E kam thënë disa herë që nuk presim një trajtim të diferencuar. Komisioni Evropian ka bërë rekomandimin. Këshilli ka vendosur në qershor një kalendar të qartë. Detyrat gjithashtu janë të qarta. Besoj se është bërë një progres i madh përsa i përket reformave në fushën e sundimit të së drejtës në ekonomi. Çdo proces reformash shoqërohet dhe me sfida më të mëdha dhe unë jam shpresë plotë që Komisioni Evropian dhe vendet anëtare, mbi bazën e logjikës dhe vendimit të qershorit të 2018-ës, do t’i hapin dritën e gjelbër nisjes së bisedimeve për anëtarësimin.

Pyetje: Shqipëria ka ndërmarrë një nga reformat më të forta në sistemin e drejtësisë në të gjithë Evropën ndërkohë që Holanda vijon të jetë pak e padrejtë me vendosjen e vetos. A ju duket pak i tepruar ky qëndrim i Holandës kundrejt Shqipërisë pasi nuk është hera e parë që Holanda, edhe pse thotë fjalë të mira kur ministrat vijnë këtu ose përpara, kur vjen puna te votimi është kundër. Nuk e kuptojmë qëndrimin tuaj!

Ndërsa për ministrin Bushati, ndoshta kjo është konferenca juaj e fundit për shtyp zoti Ministër. Presim vendimin e Presidentit. Në këto pesë vite e gjysmë, cila është gjëja që ju keni bërë gabim ose një deklaratë që keni bërë gabim dhe do e tërhiqni nëse do ishit në kohë? Faleminderit.

Ministri Blok: Sa i takon vendimit holandez lidhur me dëshirën shqiptare për të nisur negociatat, deklaratat që ne bëjmë në publik janë të njëjtat që ndajmë edhe në Këshillin Evropian të Ministrave. Ne jemi të angazhuar dhe të përkushtuar për perspektivën Evropiane të Shqipërisë. E kam përsëritur disa here. Por, në bazë të procesit të dukshëm dhe konkret është i njëjti mesazh që u kam dhënë dhe vendeve të tjera aspiruese. Bashkimi Evropian është bashkimi i vlerave dhe një prej vlerave më të rëndësishme është shteti ligjor. Sundimi i ligjit është vlera e të drejtave të njeriut kështu që është mëse logjike që unë të përdor të njëjtat kritere dhe për shtetet anëtare aktuale dhe për ato aspiruese dhe nuk po bëjmë gjë tjetër veçse ketë. Jemi shumë të përkushtuar që ta ndihmojmë Shqipërinë të bëjë progress. Kemi parë progres mbresëlënës por duam që të shikojmë që secili vend aspirues të arrijë më tej.

Ministri Bushati: Duhet të kem bërë më shumë se sa një gabim, por periudha e reflektimit ende s’ka filluar. Të garantoj që do të jetë e plotë.