Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Zv. Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Agron Tare, ka pritur një grup të rinjsh të qendrës rinore dhe organizatës shqiptare, (HANA), me qendër në Lezhë, të cilët kanë kryer një vizitë në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, në kuadër të programit të shkollës dimërore, “Hyrje në Politikë dhe Integrimi Evropian”, me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Qeverisë së Luksemburgut.

Njohja me politikat zhvillimore që hartohen e zbatohen nga Ministria, mënyra si ministria tejçon vlerat e integrimit Evropian përmes programeve të saj, politikat e strategjive për rininë, çfarë presin ata nga anëtarësimi në BE, çfarë pritet të ndryshojë integrimi për shqiptarët në tërësi, proceset e vendimmarrjes brenda MEPJ por edhe BE-së, angazhimi i të rinjve në politikëbërje, etj, ishin disa nga temat e trajtuara në këtë takim.

Duke ndarë përvojën e tij si diplomat dhe drejtues i MEPJ, zv. Ministri Tare paraqiti një ekspoze të shkurtër rreth hapave të kryera deri tani nga MEPJ në drejtim të zbatimit të politikave të qeverisë për hapjen e negociatave, duke theksuar se, “vokacioni i politikës së jashtme dhe e ardhmja e Shqipërisë, është në BE”.

Integrimi i Shqipërisë, sipas tij është dinamik dhe MEPJ po punon intensivisht për të zbatuar politikat e qeverisë. Sipas Zv. Ministrit Tare, Shqipëria duhet të jetë pjesë e BE-së, jo me lobim, por vetëm me meritë dhe se ajo i ka plotësuar të gjitha kushtet për hapjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare.

Me interes për të rinjtë ishte edhe përthithja e tyre në radhët e Shërbimit Diplomatik, mënyrë që sipas Zv. Ministrit Tare është bazuar në metodën e meritokracisë. Në fjalën e tij, Zv. Ministri Tare i inkurajoi të rinjtë të investojnë në vendin e tyre, të angazhohen në politikëbërje, si një mënyrë për të rregulluar të gabuarën e kryer, në vend që të “ikin” prej saj.

Në këtë takim, u trajtua gjerësisht edhe mënyra e përthithjes së investimeve të huaja në Shqipëri, ku Zv. Ministri Tare ndau eksperiencën e tij si Konsull i Përgjithshëm në Stamboll. Ai u shpreh se një rëndësi të veçantë në këtë drejtim duhet t’i kushtohet cilësisë së projekteve.