Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati priti në një vizitë zyrtare në Tiranë Ministrin e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Heiko Maas.

Vizita e Ministrit Maas përkon dhe me 31 vjetorin e nënshkrimit të Protokollit të Bashkëpunimit Ekonomik për Zhvillim mes dy vendeve dhe në këtë kontekst u ekspozuan dhe materiale arkivore nga fondi i arkivit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Ministri Bushati vlerësoi marrëdhënien e çmuar dhe të pazëvendësueshme që vendi ynë ka më RFGJ si në planin dypalësh ashtu edhe në atë rajonal e shumëpalësh. Ai falënderoi për mbështetjen e pakushtëzuar të Qeverisë federale gjermane, në procesin e vështirë të implementimit të reformave për më shumë demokraci, shtet ligjor dhe mirëqeverisje, duke siguruar për vendosmërinë e Qeverisë shqiptare për t’i çuar më tej ato.

Ministri Bushati shprehu mirënjohje për vëmendjen e RFGJ jo vetëm për Shqipërinë, por në tërësi për Ballkanin Perëndimor, çka dëshmon rëndësinë gjeopolitike dhe gjeostrategjike që ka rajoni ynë, veçanërisht në këto kohë të turbullta të rendit ndërkombëtar.

Ministri i Jashtëm gjerman shprehu vlerësim për guximin dhe reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare të orientuara nga integrimi evropian i vendit, duke theksuar se Gjermania është e gatshme të vazhdojë ta mbështesë më tej Shqipërinë në këtë rrugë.

Mbështetja dhe promovimi nga Gjermania i perspektivës evropiane të Shqipërisë motivohet edhe nga roli i saj konstruktiv për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. BE dhe Ballkani Perëndimor duhet të qëndrojnë së bashku brenda një Evrope të Bashkuar.

Konferenca për shtyp e dy ministrave të Jashtëm, Bushati – Maas

Fjala e ministrit, Ditmir Bushati:

Përshëndetje të gjithëve,

Më lejoni t’i uroj mirëseardhjen në Tiranë, Shqipëri, ministrit të Punëve të Jashtme të Gjermanisë, kolegut dhe mikut Heiko Maas, me të cilin, ne patëm mundësi për të marrë në shqyrtim marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet dy vendeve tona dhe para se të fillonim këtë komunikim me median, gjithashtu patëm mundësi për të vizituar edhe ekspozitën e përgatitur nga ekipi i ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme që pasqyron, le të themi, në vija të përgjithshme dhe në kuadër të 31 vjetorit të nënshkrimit të Protokollit të Bashkëpunimit Ekonomik ndërmjet dy vendeve tona, dinamikën e kësaj marrëdhënieje. Më lejoni gjithashtu publikisht të ritheksoj se për Shqipërinë, marrëdhënia e partneritetit me Gjermaninë është e çmuar, është e pazëvendësueshme qoftë në planin dypalësh, ashtu edhe për çështjet që lidhen me reformat e shtetndërtimit dhe shtetkonsolidimit demokratik, ç’ka i kanë mundësuar vendit tonë jo vetëm të jetë anëtar i NATO-s, por të jetë një vend kandidat për në Bashkimin Evropian dhe në pritje të fillimit të bisedimeve për anëtarësim. E kemi vlerësuar dhe e vlerësojmë partneritetin me Gjermaninë edhe në momentet më kritike të reformave, sidomos në fushën e sundimit të së drejtës dhe kemi rënë dakord për të projektuar rrugë të reja të bashkëpunimit në kushtet kur Shqipëria bëhet gati për të filluar procesin mjaft sfidues të bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian. E kemi çmuar mbështetjen e pakushtëzuar të Gjermanisë në këtë drejtim siç jemi koshient që rruga drejt fillimit të bisedimeve për anëtarësim dhe vetë procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian nuk do të jetë një proces aspak i lehtë për ne. Do të jetë një e përpjetë për ne e cila, do të duhet në çdo moment të shoqërohet edhe me arritje konkrete. Në këtë kontekst, kemi diskutuar me ministrin Maas për të gjitha reformat që kemi ndërmarrë për procesin e vettingut i cili ka dhënë disa shembuj mjaft inkurajues në instancat më të larta të gjyqësorit dhe prokurorisë për sfidat që na presin për sa i përket konsolidimit të luftës kundër korrupsionit dhe kundër krimit të organizuar, për përpjekjet që bën Shqipëria për sa i përket respektimit të standardeve ndërkombëtare në fushën e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut me një theks të posaçëm tek mbrojtja e pakicave kombëtare. Kemi diskutuar gjithashtu edhe për sa i përket zhvillimeve në rajon, duke qenë se vetë ministri Maas sapo vjen nga një vizitë në Shkup. Unë kam pasur mundësinë që të isha javës së shkuar në Shkup dhe në Prishtinë dhe natyrisht që ndajmë pikëpamjen që një votë pro referendumit në Shkup, do të ishte një shpresë e madhe për të gjitha përpjekjet që bëhen për zbatimin e marrëveshjes së Prespës dhe për derën e hapur që fqinji ynë ka në NATO.

Gjithashtu, diskutuam edhe për sfidat e sigurisë me të cilat në përballemi këtu në rajonin tonë, me rolin e aktorëve të ndryshëm në rajon dhe më nevojën për të pasur një vëmendje edhe më të shtuar jo vetëm të Gjermanisë, e cila njihet për peshën specifike dhe për rolin që ka në Bashkimin Evropian dhe që projektohet edhe në Shqipëri edhe në rajonin tonë, por të të gjithë Bashkimit Evropian, sidomos në këto kohë disi të turbullta me të cilat po përballet përgjithësisht rendi ndërkombëtar apo shtyllat kryesore të rendit ndërkombëtar.
Dua ta falënderoj edhe një herë tjetër për këtë vizitë edhe për faktin që ka zgjedhur një ditë të veçantë që ka qenë rastësi në kalendar e që përkon me ditëlindjen e tij e t’i uroj publikisht shëndet, mbarësi dhe u bëfsh edhe 100 vjeç!
Faleminderit!

Fjala e ministrit të Jashtëm gjerman, Heiko Maas:

Ju faleminderit!

Ju faleminderit Ditmir për pritjen mjaft të përzemërt këtu në Tiranë.

Nuk kanë kaluar as gjashtë javë kur jemi takuar në Berlin herën e fundit dhe kjo bën të qartë sigurisht që Shqipëria për ne, është një partner qëndror në Ballkanin Perëndimor me të gjitha ç’ka ne kemi për të përballur si sfida të përbashkëta. Gjithsesi, këto biseda tregojnë pra vlerësimin tonë për këtë rol dhe vlerësimin për mua në rolin si ministër i Jashtëm të cilat kanë qënë vërtët mjaft ndihmuese. Për ne është mjaft mbresëlënëse të konstatojmë se me çfarë entuziasmi të rinjtë e këtij vendi apo këtij rajoni, presin dhe mirëpresin vlerat e Bashkimit Evropian.
Do të kishte qenë një entuziasëm i cili do të na duhej edhe ne brenda për brenda Bashkimit Evropian, ç’ka do të thjeshtësonte sigurisht një proces apo një tjetër. Gjithashtu, në qershor të këtij viti u mor një vendim në kuadër të Bashkimit Evropian, pikërisht një vendim orientues për sa i përket fillimit të mundshëm të bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë duke nisur prej vitit 2019. Është një vendim i cili tregon gjithashtu vlerësim për reformat që janë ndërmarrë në vitet e fundit në Shqipëri dhe mendoj që ka qenë vërtet një angazhim mjaft energjik, politik, tepër kurajoz përmes të cilit shumë ç’ka është realizuar, jo domosdoshmërisht ka qenë e thjeshtë dhe për këtë, Shqipëria mund të jetë mjaft krenare.
Në të njëjtën kohë, sikurse e dimë, shtetet anëtare të Bashkimit Evropian kanë bërë gjithashtu të qartë që qershori i vitit 2019 nuk do të jetë një automatizim përsa i përket nisjes apo çeljes së bisedimeve të anëtarësimit. Kriteret për këtë janë të hapura dhe të qarta, të ditura dhe të qarta, pra, duhet të ekzistojnë hapa për rezultate të tjera përsa i përket reformave në mënyrë të tillë që të mund të bindim edhe të gjithë ata që janë disi skeptikë për sa i përket këtij procesi. Bëhet fjalë më së shumti për konsolidimin e shtetit ligjor apo pavarësinë e sistemit të drejtësisë. Unë jam tepër optimist që do të ecim përpara në këtë rrugë dhe në ditët e fundit Shqipëria ka dalë, më duhet të them, përmes reformës së sistemit të drejtësisë që të bëjë një hap vërtet tepër gjigand në këtë drejtim, nëpërmjet të cilit janë verifikuar gjykatës apo prokurorë dhe kjo është një detyrë apo një arritje e cila do të vendosë kritere edhe përtej vendit tuaj, pra në të gjithë rajonin dhe mendoj që është një rrugë që do të ndikojë sigurisht edhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Ne do të vazhdojmë të mbështesim më tej Shqipërinë në këto reforma.

I dashur Ditmir! Ju mund të vazhdoni të mbështeteni te Gjermania në pjesën tjetër të rrugës suaj. Ne e dimë të gjithë që procesi i reformave mund të jetë një rrugë e dhimbshme, ndoshta dhe me pengesa, por jam i bindur që për të gjithë ne do t’ja vlejë në fund të ditës që pikërisht të shfrytëzojmë shanset që na jepen për t’u afruar me njëri-tjetrin dhe perspektiva e anëtarësimit është më afër se kurrë.
Shpresoj që së bashku t’ja dalim!

Pyetje nga gazetarët

“Süddeutsche Zeitung”: Pyetje për Ministrin Bushati: Perspektiva e anëtarësimit të Shqipërisë perceptohet në popullsinë gjermane, por edhe në Bundestag me një farë skepticizmi. Prisni më tepër mbështetje nga Qeveria Federale pikërisht për të ecur më shpejtë në këtë rrugë?
Pyetje për ministrin Maas: Z. Maassen, drejtues i shërbimeve të brendshme në Gjermani u pushua nga puna. Një shpjegim ndoshta lidhur me këtë fakt?

Ministri Bushati: Raporti me Gjermaninë, mendoj se është një raport i drejtë dhe i ndershëm dhe në këtë kontekst, mbështetja nga Gjermania nuk ka munguar asnjëherë qoftë në identifikimin e çështjeve kritike të cilat kanë nevojë për t’u adresuar, çështje përgjithësisht lidhur me sundimin e së drejtës në ekonomi dhe në këtë kontekst unë dua të nënvizoj ndihmën që ka dhënë Gjermania edhe në kuadër bilateral përmes Gizit.
Një pjesë të mirë të legjislacionit shqiptar dhe të reformës institucionale në sektorë vitalë janë kryer falë mbështetjes së ekspertizës gjermane, kryesisht halokuar nga Gizi , përveç asaj që ndodh brenda Bashkimit Evropian. Në kuptimin politik, ekonomik dhe njerëzor, ne e kemi ndjerë dhe e ndjejmë ndihmën gjermane e cila është e pa tjetërsueshme, e pa zëvendësueshme , sidomos në procesin e integrimit evropian. Natyrisht, Bundestagu është një shtëpi ku ka një debat shumë të gjallë siç janë përgjithësisht parlamentet kudo në botë, ka zëra kritikë, ka zëra skeptikë, është një skepticizëm i mirëkuptueshëm sepse në fund të ditës, është një luftë që ne bëjmë përkundrejt një imazhi i cili vijon të jetë i cënuar jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe në këtë kontekst, ne do të vijojmë të punojmë jo vetëm me qeverinë dhe Bundestagun, por dhe me fondacionet gjermane që janë prezente këtu, pavarësisht lidhjeve me subjekte të ndryshme politike, me median gjermane për të përmirësuar sado që të jetë e mundur imazhin tonë si Shqipëri dhe për të komunikuar mirë procesin e reformave. Por natyrisht, aty ku ka dështim apo ku nuk ka rezultate, për të mos hezituar për t’i pranuar si të tilla, na intereson që këtë marrëdhënie ta mbajmë të ndershme dhe mbi baza të një partneriteti ku partnerët të kuptojnë njëri-jetrin qoftë dhe për vështirësitë që kanë.

Ministri Heiko Maas: Them dhe unë diçka rreth kësaj sepse ne kemi pasur një diskutim rreth kësaj çështjeje në qeverinë federale dhe në Bundestag. Sigurisht, cila është perspektiva Evropiane, pra e Ballkanit Perëndimor, kjo jo vetëm është një perspektivë reale por kjo është e domosdoshme dhe mendoj që në muajt e fundit, pikërisht në fazë paraprake, para se të merrej vendimi i Këshillit, kemi bashkëpunuar me të gjithë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian në mënyrë të angazhuar, pikërisht në mbështetje të kësaj perspektive pozitive anëtarësimi. Kjo do të thotë që nga njëra anë, ne kemi kërkesa të caktuara për sa i përket procesit të reformave referuar Shqipërisë dhe Maqedonisë. Këto vende e kanë merituar që të marrin një perspektivë të besueshme kredibël, pra, anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe këtë e mbështes në mënyrë konseguente.

Për sa i përket çështjes së zotit Masen, kjo është një çështje të cilën unë nuk do të doja ta prekja apo t’i përgjigjesha jashtë kufijve të vendit. Kjo është një çështje për të cilën është marrë një vendim. Mendoj se kemi marr vendimin e duhur brenda për brenda Qeverisë Federale në mënyre që njerëzit brenda për brenda Gjermanisë të kenë kujdesin e duhur për sa i përket parametrave të domosdoshëm.

Në gjithë këto ditë ne jemi përpjekur edhe në skenën ndërkombëtare që të japim kontributin tonë që edhe njerëzve të cilët janë në nevojë, t’u jepet ndihma e duhur në mënyrë që ata mos të përballen me nevoja të qenësishme për jetën. Ky është një mision që ne e bëjmë me të gjithë energjinë tonë dhe pavarësisht përceptimit publik, mendoj që ky është fakt përsa i përket angazhimit të Qeverisë Federale. Është e rëndësishme që këtyre detyrave t’u përkushtohemi me angazhimin e plotë dhe angazhimin e duhur.

TV Klan: Pyetja e parë për ministrin Gjerman: Gjermania duket sikur është pozicionuar shumë qartë kundër një marrëveshjeje Kosovë-Serbi që do të kishte brenda korrigjimin e kufijve ndërkohë që duket se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara janë disi më fleksibël. Pse ky pozicionim dhe si e shikoni ju një marrëveshje që do të linte të kënaqura edhe palët por edhe nuk do të krijonte destabilitet në Rajonin e Ballkanit.
Dhe një pyetje për Ministrin Bushati. Zoti Bushati, a i druhet Qeveria një mundësie që në qershor të vitit të ardhshëm, kur do të analizohen të gjitha hapat që Shqipëria ka bërë për procesin e integrimit, të rikthehet fjalia e famshme: “Ka munguar dialogu politik”? A po diskutohet që t’i ofrohet një pakt opozitës, sepse duket se pozicioni i saj është shumë i qartë. Edhe pse nuk ka një bojkot zyrtar në parlament ajo po mungon në seancat plenare dhe në komisione. Do të ketë një pakt siç tha edhe Kryeministri Rama, që do t’i ofrohet opozitës pikërisht për të shmangur këtë?

Ministri Mass: Përsa i përket çështjes së korrigjimit të kufijve, sikurse u përmend këtu, javët e shkuara ne kemi zhvilluar biseda të ndryshme edhe me përfaqësues të vendeve të Rajonit dhe shumë shpesh është thënë që ekziston frika që të mbërrihet në shkëmbimin e zonave, po themi midis Kosovës dhe Serbisë. Ekziston gjithashtu edhe frika e një efekti domino. Është një frikë që ne e kemi perceptuar dhe kjo do të luajë sigurisht edhe një rol përsa i përket qëndrimit të Qeverisë Federale në këtë drejtim. Prandaj dhe ne, në një farë mënyrë jemi skeptikë dhe diskretë lidhur me këtë pikë. Kjo është një çështje e cila do të duhej të sqarohej dhe sigurisht, të merej një vendim lidhur me këtë. Por të sqarohet dhe të zgjidhet në mënyrë të tillë që të mos shkaktohen probleme të tjera shtesë, përveç atyre që janë. Nëse korrigjimi i kufijve do të jetë pjesë e kësaj zgjidhjeje, përkundrejt saj ne jemi sikurse e thashë, skeptikë edhe të përmbajtur.

Ministri Bushati: Po. Ka një ofertë nga ana e Kryeministrit dhe nga ana e Qeverisë shqiptare drejtuar opozitës në lidhje me ato çështje që konsiderohen çështje të përbashkëta të cilat korrespondojnë me agjendën e integrimit evropian, pra, që nuk prekin as linjat problematike të formacioneve të ndryshme politike që ne përfaqësojmë. Ka një ofertë në tavolinë për të vijuar, për të mbështetur pa hezitim procesin e vetingut në të gjithë trupën e gjyqësorit dhe të prokurorisë. Sikundër siç edhe ju e keni raportuar në media, qoftë edhe nga anëtarë të ndryshëm apo fraksione të Budenstangut Gjerman, kërkohen disa numra të caktuar në procesin e vetingut për të kuptuar apo për të arritur në përfundimin që procesi i reformës në drejtësi e ka arritur pikën e moskthimit mbrapsht. Po kështu, ka një ofertë konkrete në tavolinë në lidhje me përfundimin e reformës zgjedhore, duke qenë se vitin tjetër Shqipëria do të hyjë në zgjedhjet vendore. Ka një vullnet edhe dashamirësi edhe nga vendet e ndryshme, përfshirë këtu edhe rolin e Qeverisë Federale, ambasadës në Tiranë dhe Fondacioneve politike për ta mbështetur këtë proces me ekspertizë. Përveçse rolit të patjetërsueshëm të ODIHR, si ministër i Punëve të Jashtme i kam shkruar një letër para shumë kohësh ODIHR, ku i ftoj të jenë pjesë e këtij grupi bipartizan që është krijuar në parlament, në mënyrë që të kthehen të gjitha rekomandimet e ODIHR në ligj apo akte të ndryshme normative.

Po ka gjithashtu një ofertë të qartë në tavolinë për opozitën përsa i përket ndërtimit të një strategjie afatmesme dhe afatgjatë, se si do të shërohet nga plagët sistemi i drejtësisë. E kam fjalën për t’i dhënë jetë shkollës së Magjistraturës, për të sjellë magjiastratë të rinj në radhët e sistemit gyqësor.

Po, ka një disponueshmëri të plotë nga ana jonë për të diksutuar për çdo çështje që mendohet se është e interesit të përbashkët. Dialogu dhe thirrjet për bashkëpunim nuk do të mungojnë. Sikundër nga ana tjetër, jemi të vendosur për të vijuar me procesin e reformave. Procesi i reformave është mjaft mirë i vizituar në konkluzionet e këshillit të qershorit për vijimësinë dhe konsolidimin e arritjeve në fushëm e reformës në Drejtësi. Sdifat që kemi para në luftën kundër krimit të organizuar, nuk janë sfida vetëm për policinë e shtetit, institucionet tona të sigurisë apo instucionet ligj-zbatuese sepse bashkëpunojmë edhe me partnerë të tjerë rajonalë dhe elementë të cilët unë i përmenda qoftë për rolin pozitiv e konstruktiv që luan Shqipëria në rajon dhe bashkëpunimin me fqinjët. Të gjitha këto çështje përbëjnë paketën e masave që ne e kemi si bukën e përditshme në tavolinën tonë dhe po punojmë në mënyrë që në qershor të vitit tjetër ne, të fillojmë procesin dhe më të vështirë se ky që kemi tani, të bisedimeve për anëtarësim. Procesi screning sapo të nisë javën e ardhshme do të jetë mundësi e mirë për armatën e teknicienëve për të mbajtur të motivuar, të kyçur me të gjitha detyrimet që burojnë nga procesi i adaptimit të legjislacionit tonë me atë të BE.

(DË): Muajt e fundit jeni duke bërë kampionin e një Europe të bashkuar dhe ju keni deklaruar se Europa nuk mund të shihet e ndarë në rajone, Europa është vetëm një. Në vijim të këtij qëndrimi ministri Maas, a parashikohen instrumenta, mekanizma, politika që ky qëndrim të jetësohet në përpjekje konkrete, krahas strategjisë së zgjerimit dhe mesazheve që sapo dhatë në këtë konferencë?

Ministri Maas: Unë jam plotësisht i bindur që nëse Europa kërkon të përballet me sfidat, përsa i përket interesave të saj që kërkon t’i realizojë edhe përkundrejt Kinës, Rusisë apo shteteve të tjera, atëherë ne kemi nevojë për një Evropë të bashkuar dhe për këtë përpiqemi. Kjo nuk është gjithmonë e thjeshtë. Çështje të tilla si emigracioni, mendoj se do të duhet të zgjidheshin sa më shpejt që të ishte e mundur, duke u përpjekur që gjithë shtetet të marrin përgjegjësitë e tyre përsa i përket menaxhimit të kësaj krize në luftën kundër shkaqeve, të këtyre lëvizjeve emigratore. Për këtë kemi nevojë një zgjidhje të mjaftueshme. Ne dëshirojmë të bashkëpunojmë sigurisht, me të gjithë parnterët tanë të Evropës Lindore dhe përtej kufijve të BE. Sikundër është iniciativa e tre detrave, ku Gjermania nuk ka qenë pjesë më parë, por në të ardhmen do të marrë pjesë në mënyrë të tillë që të mund t’i japë peshën e duhur interesave të saj edhe përkundrejt fqinjëve të saj lindorë. Në këtë kontekst, unë jam plotësisht i bindur se nuk duhet të lejojmë që Europa të ndahet në rajone të klasit të parë apo të dytë, por ne kemi nevojë për një Europë të bashkuar dhe besoj se duhet të angazhohemi në të gjitha fushat politike në mënyrë të tillë që të përballëmi siç duhet me këtë sfidë. Dhe kjo do të jetë prioritet i ministrisë së Jashtme dhe në vitet e ardhshme.

Faleminderit!