Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Mirëmëngjes të gjithëve,

Duke përfituar nga prania e pjesëmarrësve në këtë Akademi, e kolegëve të mi Klajda dhe Elisi që janë këtu, ambasadorëve të pranishëm, dua të them disa fjalë shkurt në lidhje me këtë proces nisur nga funksioni aktual që mbaj por edhe nga një lloj eksperience praktike që nga viti 2003, kur Bashkimi Evropian  ishte në një situatë krejt të ndryshme nga ajo që është sot dhe kur u shënuan hapat e fundit të zgjerimit  të madh të 2004-s. Natyrisht këto hapa, në një mënyrë a një tjetër nxiteshin nga një vullnet i qartë politik i Bashkimit Evropian asokohe, i materializuar në Strategjinë e Zgjerimit të vitit 2000 dhe në instrumente të qartë të karakterit institucional dhe financiar. E them këtë, sepse për të gjithë ne këtu është shumë e rëndësishme të kuptojmë që është shumë e vështirë  që procesi i zgjerimit të ndodhë në kushtet e një mungese të qartë të vullnetit politik. Vullneti i qartë politik demonstrohet apo materializohet në ofrimin e instrumenteve përkatëse që mund ta bëjnë të mundur procesin e zgjerimit.

Ndonëse sot nuk është më entuziazmi i 2004-s brenda Bashkimit Evropian për procesin  e zgjerimit,  ndonëse sot nuk është me i njëjti vrull që Evropa kishte në 2004-ën, pavarësisht se vendet tona në Ballkanin Perëndimor apo vendet e Evropës Qëndrore dhe Lindore kanë stade të ndryshme të zhvillimit, të gjitha në një mënyrë a një tjetër, vinin nga një eksperiencë e hidhur komuniste. Është fakt që sot projekti i Bashkimit Evropian është një projekt i pakonkurrueshëm nga një alternativë tjetër. Së dyti, është gjithashtu fakt që mua më duket deri diku paradoskal se, në rast  se u referohemi të gjitha studimeve të opinionit  publik, ky është një model disa herë ndoshta me atraktiv për shoqëritë tona në vendet e Ballkanit Perëndimor, sesa edhe në vetë vendet e Bashkimit Evropian. Pra, qytetarët e rajonit tonë e shohin si një  model zhvillimi, si një model atraktiv më shumë sesa edhe vetë qytetarët që janë pjesë e Bashkimit Evropian dhe kjo është për ne një pikënisje e mirë për t’u përqendruar në stadin e reformave dhe çështjet qe janë të një rëndësie parësore.

Siç dihet, më 6 shkurt, Komisioni Evropian publikoi Strategjinë e Zgjerimit. Ka pasur një debat dhe qëndrime të ndryshme për një dokument të tillë që është në fakt një dokument i rëndësishëm, po ia vlen të theksojmë, se ky është një dokument  i parë i Komisionit Evropian që prej Samitit të Selanikut të 2003-it. Pra, për herë të parë pas shumë vitesh diskutohet në një dokument me nota më strategjike për Ballkanin Perëndimor dhe fjalët kyçe “transformim, proces zgjerimi dhe konsolidim i reformave” janë të ndërlidhura me njëra – tjetrën. Po kështu, në këtë dokument përcaktohen 6 fusha prioritare që nga çështje të sundimit të së drejtës që janë çështje mbizotëruese për shoqëritë tona, por jo vetëm, edhe për një pjesë të vetë vendeve anëtare të Bashkimit Evropian e deri tek çështjet që kanë të bëjnë  me ndërlidhshmërinë, mobilitetin, çështje që në radhë të parë do ta transformojnë rajonin tonë në një rajon në kuptimin e vërtetë të fjalës, pra, do ta ndërlidhin atë me pjesën tjetër të Bashkimit Evropian. Ky  është një dokument i mirë, një pikënisje e mirë, si edhe një material që agregon eksperiencën e deritanishme qoftë në procesin e Berlinit, qoftë në procesin e vendeve që janë duke negociuar procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, si edhe vendet që janë në prag të fillimit të bisedimit për anëtarësim. Ai krijon  një mundësi të mirë për t’u ulur së bashku me Komisionin Evropian  dhe me vendet anëtare, fillimisht në Samitin e Sofjes, si edhe në takime të tjera për ta materializuar dhe detajuar me tej këtë platformë. Ajo i krijon një horizont vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Çështja e dytë që besoj ia vlen të ndalemi tek pjesa e Strategjisë së Zgjerimit është debati steril rreth datave. E thashë dhe pak më parë se Strategjia ofron një horizont, sipas të cilit, secili prej vendeve dhe vendet të gjitha së bashku kanë mundësi për të shfrytëzuar instrumentet në funksion të perspektivës së tyre të zgjerimit. Pra nuk është një çështje date. Debati për datat është përgjithësisht debat që çfokuson thelbin e çështjes. Datat janë të rëndësishme, sepse motivojnë vendet për të ecur përpara me procesin e reformave. Ne të gjithë kemi qenë studentë dhe e dimë shumë mirë që nëse nuk do të kishte një afat për të dorëzuar një “paper” apo n.q.s. nuk do të kishte afat për të dhënë një provim etj., nuk ka një shtysë. Pra, data apo horizonti duhet të konsiderohet dhe lexohet nga ana jonë si një shtysë, por jo si një qëllim në vetvete.

Pjesë gjithashtu e rëndësishme e Strategjisë është thirrja e qartë që bën Komisioni Evropian për t’u fokusuar tek procesi i reformave, ku reformat në sundimin e së drejtës, në fushat që lidhen me sundimin e së drejtës, natyrisht kanë një përparësi. Unë jam përpjekur ta them këtë edhe në takimin e Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare dhe të vendeve kandidate që këto janë reforma të rëndësishme. Por, reformat në fushën e sundimit të së drejtës nuk mund të konsiderohen të izoluara nga një zhvillim i qëndrueshëm ekonomik dhe po ashtu, zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik nuk mund të jetë i tillë, në rast se nuk ka reforma në fushën e sundimit të së drejtës. Prandaj, është e rëndësishme për BE-në dhe për Ballkanin Perëndimor, duke qenë se këto janë tema të cilat prekin të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor që të vendosin të dy këto komponentë të Strategjisë së Zgjerimit dhe njëkohësisht dy komponentë të rrugës sonë drejt BE-së, në një barazpeshë sa më të mirë.

Veçantia tjetër që besoj duhet ta kemi në vëmendje është fakti që në rajon ka ende mosmarrëveshje dypalëshe që lidhen me çështjet e njohjeve, të shtetësisë, me bashkëpunimin për sa i përket tribunaleve ndërkombëtare si edhe me çështje që kanë të bëjnë me përkatësinë apo jo evropiane në veprime konkrete. E kam fjalën tek linjzimi p.sh. i politikës së jashtme me atë të Bashkimit Evropian. Këto janë çështje specifike, patate të nxehta, të cilat, gjithashtu kur vjen puna tek debati për datat, do të duhet të mbahen parasysh, sepse Strategjia, pak a shumë, nxjerr mësime nga të gjitha proceset e tjera të zgjerimit, duke vendosur zgjidhjen apo trajtimin e çështjeve dypalëshe, të mosmarrëveshjeve nga vetë vendet qoftë me njëra – tjetrën, qoftë me vende anëtare të BE-së në një moment para se këto vende të anëtarësohen. Atë që pak a shumë vetë BE-ja e thotë, eksportimin dhe importimin e stabilitetit në një rast të tillë.

Pjesa tjetër e rëndësishme që ka të bëjë me këtë Strategji është lidhja e saj me Strategjinë globale të BE-së të 2016-ës. Në 2016-ën, BE-ja, në Strategjinë që prezantoi përfaqësuesja e lartë e politikës së jashtme, Mogherini, e përcaktoi Ballkanin Perëndimor si një rajon të një rëndësie strategjike, për të gjithë arkitekturën e sigurisë së BE-së. Kjo vinte edhe për shkak të ndërveprimit që BE-ja kishte pasur me Ballkanin Perëndimor në çështjet e sigurisë, të përballimit të krizës së refugjatëve, të ekstremizmit të dhunshëm e shumë çështje të tjera. Dhe kur lexojmë Strategjinë që është publikuar para dy javëve,  ajo konfirmon këtë qëndrim, në fakt konstant të BE-së. Megjithatë, nga ana tjetër, është e rëndësishme që  Strategjia të jetë e kompletuar dhe e detajuar edhe me elementët që kanë të bëjnë qoftë me instrumentet financiarë, qoftë me perspektivën e ardhshme 7-vjeçare të Bashkimit Evropian. Ne e dimë shumë mirë se BE-ja nuk është një “cash machine”, po e dimë gjithashtu se procesi i zgjerimit nuk mund të ndodhë në rast se nuk kombinohen elementët për të cilat u përpoqa të flas.

Pika e fundit ka të bëjë me gatishmërinë e BE-së. Është e qartë që jemi në një fazë diskutimesh, kur po përpiqet të ndërrohet marshi i shpejtësisë në raport me vendet e Ballkanit Perëndimor, edhe në kushtet kur Ballkani Perëndimor, përgjithësisht ka qenë një tabelë shahu apo një tryezë shahu për rivalitete të ndryshme gjeopolitike të aktorëve të ndryshëm. Në këtë kontekst, është shumë e rëndësishme të kuptojmë se nuk mund të ketë një hartë tË plotë të gjithë Evropës, në rast se nuk konkretizohet perspektiva e anëtarësimit në BE. Mjafton të shohim hartat e konektivitetit sot, të cilat mbërrijnë deri në Slloveni dhe pak në Kroaci, më pas ka një boshllëk të frikshëm ku gjenden 6 shtetet e Ballkanit Perëndimor, për të shkuar në Greqi. Kjo nuk ka të bëjë fare as me stigmat e ndryshme që shpesh tentojnë të jenë mbizotëruese në debatin për të ardhmen e Evropës apo për zgjerimin, por kjo është një çështje në rend të parë e karakterit strategjik, është një domosdoshmëri strategjike për ta ndërlidhur të gjithë Evropën edhe nga pikëpamja e konceptit të sigurisë, për të vijuar më pas me konceptin e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik.

Dy fjalë dua të them përsa i përket Shqipërisë dhe përsa i përket asaj çka ne presim në periudhën në vijim. Natyrisht, Strategjia e Zgjerimit është një hap, siç e thashë, pozitiv edhe përsa i përket vlerësimit që bën për 6 vendet e Ballkanit Perëndimor në mënyrë individuale. Ne besojmë se në prill Komisioni Evropian do të rekomandojë fillimin e bisedimeve për anëtarësim të Shqipërisë bazuar edhe në rekomandimin e 2016-s, në logjikën e vendeve anëtare, në mbështetjen që i dhanë përqasjes së Komisionit më 2016-ën, kur i përcaktuan shumë mirë hapat që kishte ndërmarrë Shqipëria dhe rrugën që duhet të merrte në vijim.

Nuk ka asnjë të dhënë për pakënaqësi pavarësisht se procesi i reformave në fushën e sundimit të së drejtës po ecën. Nuk diskutohet që procesi i fillimit të bisedimeve për anëtarësim për ne do të jetë një proces edhe më imponues edhe më kërkues, dhe natyrisht që e konsiderojmë 2018-n si një dritare të artë për një vendimmarrje për fillimin e bisedimeve për anëtarësim. Për të shkuar më tej tek roli i qeverisë apo roli i instancave të tjetra që janë të kyçura në këtë proces siç thonë vëllezërit tanë nga Kosova, (meqenëse është dhe Venera këtu). Me instanca tjera apo me organizma të tjera mund të them që është e vërtetë që qeveria është aktori kryesor që negocion, meqë ditët e fundit kanë lindur spekulime se kush negocion në emër të Republikës së Shqipërisë. Si në çdo vend të botës mund të them që në emër të Republikës së Shqipërisë negocion qeveria dhe nuk është një rast “sui generis”,  por është një praktikë e cila rrjedh qartësisht nga Konventa e Vjenës mbi të drejtën e traktateve. Po kështu, qeveria e ka të nevojshme, e ka të domosdoshme dhe është proces organik, sidomos në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, të ndërtojë kanale të qarta komunikimi, konsultimi me aktorët e shoqërisë civile.

Ka disa instanca të rëndësishme që janë ngritur këto vite, siç është Këshilli Kombëtar i Integrimit Evropian, ku aktorët politikë parlamentarë, por jo vetëm, përfaqësues të Presidentit të Republikës, përfaqësues të shoqërisë civile, përfaqësues të komunitetit të biznesit, përfaqësues të Akademisë së Shkencave, janë pjesëmarrës. Me kalimin e kohës, në momentin që ne do të përfshihemi në procesin e negociatave për anëtarësim, në Këshill, natyrisht do të shkohet për t’u konsultuar dhe dakordësuar për pozicionin negociues që do të mbajë shteti shqiptar në procesin e negociatave për anëtarësim.

Sikundër grupet që do të merren me procesin e negocimit në kuptimin strikt institucional do të jenë përfaqësues të instancave qeveritare apo instancave shtetërore që preken nga zbatimi i detyrimeve për kapitujt respektivë. Ne jemi ende në procesin parafinal të platformës. Ne e dimë shumë mirë që për kushtet e çdo vendi përfshirë edhe Shqipërinë, kapacitetet apo burimet njerëzore janë në disa raste më të konsoliduara në sektorin privat apo në sektorin jo fitimprurës dhe do të ishim shumë të hapur për të ndërtuar skuadra fleksibël, kur ne kemi mundësi për të përthithur ekspertizën dhe njohurinë më të mirë  që kemi në këtë proces.

Dua ta them krejt hapur, sepse nuk ka diçka për të fshehur. Që në ditën e parë kur të paktën unë jam marrë me këtë process, kam arritur të kuptoj se nuk do të negociojmë diçka me Bashkimin Evropian, por do të duhet të negociojmë afatet brenda të cilave marrim përsipër të zbatojmë të drejtat dhe detyrimet e caktuara, sepse është një proces përgjithësisht i njëkahshëm, përsa i përket detyrimeve që duhen të zbatohen në praktikë dhe përsa i përket përmbushjes së këtyre standardeve.

Prandaj, duke përfunduar, dua t’ju them që ka shumë punë për të gjithë, do të ketë fronte pune dhe bashkëpunimi. Kjo nuk do të thotë se do të zgjerojmë qeverinë, por do të zgjerojmë gamën e ndërveprimit mes aktorëve që përfaqësojnë qeverinë apo institucione të ndryshme dhe shoqërisë civile apo grupeve të interesit për të kuptuar shumë më mirë edhe burimet që do të kemi nga ky proces, por edhe për të zbatuar këto të drejta dhe detyrime sa më mirë në praktikë, në mënyrë që të kemi efekt të drejtpërdrejtë tek jeta e qytetarëve të zakonshëm të këtij vendi.

Faleminderit!