Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Të nderuar miq,

I nderuar Kryetar i Federatës së Futbollit,

Të nderuar lojtarë të Përfaqësueses Kombëtare të Futbollit,

 

Mirë se erdhët në atdhe,

Mirë se erdhët në Ministrinë e Punëve të Jashtme!

Kam nderin të mirëpres kombëtaren tonë, lojtarët e të cilës, me arritjen e tyre në Kampionatin Evropian, shkruan historinë e një Shqipërie me frymë evropiane, të qytetëruar dhe që di të luajë e ta shijojë futbollin.

Ju arritët ta ngrini Shqipërinë në një prej piedestaleve më të larta të imazhit sportiv botëror. Shpirti i sakrificës, loja në skuadër, besimi te vetja dhe dedikimi i jashtëzakonshëm për t’i tejkaluar sfidat.  Këto janë mesazhi më i mirë për të treguar se i kemi të gjitha mundësitë për të përparuar si komb, jo vetëm në futboll.

Nuk ka fjalë të përshkruajnë krenarinë që ndjemë teksa shihnim lojën dhe dyluftimet tuaja: vrapimet e Lenjanit, vendosmërinë e Ajetit, saktësinë e Mavrajt, sakrifikimin e Sadikut, vizionin e Memushajt, ecejaket e De Biasit, dhe në veçanti –sjelljen shembullore të sportdashësve shqiptarë, e cila gjeti jehonë edhe në mediat botërore.

 

Djema,

Rrugëtimi juaj drejt Francës, ka qenë njëkohësisht edhe rrugëtimi i të gjithë shqiptarëve, me mendje e zemër, bashkë me ju, drejt Evropës.

Ju arritët të bëni atë që politika e ka tabu. Përfaqësimin e denjë të të gjithë shqiptarëve, kudo që ndodhen, duke u shndërruar në Kombëtaren e të gjithë shqiptarëve.

Diplomacia ka shumë fytyra, ajo është ekonomike, publike, digjitale, energjetike e të tjera si këto. Por diplomacia mund të ushtrohet edhe nëpërmjet futbollit, dhe në këtë kuptim, ju keni dëshmuar se jeni ambasadorët e Shqipërisë në botë.

Kontributi juaj në përcjelljen e vlerave dhe imazhit të vërtetë të Shqipërisë e shqiptarëve në botë, është i paçmuar.

Në këtë kontekst, dëshiroj t’ju falënderoj edhe një herë për pjesëmarrjen tuaj aktive në konkursin “Colours of Albania” që MPJ organizon për të dytin vit radhazi. Ky konkurs, është një mundësi e mirë për të promovuar Shqipërinë, pa komplekse dhe pa drojë.

Edhe MPJ, pavarësisht se nuk luan futboll, në njëfarë mënyre, është e angazhuar në “evropianin tonë”. Përfitimi i statusit të vendit kandidat në 2013 ishte si kalimi i një faze kualifikuese. Tani na mbetet detyra e vështirë e hyrjes në Evropian – e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Dhe për këtë, nevojitet ndihma dhe kontributi i secilit prej nesh, duke marrë shembullin tuaj.

 

Të nderuar pjesëtarë të Kombëtares,

Ju nuk ishit vetëm dhe nuk do të jeni kurrë vetëm. Si fjalët në himnin e Liverpoolit “You will never walk alone” edhe ju djema, kurrë nuk do të ecni vetëm. Pas jush vjen një shqiptari e tërë.

Faleminderit që na përfaqësuat me dinjitet dhe na bëtë të ndjehemi krenarë!