Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

[metaslider id=”2513″]

 

I nderuar Kryeministër,

Kolegë Ministra dhe Deputetë,

Shkëlqesi ambasadorë,

Anëtarë të Ekipit të OKB-së në Shqipëri,

Zonja e Zotërinj,

 

Ju faleminderit të gjithëve për praninë tuaj këtu. Është kënaqësi e veçantë për mua që festojmë së bashku këtë ditë të veçantë.

Kjo është një prej atyre ditëve që shënohen në mbarë botën. Është dita që identifikon krijimin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, e cila lindi si një fije drite në mes të errësirës, kur bota sapo kishte përjetuar një prej katastrofave më të mëdha njerëzore, dhe po përjetonte ndarjen nga perdja e hekurt e Luftës së Ftohtë.

Një fjalë e urtë thotë se është më mirë të ndezësh një qiri se sa të mallkosh errësirën.

OKB-ja ishte pikërisht ndezja e një flake shprese për ndërtimin e një të ardhme më të mirë për mbarë botë. Ajo ishte mbase një nga arritjet më të mëdha të shekullit që lamë pas. Një përpjekje fisnike për të vendosur një rend të ri ndërkombëtar.

Shekspiri thoshte se e kaluara është prolog.

Në rastin e OKB-së, prologu është 7 dekada gjatë të cilave popujt e kombet e kanë shkruar historinë së bashku, me arritje dhe dështime, por gjithnjë me dëshirë e angazhim për një të ardhme më të mirë.

Por pavarësisht paqes së brishtë gjatë Luftës së Ftohtë, le të mos harrojmë luftërat civile të panumërta, vrasjet e shtetarëve si Gandi, Kenedi, Martin Luter King, Rabini, barbarinë e gulagëve dhe të regjimeve komuniste, tragjedinë në Hiroshima, kasaphanat në Kamboxhia dhe Nigeri, Indi dhe Pakistan, Irlandë dhe Ruanda, Eritrea dhe Etiopi, Bosnjë dhe Kosovë.

Sa shumë dhunë dhe sa shumë jetë njerëzish të humbura.

Me gjithë antagonizmin gjatë Luftës së Ftohtë dhe rrezikun e përhershëm të shfarosjes bërthamore, gjatë shekullit të kaluar bota njohu, gjithashtu, lëvizjet epokale për pavarësi, vullnetin e paepur për më shumë të drejta e emancipim njerëzor, rënien e aparteidit, kolapsin e komunizmit të simbolizuar nga rrëzimi i Murit të Berlinit dhe rilindjen e kombeve të gjysmës së dënuar të Evropës.

 

Zonja dhe Zotërinj,

Nuk ka mëdyshje: bota në shekullin e 21-të është më e mirë nga ajo e 70 viteve më parë, kur mbi rrënojat e Luftës së Dytë Botërore premtimi solemn “kurrë më!” krijoi Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Por, a na mjafton kjo?  A mjafton OKB-ja në formën e tanishme për t’i bërë ballë sfidave aktuale me të cilat përballet njerëzimi?

Po jetojmë në një periudhë kaotike si pasojë e ndryshimeve të imponuara nga kriza e rendit botëror.

Globalizimi dhe ndërveprimi, urbanizimi i pandalshëm, ndryshimet demografike në rritje, flukset migratore por edhe rreziqe të reja, siç janë ndryshimet klimatike dhe krimi kibernetik, janë vetëm disa nga simptomat e një bote ende në kërkim të një ekuilibri.

Bota që jetojmë sot nuk është e njëjtë me botën kur OKB-ja u themelua.

Kriza të tilla si Ukraina, pranvera arabe, ISIL-i dhe kaosi në Lindjen e Mesme, situata e paqëndrueshme financiare botërore, kanë dëmtuar qasjen shumëpalëshe të adresimit të konflikteve.

Këto kriza që deri dje ishin atje dhe larg, sot falë globalizimit, ndihen këtu dhe pranë.

Për vite me radhë bashkësia ndërkombëtare ka pasur në fokus asgjësimin e vatrave të terrorizmit. Sot fokusi ynë është zhvendosur në përballimin e pasojave të drejtpërdrejta të këtyre vatrave mbi Evropën dhe rajonin tonë.

Në veçanti, ajo çka po ndodh në Siri evokon për të gjithë një dramë njerëzore në përmasa katastrofike, një teatër të rrezikshëm ku përplasja e shumë aktorëve mund të ketë pasoja edhe më të mëdha.

Krizat në Siri, Irak dhe Libi kanë treguar më së miri se lufta kundër terrorizmit nuk mund të ketë sukses vetëm përmes ndërhyrjeve ushtarake, pa u shoqëruar nga një proces politik i qëndrueshëm.

Nëse do të mjaftonte një fakt i vetëm për të matur pulsin e sigurisë në botë, do të ishte ai i 128,000 njerëzve, pjesëtarë në operacionet paqeruajtëse dhe misionet politike të veçantë të OKB-së në botë.

Më shumë operacione se kurrë më parë, më të kushtueshme e më komplekse se ndonjëherë.

Besoj pajtohemi për nevojën urgjente për një reflektim të njëmendtë dhe për një bashkërendim të ngushtë, më efikas për t’i kthyer njerëzimit frymëmarrjen normale dhe vështrimin e besimin në të ardhmen e sigurt.

 

Zonja dhe zotërinj,

Viti 2015 shënon gjithashtu 60-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në familjen e madhe të OKB-së. Janë 6 dekada të ndara në dy epoka, në dy rrugëtime me kahe e shpejtësi të ndryshme.

Periudha e parë u shënjua nga vetëizolimi paranojak i regjimit komunist.

Ndërsa 25 vitet e fundit janë karakterizuar nga përpjekjet e pandalshme për një shtet-ndërtim demokratik dhe përcaktueshmëria perëndimore e shqiptarëve.

Ky rrugëtim e ka afirmuar vendin tonë në vijën e parë të aktorëve të përgjegjshëm e dinamikë, me një rol dhe një peshë të posaçme në rajon.

Tranzicioni ekonomik e social i vendit do të kishte qenë edhe më kompleks, edhe më i vështirë e më i gjatë nëse ne nuk do të kishim pasur vëmendjen dhe ndihmën bujare të miqve dhe partnerëve tanë, për çka ne do t’u jemi gjithnjë mirënjohës.

Në këtë kontekst dëshiroj të falënderoj secilën dhe secilin prej punonjësve të OKB-së që kanë punuar e bashkëpunuar ngushtë me ne për të realizuar objektivat e zhvillimit të vendit. Puna, angazhimi dhe kontributi juaj janë pjesë e asaj që ne kemi arritur.

Sot, aksioni i vendit tonë në OKB është i shtrirë në të gjithë spektrin e veprimtarisë së Organizatës. Shqipëria ka kontribuar me trupa ushtarake dhe policore në Misionet e OKB-së; është angazhuar në mënyrën më aktive të mundshme në mbështetje të reformës së ndihmës për zhvillim nëpërmjet zbatimit të modelit “Një OKB”.

Vitin e kaluar, për herë të parë në historinë e saj, Shqipëria u anëtarësua në Këshillin e të Drejtave të Njeriut. Kjo është dëshmi e qartë e suksesit të politikës sonë të jashtme dhe fryt i drejtpërdrejtë i bashkëpunimit me partnerët tanë.

Shqipëria është angazhuar në nxitjen e modeleve më të përparuara të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, duke ndarë eksperiencat pozitive dhe përvojën rrezatuese të një shoqërie tolerante në fjalë dhe në vepra.

Jo më pak i rëndësishëm është angazhimi i vendit tonë në UNESCO, në një agjenci me rëndësi specifike. Shqipëria ka pasur dhe ka një bashkëpunim të gjatë me UNESCO-n duke marrë pjesë në të gjitha programet e organizatës.

Butrinti, Berati dhe Gjirokastra, këngët tona polifonike, Ohri dhe Prespa na bëjnë krenarë dhe të përgjegjshëm për praninë tonë në Listat e Trashëgimive Botërore, Trashëgimisë Kulturore të Paprekshme dhe rezervave ndërkufitare të Biosferës.

Duke parë rëndësinë e veçantë të pjesëmarrjes në UNESCO, si një element me peshë në ndërtimin e shoqërive demokratike, Shqipëria mbështet fuqimisht anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Kosova e meriton anëtarësimin në UNESCO dhe Shqipëria do të vijojë të japë mbështetjen e pakursyer në këtë drejtim, në sintoni të plotë me partnerët tanë strategjike, të cilëve u jemi thellësisht mirënjohës.

Sepse paqja arrihet nëpërmjet bashkëpunimit dhe përfshirjes dhe jo nëpërmjet izolimit.

Mbështetja e Kosovës nga Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s, në fillim të nëntorit, do të përbente një mesazh inkurajues për procesin e normalizimit të mëtejshëm të marrëdhënieve në rajonin tonë, si dhe për ruajtjen e pasurisë kulturore të përbashkët të rajonit.

Por ambicia e Shqipërisë në OKB nuk kufizohet vetëm nga këto dy dimensione. Si vend anëtar i NATO-s, Shqipëria ka përgjegjësi të veçanta si kontribuues dhe prodhues i sigurisë në rajonin tonë.

Është kjo përgjegjësi që përbën thelbin e kandidaturës sonë për një vend jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për vitet 2022-2023. Kandidatura është manifestimi më konkret i gatishmërisë dhe aftësive tona për të kontribuar në mënyrë më të qenësishme për paqen dhe sigurinë në botë.

Shqipëria beson tek OKB-ja pavarësisht mangësive të saj dhe instrumenteve të kufizuara që ajo disponon. OKB-ja mbetet për ne një platformë e pazëvendësueshme për zgjidhjen e krizave, për respektimin e të drejtave të njeriut dhe për një vizion të përbashkët të zhvillimit të qëndrueshëm të planetit.

Ne nuk dëshirojmë që OKB-ja të shndërrohet në një forum debatesh të pafrytshme, ku anëtarët të pretendojnë të adresojnë problemet e vërteta pa kurrfarë llogaridhënie.

Prandaj mbështesim reformën e OKB-së me synimin për ta bërë atë më përfaqësuese dhe më efikase. Në këtë drejtim është i domosdoshëm debati mbi krijimin e mekanizmave të rinj dhe më fleksibël të vendimmarrjes në Këshillin e Sigurimit për parandalimin dhe zgjidhjen e krizave ndërkombëtare.

 

Zonja e Zotërinj,

Para pak javësh, Samiti i Zhvillimit të Qëndrueshëm në OKB kurorëzoi me sukses përpjekjen më të guximshme të ndërmarrë ndonjëherë.

Rëndësinë e punimeve në këtë samit Papa Francesku e përkufizoi me këto fjalë: “Shtëpia e përbashkët e të gjithë njerëzve duhet të vijojë të ngrihet mbi themelet e një kuptimi të drejtë të vëllazërisë universale dhe respektit ndaj shenjtërisë së çdo jete njerëzore”

Agjenda 2030 përkthen përgjegjshmërinë dhe gatishmërinë për rezultate konkrete. Është angazhimi ynë global se mirëqenia e të gjithë njerëzve është sfida e brezit tonë për zhvillim të qëndrueshëm.

Është angazhimi epokal për të mos lënë askënd pas, jo vetëm për ata që munden e dinë, por për të gjithë ata që janë në nevojë.

Siç e theksoi dhe Kryeministri Rama gjatë punimeve në Nju Jork: “agjenda 2030 ka qëllime ambicioze në fusha të ndryshme, ku padyshim përfshihen edhe çështja e pabarazive dhe fuqizimi i grave, gjë për të cilën Shqipëria ka hedhur hapa të rëndësishëm përpara dy vitet e fundit, duke u vlerësuar ndërkombëtarisht”.

Zhvillimi i qëndrueshëm në Shqipëri përkthehet në shumë aspekte, por kryefjala dhe kyçi i sukseseve tona do të përcaktohen nga reforma në drejtësi, sundimi i së drejtës në ekonomi, dhe ruajtja e mjedisit si domosdoshmëri për të ndërtuar një ekonomi konkurruese dhe një shoqëri të drejtë e solidare.

Për ne, realizimi me sukses i Agjendës së Zhvillimit të Qëndrueshëm, do të thotë se Shqipëria do të jetë një vend i konsoliduar i Bashkimit Evropian; një vend që do të jetë në gjendje të kontribuojë edhe më shumë në sigurinë rajonale e më gjerë.

 

Të dashur miq,

Artikulli i parë i Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut – “Të gjithë njerëzit lindin të lirë dhe të barabartë në dinjitet dhe në të drejta” – përcakton më së miri frymën e OKB-së.

Është pikërisht kjo frymë që na mbledh sot në këtë përvjetor të dyfishtë, e që do të na udhëheqë edhe në të ardhmen.

Ndaj ne besojmë tek OKB-ja, dhe me të drejtë. Kjo sepse OKB-ja përfaqëson shpresën e madhe në fuqinë e të punuarit së bashku.

Duke përfunduar, dëshiroj t’iu falënderoj në mënyrë të veçantë e dashur Zineb, për punën Tuaj të palodhur në shërbim të një Shqipërie sa më të mirë.

Falë kontributit Tuaj, aktiviteti i OKB-së në Shqipëri, përbën një shtysë dhe mbështetje të vërtetë për agjendën Evropiane të vendit tonë!

Ju faleminderit!