Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Z. President,
Komisioner i Lartë,
Shkëlqesi,
Zonja dhe Zotërinj,

Si fillim, më lejoni të përgëzoj Komisionerin e Lartë dhe Zyrën e tij për punën e palodhur dhe kontributin e vyer në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut në mbarë botën.

Si anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut, Shqipëria do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me vende që ndajnë të njëjtin vizion me të, në mbështetje të pavarësisë dhe integritetit të mandatit të Komisionerit të Lartë.

Gjatë vitit të kaluar, kemi kontribuar në mënyrë aktive në përpjekjet e Këshillit për të formësuar veprimin global mbi të drejtat e njeriut dhe kemi mbështetur rolin e tij si një trampolinë për identifikimin dhe adresimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut.

Gjithashtu, KDNJ-ja ka shprehur qartë në rezolutat e saj vendosmërinë për të promovuar lirinë e fesë, dënuar ekstremizmin e dhunshëm, përkrahur dhe mbrojtur të drejtat e njeriut të grupeve më të margjinalizuara dhe shoqërisë civile.

Nëpërmjet “gurit të saj më të çmuar” – Rishikimit Periodik Universal (UPR) – KDNJ-ja ofron një mjet të rëndësishëm për vetë-vlerësim mbi të drejtat e njeriut, si dhe një instrument efikas për të krijuar një mjedis të favorshëm për përmirësimin të prekshëm të gjendjes në terren.

Shqipëria mbetet thellësisht e shqetësuar për dhunën e vazhdueshme dhe përkeqësimin e situatave të të drejtave të njeriut në shumë anë të botës.

Njëkohësisht, jemi të përkushtuar për të bashkëpunuar me anëtarët e tjerë të KDNJ-së për të sjellë në vëmendje të Këshillit situatën e të drejtave të njeriut në zonat konfliktuale dhe për të avancuar në mbrojtjen e të drejtave të njeriut në këto zona.

Gjatë këtij sesioni, Shqipëria do të paraqesë një rezolutë të re për situatën e të drejtave të njeriut në Sudanin e Jugut dhe do të kërkojë mbështetjen e të gjitha vendeve.

Shkëlqesi,

Viti që po lëmë pas, na u duk si një vargan ngjarjesh të kobshme: masakrat e Boko Haramit në Nigeri, sulmi burracak kundër Charlie Hebdo, atentatet në Liban, Egjipt e Turqi, sulmet terroriste të nëntorit, sërish në Paris, etj. Këto akte barbare krijuan një gjeografi të re të pasigurisë kolektive, ndaj së cilës asnjë shtet nuk është imun.

Jemi dëshmitarë të një rritjeje të pashembullt të intolerancës fetare, ekstremizmit të dhunshëm, diskriminimit të përhapur dhe persekutimit të individëve që i përkasin feve, etnive dhe minoriteteve të tjera.  Diversiteti fetar dhe kulturor, në shumë anë të botës, është në rrezik.

Në një kontekst të tillë të vështirë, Shqipëria është krenare që është pjesë e grupit kryesor të Rezolutës për Parandalimin dhe Luftën Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm.

Ekziston një nevojë urgjente për të parandaluar dhe luftuar (këto janë vërtet dy gjëra të ndryshme) ekstremizmin e dhunshëm, duke miratuar një kuadër kuadër social gjithpërfshirës përmes fuqizimit të rinisë, grave, drejtuesve lokalë e fetarë dhe shoqërisë civile, duke u fokusuar tek zhvillimi dhe edukimi.

Siç ka thënë i ndjeri Boutros Boutros-Ghali: “E drejta për zhvillim është masa e respektimit të të gjithë të drejtave të tjera të njeriut.”

Nëntorin e kaluar, Shqipëria miratoi strategjinë kombëtare për të luftuar ekstremizmin e dhunshëm. Ajo ka për qëllim harmonizimin e energjive, në sajë të bashkëpunimit të udhëheqësve fetarë, për të parandaluar me sukses dhe luftuar ekstremizmin e dhunshëm, si dhe për të zbatuar më mirë detyrat që lidhen me mbrojtjen e sigurisë së brendshme dhe ndërkombëtare.

Megjithatë, suksesi ynë do të kushtëzohet edhe nga suksesi i fqinjëve tanë në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm.

Kjo është pikërisht arsyeja pse ne po themelojmë një Qendër Rajonale për Luftën Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm dhe një Zyrë Rajonale Bashkëpunimi për Rininë.

Ne duam që e ardhmja e bashkëpunimit tonë rajonal të bazohet në pranim dhe tolerancë, jo ksenofobi apo urrejtje. Në këtë mënyrë, kjo përpjekje e thjeshtë mund të jetë një instrument i fuqishëm për përmbushjen e objektivave të Rezolutës 2250 të Këshillit të Sigurisë mbi Rininë, Paqen dhe Sigurinë.

Shqipëria beson fuqimisht në lirinë e fesë dhe besimit, prandaj sheh me shqetësim të thellë rritjen e numrit të akteve të dhunës dhe intolerancës ndaj individëve mbi bazën e fesë apo besimit.

Si një njohje mbarë botërore e shembullit frymëzues të tolerancës fetare të Shqipërisë, vitin e kaluar, në 6-8 shtator, 2015, vendi im u zgjodh të organizonte konferencën ndërkombëtare: “Paqja është gjithmonë e mundur”.

Konferenca mblodhi pjesëmarrës nga mbi 60 vende të botës dhe nga një shumëllojshmëri fetare, ndërsa mesazhet kryesore i bënë jehonë thënies së Papa Françeskut, i cili vizitoi Shqipërinë në vitin 2014, se modeli fetar i bashkëjetesës paqësore nuk është një utopi, por krejtësisht i mundur, si në Shqipëri.

Zonja dhe zotërinj,

Në vitin 2015, kemi qenë dëshmitarë të pasojave të konflikteve në periferi të Evropës, kryesisht të valës së vazhdueshme të refugjatëve nga Afrika e Veriut dhe Lindja e Mesme.

Këta njerëz janë të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre dhe të ndërmarrin udhëtime të rrezikshme nëpër Mesdhe. Ata largohen nga vendet e prekura nga konfliktet, ku varfëria është e përhapur dhe të drejtat e njeriut shkelen në mënyrë sistematike.

Efektet e krizës së refugjatëve janë kanë qenë të ndjeshme në gjithë kontinentin evropian. Përgjatë vitit të kaluar, kemi qenë dëshmitarë të:

– Ngritjes së shqetësimeve legjitime mbi terrorizmin dhe emigrimin në masë
– Lindjes jo shumë legjitime të stereotipave negativë
– Rritjes së ekstremeve në të gjithë Evropën
– Rritjes së mosbesimit ndërmjet fqinjëve dhe aleatëve

Të gjitha këto në kurriz të bashkëpunimit ndër-kufitar dhe një përgjigjeje të njëzëshme.
Vërtet duket se ata njerëz të cilët janë larguar nga vendet ku të drejtat e njeriut shkelen, e gjejnë veten të ekspozuar ndaj rreziqeve të shkeljeve të tjera përgjatë rrugëtimit të tyre.

Ne duhet të rrisim përpjekjet tona për të mbrojtur të drejtat e njeriut të emigrantëve, bazuar në një qasje gjithëpërfshirëse e cila merr parasysh mbrojtjen e plotë të të drejtave të njeriut të emigrantëve, duke përfshirë vendet e origjinës, tranzitoret dhe të mbërritjes.

Shpreh bindjen se KDNJ-ja mund të na ndihmojë për të mos u mbërthyer ndërmjet vlerave të lirisë dhe solidaritetit nga njëra anë dhe politikave jo liberale të cilat po mjegullojnë debatet politike në kontinent nga ana tjetër.

Zonja dhe zotërinj,

Ky vit shënon 10 vjetorin e KDNJ-së dhe 50-vjetorin e dy Konventave më të rëndësishme ndërkombëtare mbi të drejtat e njeriut: Pakti Ndërkombëtar mbi të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore (ICESCR) dhe Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike (ICCPR).

Është e qartë, vetë Këshilli ka luajtur rol kyc në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut në mbarë botën, ndërkohë që këto dy pakte në ditët e sotme kanë dhënë një kontribut të prekshëm në përmirësimin e jetës së përditshme të individëve nga të gjitha qoshet e rruzullit tokësor, ndërsa ende ruajnë rëndësinë dhe domethënien e tyre.

Këto dy pakte shërbejnë si mjete jetike për të siguruar që liritë themelore mbështeten dhe promovohen në të gjithë botën, dhe përgjigja humanitare ndërkombëtare është dhënë në kohë gjatë periudhave të krizave.

Nga ana tjetër, këto dy pakte janë përdorur gjerësisht nga njerëzit për të mbajtur qeveritë e tyre të përgjegjshme për respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave civile, politike, ekonomike, sociale dhe kulturore.

Shqipëria është një ndër shtetet e angazhuara për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, dhe do të donte të shfrytëzonte këtë mundësi për t’u bërë thirrje shteteve të cilët nuk janë palë e këtyre dy pakteve, që t’i ratifikojnë ata sa më shpejt të jetë e mundur.

Faleminderit !