Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Të nderuar sipërmarrës,
Zonja dhe zotërinj,

Vitin e kaluar mora pjesë në festimin e 101 vjetorit të marrëdhënieve të shkëlqyera midis Shqipërisë dhe Austrisë. Janë jo pak, por mbi një shekull marrëdhënie miqësore, kohë gjatë së cilës Austria ka luajtur një rol të veçantë, që në gjenezën e shtetit shqiptar.

Që nga përpjekjet e Kont Leopold Berchtoldit, këtu e një shekull më parë, në mbështetje të pavarësisë së Shqipërisë, e deri te kontributi i jashtëzakonshëm i Franz Vranitzky-t, gjatë vitit të mbrapshtë ’97, Austria i ka qëndruar pranë Shqipërisë, në disa prej ditëve të saj më të vështira.

Prandaj dhe sot, me rastin e vizitës së Presidentit të Austrisë në vendin tonë, e shoh më se të natyrshme zhvillimin e një aktiviteti të tillë, sepse mendoj se mënyra më e mirë për t’i thelluar marrëdhëniet e ngushta midis dy vendeve tona, është promovimi dhe zhvillimi i mëtejshëm i marrëdhënieve ekonomike, i sipërmarrjes dhe investimeve.

Jam i bindur se takime të tilla janë mënyra më e mirë për të paraqitur para jush (investitorëve potencialë austriakë) mundësitë dhe avantazhet që Shqipëria ofron, për investime në fusha të ndryshme të ekonomisë.

Austria dhe sipërmarrësit austriakë i kanë kushtuar me kohë vëmendje Europës Juglindore dhe Shqipërisë për arsye historike, kulturore dhe natyrisht, edhe për faktin e përafrisë gjeografike. Për Shqipërinë e pasviteve ’90, Austria ka qenë një nga vendet që ka dhënë kontribut të veҫantë në fusha të ndryshme,
•    si në rimëkëmbjen e shtetit të së drejtës
•    në ngritjen e infrastrukturës bazë
•    në forcimin e strukturës institucionale
•    si dhe nëpërmjet investimeve të rëndësishme në sektorë të ekonomisë.

Ne e vlerësojmë rolin e Austrisë në kuadër të proceseve integruese në BE për Shqipërinë dhe më gjerë për rajonin. Ky rol ka qenë i rëndësishëm dhe pritet të forcohet edhe më tej duke marrë shkas nga prioriteti që Qeveria Austriake i ka dhënë projekteve për Ballkanin Perëndimor.

Në këtë pikë dëshiroj të theksoj se me interes të veçantë për Shqipërinë, por edhe për Rajonin, është eksperienca e madhe e Austrisë në drejtim të qëndrueshmërisë mjedisore dhe energjive të rinovueshme, si çështje të aktualitetit dhe me rëndësi të madhe për perspektivën zhvillimore socio-ekonomike të Ballkanit Perëndimor dhe për strukturimin e tregut energjetik në veçanti.

Gjithashtu, bashkëpunimi me Austrinë në fushën e qeverisjes së mirë është i një rëndësie të veçantë, sidomos në projektet e e-Government, që kanë si qëllim një shtet modern dhe novator në të cilin cilësia, besimi dhe shpejtësia janë elementët kryesor.

Prej më shumë se gjashtë vitesh, Austria bën pjesë në grupin e 5 vendeve me Investime të Huaja Direkte më të larta në vend.  Aktualisht në terma ekonomike në Shqipëri numërohen rreth 77 kompani austriake, që përfaqësojnë 2% të totalit të ndërmarrjeve të huaja dhe të përbashkëta. Ato janë të pranishme në sektorë kyç, duke përfshirë energjetikën, sistemin bankar, sektorin e sigurimeve, sektorin minerar dhe turizmin.

Por ka potenciale ende të pashfrytëzuar duke pasur parasysh avantazhet logjistike dhe burimet natyrore.
Në kuadrin e investimeve strategjike në Shqipëri, padyshim projekti i gazësjellësit TAP-it mbetet i një rëndësie të veҫantë. Sepse mbi të gjitha do të krijojnë sinergjinë pozitive ndërmjet Lindjes së Mesme dhe Europës. Ndërmjet Kaspikut dhe Adriatikut. Thënë ndryshe, do të jetë një projekt paqe dhe transformimi ekonomik e social.

Falë këtij projekti, Shqipëria do të sigurojë energji, do të gazifikohet e lidhet me rrjetin ndërkombëtar të transportit të gazit. Lidhja e gazsjellësit TAP me IAP do të shtojë sigurinë e energjisë për rajonin dhe mbarë Europën, si dhe do të krijojë mundësi të reja investimesh në Shqipëri për kompanitë austriake.

Jo më pak i rëndësishëm është hartimi i paketës fiskale për biznesin fason që rishtazi u prezantua nga qeveria. Paketa e re prej 42 masash mbështetëse fiskale dhe administrative për  industrinë e regjimit të përpunimit aktiv (fason) do ta kthejë këtë industri nga një industri modeste në gjeneruese të punësimit dhe zhvillimit ekonomik. Kjo është paketa e parë e mbështetjes për një sektor. Masat e kësaj paketë synojnë një përmirësim cilësor të eksporteve, një rritje me më shumë se 80 % dhe trefishimin e punëtorëve brenda tre viteve në vijim.

Një tjetër fushë me rëndësi të veçantë për Shqipërinë në drejtim të zhvillimit të sektorëve strategjikë është turizmi, i cili përbën një ‘konstante’ të bashkëpunimit shqiptaro-austriak.

 

Të nderuar sipërmarrës,

Investimet e huaja nuk mund të kuptohen pa krijimin e një klime të favorshme për biznesin. Pavarësisht vështirësive dhe sfidave me të cilat po përballet, qeveria shqiptare gjatë këtyre tetë muajve, ka marrë masat e para emergjente për frenimin e ngadalësimit ekonomik dhe për zhvillimin e një modeli të ri ekonomik që bazohet në rritje të qëndrueshme ekonomike.
Ky model i ri ekonomik shoqërohet para së gjithash me sundimin e ligjit në ekonomik, me një disiplinë të re fiskale, me luftë ndaj informalitetit, me nxitjen e prodhimit vendas dhe kthimin në faktorë rritjeje të burimeve natyrore të vendit. Duke patur këto parasysh disa nga prioritetet e qeverisë së re janë:
•    Taksimi i ndershëm,
•    mbështetja e sipërmarrjes, duke u përqendruar në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme,
•    garantimi i konkurrencës së lirë
•    dhe përgjegjshmëria në marrëdhëniet me komunitetin e biznesit.

Ne besojmë se potenciali i plotë i raporteve tregtare midis vendeve tona, nuk është arritur ende. Shqipëria ka shumë për të mësuar nga shembulli austriak në drejtim të shërbimit, diversifikimit, trajtimit të konsumatorëve,  natyrës dhe mjedisit në aspektin e zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm, si burim i rëndësishëm i pasurisë kombëtare.

Ndërsa mbetet ende shumë për të bërë, veçanërisht, në përthithjen e investimeve austriake në Shqipëri. Problematikat e bizneseve të huaja dhe atyre austriake në Shqipëri, janë nën fokusin e qeverisë shqiptare, e cila synon përmirësimin e gjendjes ekonomike në vend dhe krijimin e një klime të shëndetshme për tërheqjen e investimeve të huaja:
•    duke luftuar korrupsionin, krimin e organizuar dhe informalitetin në ekonomi,
•    duke adresuar çështjen e titujve pronësorë,
•    duke përmirësuar performancën e administratës tatimore dhe doganore,
•    dhe duke reformuar sistemin e rimbursimit të TVSH-së.

Këto janë reforma të rëndësishme për sundimin e së drejtës në ekonomi dhe parakusht për transformim demokratik të jetës në vend.

Një tjetër tregues që dëshmon më së miri vëmendjen e veçantë që qeveria tregon ndaj komunitetit të biznesit, është edhe krijimi i Këshillit Ekonomik nën drejtimin e Kryeministrit dhe me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve shtetërore dhe komunitetit të biznesit. Ky këshill nuk zëvendëson institucionet e shtetit të së drejtës, por është një instrument ndihmues, nëpërmjet të cilit, biznesi kanalizon pranë politikbërësve problematikat dhe shqetësimet që has.

Tashmë çdo sipërmarrje ka mundësi të “ankimit online” për procedurat ligjore dhe administrative, në faqen zyrtare të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, si dhe në faqen e Këshillit Ekonomik Kombëtar.

Pra, ekziston një angazhim serioz për të krijuar një sistem rregullator që lehtëson funksionimin e tregut dhe mbron interesat e publikut, një sistem që buron dhe administrohet nga institucione solide.

Ne kemi hedhur hapat e parë për rimëkëmbjen e rritjes ekonomike dhe jemi inkurajuar nga reagimi që kemi pasur nga institucione ndërkombëtare si Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore. Nënshkrimi i marrëveshjes me Fondin Monetar Ndërkombëtar për një program të ri, që do të na sigurojë likuiditetin e nevojshëm për të shlyer borxhet e prapambetura, sikurse edhe një monitorim të kujdesshëm të financave tona publike dhe të politikave të shpenzimeve publike.

Shumë shpejt, me mbështetjen e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, qeveria shqiptare do të themelojë Këshillin e Investimeve, një entitet që do të sigurojë një platformë të institucionalizuar dhe të qëndrueshme të bashkëpunimit me investitorët në vendin tonë dhe në rajon.

 

Të nderuar sipërmarrës,

Sa më lart ishte një panoramë e përgjithshme e klimës për investime në Shqipëri dhe e disa prej masave që qeveria ka ndërmarrë për përmirësimin e situatës ekonomike në vend.

Tani më lejoni që t’u a jap fjalën kolegëve të mi, të cilët do të përqendrohen në fusha dhe çështje më specifike të ekonomisë dhe mundësive për investime. Ju uroj një qëndrim sa më frytdhënës në Shqipëri.

Ju falemnderit!