Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

I nderuar z. Zëvendëskryeministër,

Të nderuar kolegë ministra,

Të nderuar deputetë,

Të nderuar përfaqësues të trupit diplomatik,

I nderuar Ambasador Hao,

Zonja dhe zotërinj,

 

Ndjehem i privilegjuar që i drejtohem një audience të nderuar, me rastin e 65-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Popullore të Kinës. 65-vjet histori marrëdhëniesh përkon me 65-vjet ekzistencë të Republikës Popullore të Kinës.

Në historinë e botës 65 vjet nuk janë kohë e gjatë, por janë aq sa të tregojnë se mes dy vendeve tona ekziston një marrëdhënie e veçantë.

Miqësia midis Kinës dhe Shqipërisë ka në themele jo vetëm marrëdhëniet diplomatike, (që u vendosën më 23 nëntor 1949), apo marrëdhëniet ekonomike e politike. Por, edhe vlerat dhe shkëmbimet në fushën e programeve kulturore.

Në vitin 1963, Shqipëria, si vend anëtar i OKB-së, propozoi dhe mbështeti në rrugë diplomatike për ripranimin e Kinës në këtë organizatë. Më 25 tetor 1971, në sesionin e 26-të të Asamblesë së Përgjithshme, Republika Popullore e Kinës u pranua me të drejta të plota në OKB.

Miqësia midis dy vendeve tona e pati zanafillën gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë. Ishte një miqësi e kushtëzuar, e cila fillimisht u bazua në interesa që lidheshin ngushtë me specifikën dhe mentalitetin e asaj kohe.

Pavarësisht oshilacioneve, apo miqësisë me pezullim të përkohshëm, dy vendet tona kanë rigjetur gjuhën e përbashkët për të bashkëpunuar më ngushtë dhe në mënyrë më të strukturuar.

Fakti që jemi mbledhur sot këtu, për të kremtuar 65-vjetorin e marrëdhënieve tona diplomatike, dëshmon e jetëgjatësinë e miqësisë sonë që nuk është më e kushtëzuar por e bazuar në mirëkuptim.

Në 1978 ishte Deng Xiaoping që me fjalët “Reform or die”, tregoi se sa i rëndësishëm ishte reformimi i shoqërisë nëpërmjet politikës së dyerve të hapura.

Fatkeqësisht, Shqipëria nuk arriti ta kuptonte rëndësinë e reformimit dhe vijoi kokëfortë në rrugën e saj të izolimit. Kaluan edhe 12 vjet të tjerë para se ne të fillonim transformimin rrënjësor dhe të pakthyeshëm të shoqërisë tonë.

Dhe sot, pas 25 vjetësh e kuptojmë mirë jo vetëm se sa e vështirë është rruga e reformimit e transformimit demokratik. Por edhe se ajo është e vetmja rrugë për të ndërtuar para së gjithash një jetë më të mirë për qytetarët tanë.

Rritja impresionuese ekonomike, të cilën Kina ka arritur ta ruaj, pavarësisht krizave të rënda që ka përjetuar ekonomia botërore, tregon fuqinë dhe rolin e saj të patjetërsueshëm në arenën ndërkombëtare. Brenda një periudhe të shkurtër kohore, Kina arriti të bëhet ekonomia e dytë në botë me një rritje mesatare vjetore prej afro 10%. Që prej vitit 1978, kur filloi edhe politikia e dyerve të hapura, mbi 500 milionë kinezë kanë dalë nga varfëria.

Stabiliteti dhe rritja e saj konstante ekonomike kanë ofruar jo vetëm një ndihmesë të pazëvendësueshme por edhe një frymëmarrje për ekonominë globale e cila ende po vuan pasojat e krizave financiare.

Më lart iu referova ndryshimeve të Kinës, e natyrisht, ndonëse nuk është në lartësinë e Kinës në shumë tregues, edhe Shqipëria, ka njohur transformime të thella gjatë çerekshekullit të fundit. Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe vend kandidat për t’u anëtarësuar në BE. E në të njejtën kohë pol stabiliteti demokratik, falë politikës së jashtme dinamike në rajon. Cka i jep marrëdhënies midis Kinës dhe Shqipërisë një dimension të ri.

Është pikërisht ky dimension që duhet shfrytëzuar edhe më shumë. BE-ja dhe Kina përbëjnë për Shqipërinë dy aspekte përplotësues të njëri-tjetrit, veçanërisht në fushën e ekonomisë.

Në këtë kontekst, iniciativa e bashkëpunimit mes Kinës dhe Evropës Qendrore dhe Lindore ka hapur perspektiva konkrete për zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike në fushat e infrastrukturës, bujqësisë, turizmit dhe kulturës.

Stabiliteti politik dhe ekonomik i vendeve pjesë të kësaj nisme, krijon një platformë solide bashkëpunimi për të tashmen dhe të ardhmen. Kjo nënkupton, ndër të tjera, edhe integrimin e mëtejshëm të tregjeve tona, duke i shndërruar kështu në tregje gjithnjë e më tërheqëse për investimet kineze.

Kësisoj, nëpërmjet nismës dhe projekteve madhore në fusha strategjike të ekonomisë, Kina ka potencialin për të krijuar ura të reja të bashkëpunimit rajonal.

Ndërsa bashkëpunimi dypalësh që ka pësuar rritje dramatike që prej vitit 1990, do të duhet të intensifikohet edhe më shumë. Aktualisht, Kina është partneri i dytë tregtar i Shqipërisë pas BE-së, me 6% të totalit të vëllimit tregtar, ndërsa eksportet shqiptare drejt Kinës vazhdojnë të rriten ndjeshëm. Detyra jonë është të garantojmë një mjedis sa më të përshtatshëm biznesi për investitorët kinezë.

Bashkëpunimi dypalësh, në këtë kontekst, duhet të zhvillohet edhe më tej në fusha me interes të ndërsjellët si: energjia, infrastruktura, burimet minerare dhe turizmi.

Dy vendet tona i kanë të gjitha kushtet për të vijuar zhvillimin e marrëdhënieve solide të partneritetit në vitet që do vijnë. Ndaj shpreh bindjen se 70 vjetori i marrëdhënieve do t’i gjejë të dy vendet në një dimension më të fortë partneriteti, i cili do të përkthehet në një prosperitet të gjithanshëm me interes të ndërsjellë.

Ju faleminderit!