Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

I nderuar Kryetar i Kuvendit Meta,

I nderuar Kryeministër Rama,

I nderuar Kryeministër Thaci,

Të nderuar zotërinj Presidentë,

Kolegë ministra dhe deputetë,

Të nderuar përfaqësues të trupit diplomatik në Shqipëri,

Zonja dhe zotërinj përfaqësues të partive politike në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Preshevë,

100 vjet më parë Europa dhe bota do të hynin në një konflikt të përgjakshëm si pasojë e atentatit të kryer në Sarajevë ndaj Arkidukës Franz Ferdinand të Austrisë.

Sot, 100 vjet pas shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, ne mblidhemi këtu për të mirëpritur jo vetëm vendimin e BE-së për dhënien e statusit të vendit kandidat Shqipërisë.

Por edhe për të reflektuar mbi konsolidimin e paqes së brishtë në Ballkan, që është një ndër treguesit e qartë të suksesit të politikës së jashtme të SHBA-ve dhe fuqisë transformuese të BE.

Sinkronizimi i mbështetjes dhe veprimeve SHBA-BE, solli fillimisht në rajon një perspektivë të re zhvillimi dhe qartësi strategjike për procesin e ribashkimit të kontinentit tonë. Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor janë të inkuadruara në rrjedhat e procesit të zgjerimit, pavarësisht stadit të ndryshëm dhe sfidave shpesh herë të përbashkëta me të cilat përballen.

Dhënia e statusit të vendit kandidat Shqipërisë është një lajm i mirë për të gjithë Ballkanin Perëndimor. Ky hap dëshmon angazhimin e BE-së në rajon dhe kalimin nga një perspektivë e mjegullt në një kthjelltësi me objektiva të matshme.

Arkitektura e sotme e sigurisë në Europë rinxjerr në pah rëndësinë strategjike të vlerave të paqes e prosperitetit, mbi të cilat është ndërtuar projekti Europian, dhe të kontributit të rajonit tonë në këtë projekt të përbashkët.

Historia e zgjerimit të BE-së është një histori suksesi, e cila dëshmon, së pari, angazhimin e vendeve aspirante për një transformim europianizues që mundëson të ashtuquajturin ‘rikthim në Europë’.

Ekzistenca e Bashkësisë Europiane shpëtoi vetë vendet Europiane nga impulset negative. Përshpejtoi fundin e regjimeve diktatoriale në Europën e Jugut dhe shërbeu si model frymëzimi për refuzimin e komunizmit në Europën Lindore.

Mbi të gjitha, Bashkësia Europiane ka dhënë ndihmën e pacmuar në mbështetjen e shoqërive në tranzicion drejt konsolidimit të sistemit demokratik dhe sundimit të së drejtës në ekonomi, duke ofruar në të njëjtën kohë një kornizë vlerash referuese dhe instrumenta financiare.

Sfidat me të cilat është përballur dhe përballet Ballkani Perëndimor janë edhe më të vështira se ato të valëve të mëparshme të zgjerimit të BE.

Por pikërisht për këtë arsye lipset që ai vizion strategjik i ‘rikthimit në Europë’, dhe i një përgjegjësie të përbashkët për kapërcimin e ndarjes së kontinentit, të vazhdojë të na udhëheqë si ne, vendet aspirante, ashtu edhe Bashkimin Europian.

‘Rikthimi i Ballkanit në Europë’ do të thotë para së gjithash ndryshim rrënjësor i shoqërive tona së brendshmi. Pa mballoma. Pa arna. Pa imitime.

Në këtë pikë lejomëni të kujtoj shqiptarin mendjendritur Branko Merxhani, i cili me të drejtë thoshte se ecja jonë drejt Europës nuk mund të jetë kurrë një proces imitimi.

Përkundrazi, ecja jonë në viset e Europës “lipset të jetë në një kohë e sipër edhe një ecje triumfale drejt viseve tona, drejt parimeve krijonjëse të jetës sonë kombëtare. Parimi i sinqertë dhe i vërtetë i kulturës shqiptare është i fshehur brenda në shpirtin e pazbuluar, të papunuar, të panjohur të kombit tonë”.

Respektimi i të drejtave të njeriut, respekti i ndërsjellë, pavarësisht origjinës etnike, fetare dhe gjithëpërfshirja, duhet të qëndrojnë në themelet e jetës tonë. Këto vlera ndaj të cilave Europa ishtë e verbër 100 vjet më parë, duhen ruajtur dhe mëkuar duke treguar vigjilencë dhe kurajë. Në këtë drejtim, Shqipëria e sotme mund të japë kontributin e vet në pasurimin e mozaikut të vlerave të Europës.

Që nga Samiti i Selanikut në vitin 2003, procesi i integrimit europian i ka dhënë rajonit tonë gjithnjë e më tepër sensin e një të ardhmeje të përbashkët. Çka ka nxitur, për rrjedhojë, frymën e bashkëpunimit, mirëkuptimit dhe fqinjësisë së mirë.

Progresi që kemi bërë deri tani në bashkëpunimin rajonal është i konsiderueshëm. Shqipëria ka dhënë një kontribut kyç dhe stabilizues. Rolin e rëndësishëm që kanë  shqiptarët për zhvillimet në rajon, ne e kemi përcuar në një  frymë të vërtetë europiane të fqinjësisë së mirë.

Shqipëria e ka aftësinë për t’u shndërruar nga një pol stabiliteti në një pol frymëzimi për shqiptarët në rajon, në funksion të proceseve euro-atlantike.

Sot, BE dhe rajoni duhet të kujtojnë fjalët e njërit prej arkitektëve të ribashkimit të kontinentit, Václav Havel: “Nuk mund të ketë një Europë demokratike, të qëndrueshme dhe të begatë dhe një Evropë më pak demokratike, më pak të qëndrueshme dhe më pak të begatë. Kjo do të ishte sikur të besosh se një pjesë e një dhome mund të ngrohet, ndërkohë që pjesa tjetër mbahet e  pangrohur”.

Kjo nuk do të thotë se ne kërkojmë shkurtimin e rrugës dhe lehtësimin e punës që kërkon procesi i aderimit. Por ne shpresojmë që procesi i zgjerimit të jetë i besueshëm, bazuar në meritë dhe në një vizion strategjik të BE-së, për atë se çfarë do të përfaqësojë Europa e gjeneratave të reja.

Gjatë kësaj periudhe, më është dashur të kontaktoj, të ndaj mendime dhe të bisedoj me të gjithë kolegët e mi të vendeve anëtare të BE-së. Falenderimet më të thella i drejtohen atyre, krahas Komisionit Europian për mbështetjen dhe besimin te shqipëtarët dhe Shqipëria.

Falenderoj Presidencën greke të Këshillit të BE-së për përkushtimin ndaj objektivit tonë për marrjen e statusit të vendit kandidat si dhe për bashkërendimin me Presidencën Italiane, si një avokate e hershme e aspiratës sonë Europiane.

Një falenderim i veçantë për Austrinë, e cila me përkushtim të thellë përqendroi rolin e saj vendimtar në Evropën Qendrore, në funksion të marrjes së statusit kandidat. Kroacinë dhe Slloveninë, si dy vende dashamirëse dhe orientuese të proceseve integruese të Shqipërisë.

Gjermaninë, Francën, Mbretërinë e Bashkuar, për mbështetjen e pakursyer që i kanë dhene dhe vazhdojnë t’i japin Shqipërisë dhe rajonit, përmes iniciativave konkrete që synojnë kyçjen tonë në rrjedhat Europiane.

Falenderoj vendet e Vishegradit, vendet Balltike, Rumaninë dhe Bullgarinë që në krye të herës dhanë pa ngurrim mbështetjen e tyre Shqipërisë në këtë proces, ashtu siç bënë dhe vendet e Evropës Iberike dhe Mesdhetare.

Vendet Skandinave, vendet e Beneluksit dhe Irlandën, për qartësinë që demonstrojnë dita ditës lidhur me punën e kryer nga Shqipëria dhe sfidat që pasojnë. Secili në mënyrën e tyre si promotorë të kauzës së Shqipërisë në BE.

E gjithë kjo nuk do të ishte e mundur nëse vetë populli shqiptar nuk do ta kërkonte me ngulm ndryshimin rrënjësor. Përgjegjësia jonë është që t’u përgjigjemi kërkesave të popullit dhe të përligjim besimin e tij.