Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Mirëmëngjësi të  gjithëve!

Të nderuar profesorë,

Zonja dhe zotërinj ambasadorë,

Të nderuar përfaqësues të komuniteteve fetare në Shqipëri,

Të dashur studentë,

 

Dita e Përkujtimit të Holokaustit mbart me vete një peshë specifike që lidhet jo vetëm me aktin më të pashembullt çnjerëzor nga një regjim dhe ideologji totalitare, por edhe me shpresën dhe vulën e fitores së njerëzimit kundër së keqes.

Edmund Burke thoshte se e vetmja gjë e nevojshme për triumfin e së keqes, është që njerëzit e mirë të mos bëjnë asgjë. (The only thing necessary for the triumph of evil is that good men do nothing.) Preludi i Holokaustit ishte pikërisht pasiviteti, indiferenca ndaj politikave ekstremiste, të veshura me petkun joshës të populizmit të kohës.

Besa e lidhur midis shqiptarëve dhe hebrenjve mundësoi jo vetëm atë që asnjë hebre në Shqipëri nuk u dorëzua te nazistët, por i dha frymë miqësisë tashmë të konsoliduar midis dy popujve tanë. Ne shqiptarët krenohemi me sakrificat e paraardhësve tanë, të cilët ndonëse nën kërcënimin e vdekjes, mikpritën hebrenjtë e përndjekur anembanë Evropës.

Çdo akt përkujtimor do të ishte i kotë nëse, brezat pasardhës, nuk janë të ndërgjegjësuar se rruga më efikase për të ndaluar krime të tilla të paimagjinueshme kundër njerëzimit, është edukimi dhe bashkëpunimi institucional në nivel ndërkombëtar. Holokausti dhe historia e trishtë që ai përcjell, është tashmë pjesë e kurrikulës tonë arsimore. Në këtë mënyrë jo vetëm kujtojmë sa ka ndodhur, por edhe shpresojmë të forcojmë më tej ndërgjegjen tonë për të mbrojtur të ardhmen e njerëzimit nga përsëritja e një tragjedie të tillë.

Ngjarjet aktuale na bëjnë të ndërgjegjshëm për faktin se forma e lloje të tjera të radikalizmit po shfaqen në shumë vende e shoqëri. Sulmet gjatë vitit të kaluar, por edhe në këtë fillim viti në Francë, Gjermani, Turqi e vende të tjera tregojnë se fenomeni i antisemitizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm është në rritje, çka dëshmon se antisemitizmi përbën një kërcënim për demokracinë, vlerat e qytetërimit dhe sigurinë në përgjithësi .

Prandaj, është detyrë politike dhe angazhim moral i yni që t’i mundësojmë  brezave të rinj të kuptojnë shkaqet e Holokaustit dhe të reflektojnë mbi pasojat si një paralajmërim se ajo çfarë ndodhi një herë mund të ndodhë sërish, në rast se ne nuk qëndrojmë të gjithë të vendosur kundër paragjykimeve, kundër përjashtimeve, kundër diskriminimit, kundër intolerancës fetare dhe kundër ksenofobisë.

Nevoja për një dialog të vërtetë dhe ndërveprim mes feve dhe kulturave të ndryshme duhet të zërë një vend parësor sidomos në këto kohë të turbullta që po kalon kontinenti ynë. Përndryshe mungesa e dialogut dhe besimit inkurajon veç se ekstremizmin dhe krijon artificialisht vija ndarëse kulturore dhe fetare.

Duke përfunduar, sepse e di që do të ketë një debat dhe një diskutim mes njerëzve të cilët kanë më shume më tepër se ne të tregojnë opër këtë ngjarje tragjike, do të dëshiroja të falënderoj ekipin e  Ministrisë së Punëve të Jashtme që ka përgatitur këtë aktivitet duke shprehur gëzimin tim që kjo ngjarje e cila përkujtohet të paktën zyrtarisht për të katërtin vit radhazi, tashmë po shndërrohet në traditë me pjesëmarrjen e aktorëve të tjerë jo thjeshtë institucional apo zyrtar, sepse për ne asgjë nuk është më e rëndësishme se sa përçimi i mesazhit te brezat e ardhshëm mbi atë çka ka ndodhur. Siç shkruante edhe At Zef Pllumi: “Kurrgjâ në mos kjosh i zoti me bâ, rrno vetëm për me tregue”.

Ju faleminderit!