Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

[metaslider id=”2373″]

 

Përshëndetje,

Ju falënderoj shumë, faleminderit edhe që më quajtët Ditmir, pasi disa nga të pranishmit këtu e dinë se ç’ndodhi kur kolegu im grek më quajti Dimiter, gjë e cila u trajtua gjerësisht nga mediat shqiptare. Faleminderit sërish për prezantimin dashamirës dhe shqiptimin e emrit tim siç është, Ditmir, i cili në shqip do të thotë ditë e mirë.

Dua të falënderoj Institutin Brookings për ftesën dhe mundësinë për të ndarë disa mendime mbi Shqipërinë dhe klimën aktuale politike e atë të sigurisë në Evropë. Jam i lumtur që mu dha mundësia për të folur në një mjedis akademik, si një vend i cili natyrshëm të orienton drejt reflektimeve dhe analizave afatgjata. Në të vërtetë, puna ime e përditshme, bota e veprimtarisë politike e diplomatike të imponon një ritëm shumë më të shpejtë, ku zgjidhjet kërkohen shpejt. Çelësi është sesi të ndërthurësh këto dy botë, në mënyrë që të arrihet ekuilibri i duhur ndërmjet të sotmes dhe së nesërmes. Jetojmë në kohë të vështira e përballemi me kriza të pashembullta, pa identifikuar ende mjetet e duhura për adresimin e tyre.

Nga pikëpamja humanitare, bota ka kaluar disa vite të vështira. Në raportin vjetor të UNHCR-së publikuar qershorin e kaluar, thuhej se zhvendosja në botë ishte në nivelin më të lartë të regjistruar ndonjëherë. Numri i njerëzve të zhvendosur me forcë arriti në afro 60 milionë njerëz në mbarë botën, që është afërsisht e barabartë me  popullsinë e kombinuar të shtetit të Nju Jorkut dhe Kalifornisë. Megjithatë, jo çdo gjë ka qenë e errët. Marrëveshja e Kombeve të Bashkuara, adoptimi i Agjendës 2030 dhe Marrëveshja historike e Paqes mbi ndryshimet klimaterike tregojnë se multilateralizmi mund të ketë sukses dhe diplomacia e qëndrueshme mund të triumfojë mbi sfidat e shkaktuara nga atmosfera e zymtë e sigurisë globale, që në fund të fundit, suksesi mund të përkthehet në sukses.

Ç ‘kuptim ka kjo për vende të vogla si Shqipëria? Çfarë sfidash dhe mundësish specifike ka për vendet të cilat unë parapëlqej  t’i referohem si  Evropa Adriatike?

Dhjetorin e kaluar, Shqipëria festoi një çerek shekulli të ndryshimeve demokratike, dhe më lejoni t’ju them se nuk ka qenë aspak e lehtë. Na u desh të rimësonim me vështirësi se çfarë është demokracia dhe si mund të skalitet në themelet e shtetit modern përmes sundimit të ligjit. Na u desh të mësonim mbi ekonominë e tregut dhe çdo gjë që ajo sjell; edhe pse disa do të dëshironin të ecnin përpara me një ritëm më të shpejtë, askush nuk mund të përshpejtojë historinë. Përgjatë 25 viteve të fundit, Shqipëria ka arritur të transformohet tërësisht në sajë të miqve dhe aleatëve, në veçanti me ndihmën e Shteteve të Bashkuara.

Si një vend anëtar i NATO-s që prej vitit 2009 dhe një vend kandidat në Bashkimin Evropian në 2014, vitin e kaluar nënshkruam Deklaratën e Partneritetit Strategjik me Shtetet e Bashkuara dhe kontributi ynë për paqen dhe stabilitetin në Evropën Juglindore është i padiskutueshëm. Orientimi ynë është i qartë: ne i përkasim komunitetit trans-atlantik dhe anëtarësimi në BE nuk është vetëm qëllimi ynë kryesor, por dhe identiteti ynë.

Megjithatë, si të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria përballet sot me një sërë sfidash të brendshme e të jashtme. Brenda vendit, mungesa e kredencialeve demokratike të konsoliduara, kërkesat e vështira, zhvillimi i shpejtë dhe nevoja absolute për të qenë sa më pranë Bashkimit Evropian, e kanë kthyer jetesën tonë në një proces të vazhdueshëm reformash. Së jashtmi, në shumë aspekte, rajoni ynë ende lëviz me hapa të ngadaltë. Siç ju e përshkruat, Evropa është një kontinent që vuan, dhe kërcënimet e lindjes e jugut vazhdojnë të parashtrojnë sfida të reja. Është ndërthurja e këtyre faktorëve që ndikon në kapacitetin dhe shpejtësinë tonë për zhvillim të mëtejshëm. Kur kemi parasysh modelet e zhvillimit, duket se ndarja tradicionale mes konfliktit dhe vendeve të qëndrueshme është një model i së shkuarës.  Sipas meje, çdo agjendë zhvillimi duhet të përfshijë instrumente që adresojnë atë çka mban gjallë kontradikta të vjetra dhe kundërshtojnë atë që ushqen të reja.

Dy dekada më parë, rajoni i Ballkanit Perëndimor karakterizohej nga konfliktet. Aktualisht, ai është i angazhuar në proceset e bashkëpunimit dhe integrimit, i gatshëm për të trajtuar mosmarrëveshjet dypalëshe, në frymën e fqinjësisë së mirë. Është e rëndësishme të kujtojmë se ky proces nuk është i pakthyeshëm: është pikërisht perspektiva e anëtarësimit në BE që na shtyn përpara, na sjell më pranë njëri-tjetrit dhe kërkon të jemi më të ndërlidhur. Në këndin tonë të Evropës, po përballemi me të njëjtat sfida, kështu që edhe përgjigja jonë duhet të jetë e bashkërenduar. Aty ku kërcënimet si terrorizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm nuk njohin kufij, nuk mund të kenë kufij as veprimet tona për t’iu kundërvënë atyre, përmes masave të forta apo të buta.

Të dashur miq,

Lufta kundër terrorizmit dhe parandalimi i ekstremizmit, së bashku me përpjekjet për t’iu kundërpërgjigjur në mënyrë efektive, përfaqësojnë dy nga sfidat me serioze ndaj paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. Ngjarjet e tmerrshme të vitit të fundit kanë treguar se asnjë shtet nuk është imun ndaj këtyre rreziqeve dhe kërcënimeve; e njëjta gjë vlen edhe për vendin e rajonin tonë.

Shqipëria i është bashkuar që në fillim koalicionit global kundër DAESH-it dhe kemi ndihmuar luftëtarët e Peshmerga-s me pajisje ushtarake dhe municione,  si çdo vend tjetër. Jemi përballur me fenomenin e luftëtarëve të huaj dhe vitet e para të konfliktit në Siri, edhe pse në një shkallë më të vogël krahasuar me vendet e tjera. Qeveria jonë ka adoptuar masa të forta dhe ka shtuar përpjekjet për të dekurajuar luftëtarët e huaj. Tashmë numri i personave të cilët udhëtojnë drejt zonave të konfliktit ka rënë, por jemi të ndërgjegjshëm se kjo nuk mjafton. Nëntorin e kaluar miratuam një strategji kombëtare për të luftuar ekstremizmin. Tashmë po punohet për të ngritur një qendër rajonale kundër ekstremizmit e cila do të bashkojë përpjekjet dhe angazhimin e qeverisë, shoqërisë civile, medias dhe komuniteteve fetare për të parandaluar ekstremizmin e dhunshëm në rajon. Gjithashtu,  po investojmë në programe edukimi dhe shkolla të cilat do t’i sigurojnë fëmijëve dhe të rinjve dijen e nevojshme për t’i bërë ballë urrejtjes e diskriminimit dhe për të thelluar bashkëpunimin social.

Të dashur miq,

Çështja e dytë që doja të nënvizoja është kriza e refugjatëve dhe efekti i saj në kontinent. Gjatë viteve të fundit kemi qenë dëshmitarë të ngritjes së shqetësimeve legjitime mbi terrorizmin dhe emigrimit në masë, lindjën jo shumë legjitime të stereotipave, ekstremeve politike në Europë dhe rritjën e tensioneve ndërmjet fqinjëve dhe aleatëve. Të gjitha këto në kurriz të bashkëpunimit ndër-kufitar dhe një përgjigjeje të njëzëshme. Gjatë vitit të fundit, mënyra Evropiane e përballjes me krizën e refugjatëve ka qenë një set i paqartë mesazhesh e politikash. E parë nga jashtë, mund të duket sikur gjatë këtyre viteve, dukemi të bashkuar në egoizmin tonë; jemi të shqetësuar nga njëra anë për vlerat e lirisë dhe solidaritetit dhe nga ana tjetër, për politikat jo liberale të cilat po mjegullojnë debatet politike në kontinent.

Besoj se në këto momente, është e rëndësishme për vendet e Ballkanit të mos bëhen vende stacionuese për emigrantët, pasi kjo do të sillte përçarje në të gjithë rajonin, për të mos përmendur këtu shqetësimet e sigurisë. Javët e ardhshme do të jenë kritike, teksa përpiqemi t’i shmangemi tundimit për t’i kthyer përgjigje kombëtare një problemi pan-evropian. Shqetësimi im qëndron në faktin se problemet e lartpërmendura, kanë bërë që zgjerimi Evropian të kalojë në një cështje të nivelit të dytë, ndërsa dëgjojmë përmes debateve të nxehta të BE-së për mbylljen e kufijve, kuotat dhe fundin e Shengenit. Kriza e refugjatëve dhe lufta e përbashkët kundër terrorizmit kanë bërë që vendet e Ballkanit Perëndimor dhe BE-ja të kuptojnë rëndësinë e marrëdhënies së tyre të ndërvarësisë dhe nevojën për ta përkthyer këtë ndërvarësi në një bashkëpunim të thelluar me vendet e Ballkanit Perëndimor, për t’i ndihmuar në finalizimin e suksesshëm të reformave demokratike shtet-ndërtuese.

Në këtë kontekst, ecuria e të ashtuquajturit proces i Berlinit, iniciuar nga kancelarja Gjermane Merkel dhe arritja e rezultateve të prekshme për Evropën Adriatike do të jenë me rëndësi të veçantë për muajt në vazhdim. Më lejoni të ndaj me ju disa mendime mbi mundësitë që na shfaqen,  edhe kur Evropa përballet me një test stresi politik. Një tjetër çështje me rëndësi të veçantë për ne në Evropën Adriatike është siguria energjetik. Sistemi i gjenerimit të energjisë sonë varet plotësisht nga hidrocentralet, të cilët mund të jenë të paparashikueshëm. Kemi një shans shumë të mirë jo vetëm për të diversifikuar, por dhe për të siguruar një rezervë afatgjatë e të domosdoshme. Puna tashmë ka nisur për të ndërtuar gazsjellësin TAP, i cili do të transportojë gaz natyror nga Azerbajxhani në Itali përmes Turqisë, Greqisë dhe Shqipërisë. Përfundimi i tij do të lejojë fillimin e procesit të gazifikimit të vendit tim. Synimi ynë afatgjatë është të kthejmë Shqipërinë në një qendër rajonale energjetike që do të mundësojë furnizimin rajonal në veri të vendit përmes gazsjellësit IAP. Gjithashtu, Gazsjellësi TAP do të minimizojë varësinë e Evropës dhe do të rrisë besueshmërinë në sektorin energjetik. Lidhja e TAP-it me IAP-in do të kontribuojë në rritjen e sigurisë rajonale për BE-në dhe do të krijojë mundësi të reja investimi për vendet e Ballkanit Perëndimor. Këto faktorë e bëjnë TAP-in më shumë sesa thjeshtë një ushtrim në diversfikimin e ofertës; ai mund të shndërrohet në një element kyç të politikave të Evropës, sidomos kur bëhet fjalë për sigurinë e përbashkët.

Të dashur miq,

Të dhënat ekonomike treguan që vendet e Ballkanit Perëndimor kanë mbetur pas jo vetëm krahasuar me pjesëtarët e BE-së, por edhe me vendet e Evropës qendrore dhe lindore që janë tashmë pjesë e Bashkimit Evropian.

Gjatë 25 viteve të fundit, BE-ja dhe SHBA-ja kanë investuar fuqishëm në stabilitetin demokratik të rajonit tonë. Tashmë, lëvizja e duhur është të mbështesim ndërlidhjen rajonale, si një mënyrë për të zhbllokuar potencialin në rritje.  Kjo vlen sidomos për Evropën Adriatike, ku energjitë ekzistuese duhet të përdoren për të zvogëluar distancat dhe integruar tregjet për të rriten të ardhurat në një zonë më të madhe. Përvojat e shkuara kanë treguar se, që procesi të jetë i suksesshëm, SHBA-ja duhet të marrë pjesë dhe të angazhohet në mënyrë aktive.

Shqipëria ndan lidhje të forta historike me SHBA-në, të cilat shkojnë pas në kohë, që prej themelimit të shtetit modern shqiptar. Lidhja jonë e veçantë me SHBA-në është formësuar sidomos gjatë procesit të ndërtimit të shoqërisë demokratike. Ato janë forcuar përgjatë një sërë pozicionimesh reciproke për të adresuar sfida të ndryshme, duke u bazuar në vlera të përbashkëta. Jam i bindur se kjo lidhje e veçantë na jep energji, por gjithashtu përgjegjësi për të vijuar me promovimin e paqes, rritjen e sigurisë dhe forcimin e demokracisë në këndin tonë të Evropës.

Shumë faleminderit!