Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Ministri i Punëve te Jashtme, z. Ditmir Bushati, mori sot pjesë në Ministerialin e 21 të OSBE-së i cili u mbajt në Basel, nën kryesinë e Zvicrës.

Fjala e plotë e Ministrit Bushati në seancën plenare të Ministerialit.

 

 

Check against delivery

Shkëlqesi,

Zonja dhe zotërinj,

Do të doja së pari të shprehja vlerësimin dhe respektin tim për Ministrin e Jashtëm zviceran, njëkohësisht dhe Kryetar i radhës i OSBE-së, z. Didier Burkhalter, për përpjekjet e tij të jashtëzakonshme në krye të Organizatës gjatë vitit që shkoi.

Viti 2014 ishte dëshmitar i dhunimit të pashembullt të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës. Diskutimi ynë sot, këtu në Bazel, mbi krizën e sigurisë në Evropë është çuditërisht i ngjashëm me diskutimet tona të para gjashtë viteve në Helsinki, vetëm se atëherë kriza qe në Gjeorgji.

Kriza në Ukrainë e ka thelluar edhe më tej erozionin e besimit ndërmjet shteteve pjesëmarrëse në OSBE. Arsyet themelore të këtij mosbesimi gjenden tek dështimi i shteteve pjesëmarrëse sa i përket zbatimit të angazhimeve në të trija dimensionet e Organizatës, si dhe në dhunimet e bujshme të principeve të Kartës së OKB-së dhe Aktit Final të Helsinkit.

Shkelja e parimeve bazë të OSBE-së vë në rrezik realizimin e vizionit të Astanës për një komunitet të lirë, demokratik të përbashkët dhe të pandarë sigurie euro-atlantike dhe euro-aziatike.

Përmbajtja nga kryerja e veprimeve që bien ndesh me Kartën e OKB-së dhe zbatimi i principeve të sanksionuara në Aktin Final të Helsinkit të vitit 1975, në Kartën e Parisit dhe në Deklaratën Përkujtimore të Astanës, kanë një rëndësi thelbësore për tejkalimin e krizës aktuale dhe rindërtimit të besimit mes nesh.

Në përpjekjen tonë për të evituar një krizë më të gjerë të sigurisë në Evropë ne duhet të përfitojmë nga OSBE-ja, si një platformë për ndërtimin e besimit, dialogut dhe bashkëpunimit.

OSBE-ja është i vetmi organizëm ndërqeveritar i cili ka formatet e duhura për adresimin e krizave aktuale të sigurisë në Evropë dhe Euroazi. Kriza në Ukrainë ka evidentuar rëndësinë kritike të rolit të OSBE-së, si një forum i dialogut gjithëpërfshirës dhe veprimit të përbashkët, sidomos në kohë tensionesh dhe konfliktesh.

Në këtë aspekt dhe si pjesë e procesit Helsinki +40, ne e shohim të nevojshëm ndërmarrjen e një procesi reflektiv për nxjerrjen e mësimeve nga kriza në Ukrainë dhe në rajonin e saj, me qëllim forcimin e mëtejshëm të rolit të OSBE-së në paralajmërimin e hershëm dhe parandalimin e konflikteve, mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, menaxhimin dhe përballjen me krizat, zgjidhjen e konflikteve dhe rehabilitimin pas tyre. Ne duhet gjithashtu të ndërmarrim hapa të mëtejshëm për forcimin e kapaciteteve të OSBE-së për të vepruar në këtë drejtim.

Në këtë kuadër, ne besojmë se ngritja e Panelit të nivelit të lartë për persona eminentë mbi sigurinë në Evropë si projekt i përbashkët është adekuat dhe vjen në kohën e duhur. Ai përfaqëson një mundësi për sjelljen e ideve të reja mbi mënyrën se si mund të ripërtërihen kapacitetet e OSBE-së për të ruajtur në mënyrë efikase principet e saj bazë dhe si mund të adresohen shqetësimet e reja të sigurisë.
Z. Kryetar,

OSBE-ja, nën kryesinë zvicerane, dëshmoi se është e aftë të menaxhojë kriza ndërkombëtare ndërsa forcon kapacitetet e veprimit të Organizatës, sidomos kapacitetet e saj te meditacionit.

Shqipëria beson fort se e vetmja mënyrë për zgjidhjen e krizës në Ukrainë është dialogu. Unë do të doja të shprehja vlerësimin dhe mbështetjen tonë të plotë për punën e Misionit të veçantë vëzhgues në Ukrainë si dhe punën e Përfaqësuesit të posaçëm të Kryesisë së radhës, Ambasadores Heidi Tagliavini. Ne shpresojmë sinqerisht se përpjekjet për të lehtësuar dialogun ndërmjet palëve do të jenë të suksesshme dhe, duke qenë të tilla, do t’i hapin rrugë stabilizimit të situatës në Ukrainë. Deri në gjetjen e një zgjidhjeje paqësore, ne mund t’iu bëjmë thirrje palëve që t’iu përmbahen plotësisht detyrimeve që rrjedhin nga marrëveshjet e Minskut.

Të dashur kolegë,

Ballkani perëndimor është një nga prioritetet e kryesive të njëpasnjëshme zvicerane dhe serbe. Megjithëse kryesia zvicerane u dominua nga kriza në Ukrainë.

Më 1 janar 2015 kryesia i kalon fqinjit tonë në rajon, Serbisë. Padyshim që Kryesia serbe e OSBE-së është një arritje historike, jo vetëm për Serbinë, por për të gjithë rajonin. Ajo përfaqëson provën e prekshme se Ballkani perëndimor i vitit 2015 është një kontributor i sigurisë, dhe jo më një konsumues i saj.

Ndërkohë që vendi i parë nga Ballkani perëndimor përgatitet të marrë Kryesinë e OSBE-së, ne duam t’i sigurojmë Ministrit të Jashtëm serb se Shqipëria do te ofrojë gjithë mbështetjen e mundshme për realizimin e prioriteteve të caktuara për vitin 2015.

Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë më Kryesinë e radhës, Serbinë. Përtej dallimeve, Shqipëria është e vendosur të bashkëpunojë me Serbinë siç do të bashkëpunonte me çdo vend tjetër të rajonit.
Shqipëria dhe Serbia nuk kanë vetëm dallime qëndrimesh mes njëri tjetrit, por gjithashtu një numër të madh ngjashmërish. Si Shqipëria dhe Serbia janë vende kandidate të BE-së dhe bashkëpunimi rajonal është mjaft i rëndësishëm për Ballkanin perëndimor në kuadër të aspiratave tonë për integrim euro-atlantik. Ndërsa i afrohemi BE-së ne duhet të përmirësojmë performancën tonë, përfshi edhe përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga procesi i integrimit në BE. Kjo vlen për të gjitha vendet kandidate, Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë.

Megjithëse mund të duket si një barrë më e rëndë gjatë kryesimit të OSBE-së, ne e inkurajojmë Serbinë që të shohë vlerën e shtuar tek përafrimi i qëndrimeve të saj me ato të BA-së, sidomos gjatë Kryesisë së OSBE-së, si një instrument për përmbushjen më të mirë të rolit të Kryesisë së radhës.
OSBE-ja, me operacionet në terren dhe institucionet e saj, ofron një  kontribut të qenësishëm për bashkëpunimin rajonal në Ballkanin perëndimor, duke përforcuar kështu sigurinë dhe stabilitetin në rajon.

Përfitoj nga rasti për të shprehur vlerësimin tonë për angazhimin e plotë të Serbisë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja mes Kosovës dhe Serbisë dhe për zbatimin e të gjitha aranzhimeve bazuar në marrëveshjen e Brukselit të prillit 2013.

Do të doja gjithashtu të ritheksoja qëndrimin e Shqipërisë në lidhje me pjesëmarrjen e Kosovës në forumet ndërkombëtare dhe rajonale, përfshirë dhe OSBE-në. T’i japësh zë Kosovës në fazat planifikuese dhe diskutimet mbi aktivitetet e OMiK-ut do të rrisë efikasitetin e punës së këtij të fundit.

Ne besojmë se ka ardhur koha që Kosova të ketë karrigen e saj mes nesh në këtë Këshill.

Në përfundim, dua të falënderoj dhe një herë mikpritësit zviceranë për mikpritjen  dhe organizimin e shkëlqyer të këtij takimi ministror.
Faleminderit.