Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

I nderuar Sekretar i Shtetit Pompeo,

I nderuar kryetar i sesionit,

Të nderuar kolegë,

Zonja dhe zotërinj,

Së pari, dëshiroj të falënderoj Departamentin Amerikan të Shtetit dhe Sekretarin Pompeo i cili na ftoi këtu në Uashington DC për të diskutuar dhe shkëmbyer pikëpamje mbi lirinë e fesë, që është një nga liritë më themelore që një shoqëri mundet dhe duhet t’i sigurojë qytetarëve të saj. Është gjithashtu e domethënëse që kjo konferencë po mbahet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një vend, ekzistenca e të cilit bazohet në lirinë e fesë. Dua të përfitoj nga rasti që të shpreh edhe vendosmërinë tonë për të mbajtur një konferencë të ngjashme, në bashkëpunim të ngushtë me ju, edhe në rajonin tonë.

Liria e fesë është një parakusht për zhvillimin social dhe ekonomik të një vendi. Kjo na lejon të mendojmë, shprehim dhe veprojmë mbi atë që besojmë. Kjo është gjithashtu një çështje shumëplanëshe që lidhet ngushtë ndër të tjerash, me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, zhvillimin ekonomik, kohezionin social dhe çështjet e sigurisë në kuptimin më të gjerë të fjalës.

Shpeshherë, ne po përballemi me një kundërshtim të rremë midis dy të drejtave themelore, lirisë së fesë në njërën anë dhe lirisë së fjalës dhe shprehjes nga ana tjetër. Ky kundërshtim i rremë kërkon një diskutim serioz për rolin e fesë dhe sekularizmit në jetën publike dhe politike, si dhe aftësinë për të folur lirisht, duke mos shkaktuar lëndime në besimet e të tjerëve.

Unë besoj se më shumë se të kundërta, këto dy të drejta themelore janë shumë të lidhura me njëra-tjetrën. Në fund të fundit, po ta marrim nga ana historike, liria e fjalës lindi nga debati lidhur me tolerancën fetare. Në ditët e sotme, feja ka fituar një rëndësi të veçantë, konkretisht në kontekstin e grupeve ekstremiste që përpiqen të shtrembërojnë rregullat themelore të doktrinës së vërtetë fetare duke instrumentalizuar dallimet midis besimeve të ndryshme. Në gjendjen komplekse aktuale të çështjeve në të cilën po jetojmë, pyetjet e ngritura nuk janë aq të thjeshta. Si t’i trajtojmë konfliktet fetare gjithnjë në rritje? Si të përmirësohet dialogu ndërmjet komuniteteve fetare në mënyrë që të sigurohet një urë komunikimi dhe jo një mur ndarës? Si të zvogëlohet diskriminimi i komuniteteve të vogla fetare? Si të kapërcejmë hendekun mes bashkësive fetare? Sa duhet të ndërhyjë qeveria në rregullimin e jetës fetare në tërësi? Si të trajtohet fanatizmi dhe terrorizmi fetar si dhe efektin që kanë lënë tek luftëtarët terroristë që kthehen në vendet e tyre të origjinës?

Ne duhet të punojmë së bashku në adresimin e këtyre sfidave të përbashkëta, me fqinjët tanë në nivel rajonal dhe nën-rajonal.

Që prej vitit 2015, Shqipëria ka investuar kohë, energji dhe burime të jashtëzakonshme në ngritjen e një rrjeti rajonal koordinatorësh dhe institucionesh të fokusuara në luftën kundër terrorizmit të dhunshëm. Realisht, ne e integrojmë luftën kundër terrorizmit të dhunshëm në strategjinë tonë të sigurisë kombëtare dhe zyra e koordinatorëve zyrtarë punojnë çdo ditë së bashku me të gjitha institucionet e linjës. E kemi zgjeruar rrethin tonë të bashkëpunëtorëve dhe partnerëve në fushën e ekstremizmit dhe terrorizmit të dhunshëm, duke punuar ngushtë me SHBA-në, ndihma e të cilës në këtë drejtim është shumë e vlerësuar.

Për të zvogëluar dallimet dhe për të përmirësuar mirëkuptimin dhe ndjeshmërinë, ne duhet të mbështetemi tek edukimi si hapi i parë dhe baza më e rëndësishme për formimin e personalitetit njerëzor. Kjo është arsyeja pse në Shqipëri, në bashkëpunim me OKB-në, kemi filluar një program për zhvillimin e kurrikulave mbi historinë e vlerave fetare dhe universale të cilat janë të mishëruara në çdo fe. Duke qenë një vend tolerant ndër-fetar, ne e dimë se sa e brishtë mund të jenë toleranca dhe bashkëjetesa, veçanërisht në kohë komplekse si këto. Prandaj, mësimdhënia dhe nxënia e asaj çka bashkon më tepër sesa e asaj çka ndan fetë e ndryshme, për ne është çështje e natyrës etike dhe pragmatike.

Një sfidë tjetër që ne duhet të trajtojmë së bashku është zhvillimi ekonomik dhe perspektivat e punësimit. Mungesa e perspektivës mund t’i shtyjë të rinjtë në krahët e aktorëve të mbrapshtë që kërkojnë të fitojnë zemrat dhe mendjet e tyre.

Zonja dhe zotërinj, ne jemi një vend i vogël por tradicionalisht me një harmoni të fortë ndër-fetare. Katër Papë katolikë ishin me prejardhje shqiptare. Nënë Tereza, një grua e mrekullueshme dhe e përulur, puna bamirëse e së cilës njihet botërisht dhe i dha një Çmim Nobel, ishte shqiptare.

Në ditët e sotme ka 5 bashkësi fetare që jetojnë në harmoni. Në realitet, kjo klimë e bashkëjetesës dhe e bashkëpunimit ndërmjet bashkësive të ndryshme fetare në Shqipëri nxiti Papa Françeskun të bënte vizitën e tij të parë evropiane në Shqipëri në vitin 2014. Nga Tirana ai iu drejtua të gjithë Botës duke thënë: “Ajo që po ndodh në Shqipëri tregon se bashkëjetesa paqësore dhe frytdhënëse midis njerëzve dhe komuniteteve me përkatësi të ndryshme fetare nuk është vetëm e dëshiruar por e mundur dhe reale. Kjo është diçka me vlerë që duhet të mbrohet dhe të ushqehet çdo ditë, duke siguruar një edukim që respekton dallimet dhe identitetet e veçanta, në mënyrë që dialogu dhe bashkëpunimi për të mirën e të gjithëve të promovohet dhe të forcohet. Është një dhuratë që ne duhet t’i lutemi Perëndisë në lutje”.

Faleminderit për vëmendjen.