Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Në bashkëpunim me Klubin e Biznesit Francë – Shqipëri dhe ambasadën franceze në Tiranë, sot u mbajt Forumi Ekonomik Frankofon i Tiranës në të cilin mori pjesë edhe Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati.

Gjithashtu, të pranishëm në këtë aktivitet ishin edhe personalitetet të botës së biznesit të rajonit të Lionit në Francë.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati i shprehu falënderimet qeverisë franceze, institucioneve dhe popullit mik francez për mbështetjen e dhënë ndaj Shqipërisë në rrugën drejt integrimit evropian. Në të njëjtën kohë, ai theksoi angazhimin e qeverisë shqiptare për bashkëpunim të mëtejshëm me biznesin në kanalizimin e projekteve të përbashkëta.

 

Fjala e Ministrit Bushati 

Përshëndetje dhe mirë se keni ardhur të gjithë në Shqipëri.

Një përshëndetje më e posaçme për të gjithë ju që keni ardhur për herë të parë.

Për mua është një kënaqësi e veçantë që më jepet mundësia për të qenë sot këtu me ju dhe me përfaqësues të Komunitetit të biznesit të Lionit i cili është një qytet, për hir të së vërtetës, apo rajon i njohur jo vetëm për gastronominë dhe kinematografinë, por edhe për faktin se konsiderohet si një prej motorëve të zhvillimit ekonomik të Francës dhe të gjithë Evropës.

Është gjithashtu  kënaqësi që të shohësh se ka një vullnet të dyanshëm për t’i çuar marrëdhëniet tona ekonomike dhe tregtare në një plan më të avancuar, sepse kur vjen puna për një bashkëpunim ekonomik dhe tregtar me vende si Franca, ne jo vetëm jemi të prirur t’i shikojmë me pozitivitet, por besojmë se transferimi i njohurive, përveç kapitalit dhe investimeve, është shumë i çmueshëm për këtë fazë të procesit të shtet-konsolidimit në të cilën ndodhet Shqipëria.

Dua shkurtimisht të them që ne jemi në një proces deçiziv për sa i përket procesit të Integrimit Evropian dhe besojmë që viti 2018 do të kurorëzohet me një vendimmarrje nga ana e Bashkimit Evropian për të nisur procesin e vështirë dhe shumë sfidues të negocimit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, një proces i cili do të jetë afatgjatë. Ky proces do të ketë sfidat dhe kërkesat e tij, por do të na japi mundësi për të punuar së bashku, për të vijuar më tej procesin e transformimit demokratik, procesin e reformimit dhe modernizimit të shtetit, shoqërisë shqiptare dhe mundësinë për të bërë biznes në Shqipëri.

Në këtë kontekst, unë e shfrytëzoj këtë mundësi për të përshëndetur edhe një herë tjetër qeverinë franceze, institucionet, popullin mik francez, për mbështetjen që  na ka dhënë në këtë proces të vështirë, qoftë mbështetje politike, qoftë përmes asistencave të ndryshme teknike, por edhe programeve të shkëmbimeve ku biznesi mendon që duhet të fuqizohet dhe duhet që të luaj një rol më të rëndësishëm se deri tani.

Për ta kuptuar për të gjithë miqtë dhe dashamirësit që janë sot këtu me ne, procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian, nuk është një proces procedurash, nuk është një proces burokratik, nuk është proces  hapje dhe mbyllje kapitujsh, është një proces që ka të bëje me pjekurinë e institucioneve shqiptare, që ka të bëje me zbatimin e ligjeve dhe standardeve evropiane apo atij komuniteti të famshëm në praktike. Pra, është një proces i cili do ndikonte siguri, qartësi dhe parashikueshmëri çdo biznesi, në radhë të parë biznesit francez që është sot këtu prezent për të investuar dhe për të pasur mundësi dhe një histori suksesi nga investimet që do të bëhen në Shqipëri.

Ne, gjatë tre viteve të fundit sidomos, kemi hyrë një rrugë të vështirë në lidhje me reformimin e institucioneve të shtetit të së drejtës sepse jemi koshient për vete faktin që çdo biznes që  paraqet një  interes për të qenë prezent në Shqipëri, është i interesuar për të kuptuar jo vetëm nivelin e përputhshmërisë të normave tona dhe ligjeve me të Bashkimit Evropian, por kërkon garanci se këto norma, kontrata që firmosen, marrëveshje që firmosen, do të duhen të interpretohen në mënyrë të drejtë, të ndershme dhe në përputhje me praktikën evropiane nga gjykatat shqiptare. Edhe në këtë drejtim ne kemi pasur mbështetje nga ana e institucioneve franceze, çka mendojmë që është një garanci shtesë për investitorët për ta shikuar Shqipërinë pikërisht me ata sy dhe me ato impresione që u dhanë këtu qoftë nga Denisi, ashtu edhe nga Gazmendi sepse përmes këtyre proceseve Shqipëria po bëhet një vend i sigurt, një vend i cili ka një qasje në Mesdhe, në dallim nga një pjesë e konsiderueshme e vendeve që konsiderohen si pjesë e paketës së Ballkanit Perëndimor.

Ka gjithashtu disa fusha të ekonomisë të cilat përcaktohen si fusha ku avantazhet krahasuese, në raport me vendet e tjera janë të qarta, qoftë në fushën e turizmit, në fushën e manifakturës, në çështjet e infrastrukturës apo të bujqësisë e zhvillimit rural ku ne jemi shumë të hapur jo vetëm për të mikpritur investimet franceze në Shqipëri, por edhe për të bashkëpunuar, qoftë me autoritetet shtetërore, qoftë me klubin e biznesit që është krijuar sepse detyra jonë si përfaqësues të institucioneve shtetërore është për t’i shërbyer dhe për t’i lehtësuar sa më shumë punën atyre investitorëve, sidomos investitorëve seriozë që dëshirojnë të jenë prezent në tregun shqiptar.

E fundit por jo më pak e rëndësishme, sepse sido që të analizojmë Shqipërinë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor nga pikëpamja e gjeografisë, nga pikëpamja e popullsisë janë më pak se 20 milionë banorë, janë më pak se, le të themi Rumania nga pikëpamja e popullsisë dhe nga pikëpamja e tregut. Gjithsesi, konsiderohet një treg i vogël. Zhvillimet e fundit në kuadër të procesit të Berlinit, ku Franca gjithashtu ka një rol qendror, na kanë krijuar mundësinë për të shkuar gradualisht drejt një hapësire të përbashkët ekonomike.

Me Kristinën e kam diskutuar edhe në disa momente të mëparshme faktin që sot për sot, rajoni ynë i përngjet deri diku historisë së Komunitetit Evropian, fillimeve të Komunitetit Evropian ku kishte dhe atëherë një traktat për qymyrin dhe çelikun, një traktat për energjinë dhe më pas për tregun e përbashkët dhe duhet që ky zhvillim t’i paraprije krijimit të Komunitetit Evropian.

E njëjta gjë mund të thuhet pak a shumë për vendet e Ballkanit Perëndimor ku kemi një zonë të përbashkët ekonomike. Një frankofon është në krye të këtij procesi. Nga ana jonë, Milena.

Kemi një traktat për energjinë, kemi një traktat për çështjet e transportit dhe jemi në procesin e unifikimit të rregullave, të standardeve, të procedurave me ato të Bashkimit Evropian, sikundër besoj fuqimisht që reformat që ndërmerren në fushën e sundimit të së drejtës, në ekonomi do të komplementojnë të gjithë paketën ligjore të cilën ne e miratojmë në Parlament.

Jam i bindur që kolegët, sidomos nga Ministria e Ekonomisë, Financës, Turizmit dhe Mjedisit mund të flasin më me kompetencë, më me profesionalizëm dhe më në detaje qoftë për sigurinë që ne ofrojmë për investitorët strategjikë që janë pjesë e paketës së miratuar në Kuvend apo iniciativat që ne kemi vendosur të ofrojmë për një numër të caktuar biznesesh. Por, për të gjithë ju, besoj se ja vlen që të kihet në vëmendje fakti që Ballkani Perëndimor gradualisht është në procesin e shndërrimit në një rajon në kuptimin edhe ekonomik të fjalës. Në këtë kontekst, pavarësisht se detyra jonë është të promovojë Shqipërinë, duhet të kihet parasysh edhe elementi rajonal përmes investimeve të ndryshme, sidomos kompanive të mëdha të cilat dëshirojnë që të kenë një qasje më të strukturuar në Ballkanin Perëndimor. Duke përfunduar, sepse e di që për biznesin gjëja më e çmuar është koha dhe prandaj po përpiqem të mos jem politikan tipik dhe të jem më i shkurtër në ndërhyrjen time, dua t’ju siguroj edhe një herë tjetër angazhimin e plotë të qeverisë shqiptare, të institucioneve tona për të bashkëpunuar me ju dhe për të bashkëpunuar natyrisht edhe me ato instanca lehtësuese që mund të kanalizojnë projektet dhe pikëpamjet e biznesit.

Faleminderit.