Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

I dashur Christian,

I dashur Luigi,

Të nderuar zëvendësministra dhe miq që vini nga Brukseli për këtë takim.

Dua ta nis me një falënderim për Komisionin Europian, sidomos për ekipin që punon me Shqipërinë dhe me ekipin tonë në procesin “screening” i cili sapo ka nisur bazuar dhe mbi konkluzionet e Bashkimit Europian dhe mbi mandatin që dha Komisioni për të punuar me Shqipërinë dhe Maqedoninë në këtë drejtim.

Për ne, 2019-ta është një horizont i hapur, me kalendar të qartë qershorin e 2019-tës dhe me detyra shtëpie të qarta të cilat synojmë që t’i realizojmë së bashku me ndihmën e Komisionit Europian, me asistencën teknike që është në dispozicion të institucioneve shqiptare në mënyrë që qershori i 2019-ës të jetë një proces i finalizuar me fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE.

Në këtë kontekst, ne po punojmë dhe po përpiqemi të kemi narrativë kombëtare pozitive, sepse është shumë e rëndësishme që dhe klima politike në vend, krahas punës së administratës publike, të jetë e tillë që të mundësojë arritjen e këtij objektivi kombëtar. Krahas narrativës kombëtare pozitive, është shumë e rëndësishme që të kemi dhe një narrative rajonale pozitive. Sot për sot ne dukemi sikur jemi në tre korsi të ndryshme, Mali i Zi dhe Serbia në korsinë e parë, duke qenë se janë në tryezën e bisedimeve për anëtarësim, Shqipëria dhe Maqedonia në korsinë e dytë, duke qenë se sapo kemi nisur së bashku procesin “screening” dhe Bosnja me Kosovën në korsinë e tretë.

Javës së shkuar, së bashku me presidencën austriake, me ministren e Jashtme të Austrisë dhe me ministren e Jashtme të Kroacisë, së bashku me një grup ekspertësh dhe politikbërësish, ne diskutuam mbi mundësitë e bashkëpunimit rajonal dhe ofrimit të eksperiencës më të mirë edhe në këtë drejtim, në mënyrë që pavarësisht korsive ekzistuese, ne të kemi dhe një narrativë më të mirë rajonale në lidhje me këtë proces.

Çfarë jemi duke bërë aktualisht? Së pari, ne po punojmë për të konsoliduar dhe për të thelluar procesin e reformave, sidomos në fushat kyçe që lidhen me sundimin e së drejtës, çështje që kanë të bëjnë me krimin e organizuar, me korrupsionin, me reformën në administratën publike, me të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, me theks të veçantë te mbrojtja e pakicave kombëtare, të drejtat pronësore dhe po kaq të rëndësishme janë dhe çështjet që kanë të bëjnë me fuqizimin e kapaciteteve administrative. Së bashku me delegacionin europian, skuadra jonë ka bërë një analizë të parë të nevojave që ne duhet t’i adresojmë në këtë proces. Gjithashtu dhe me drejtoreshën e Administratës Publike jemi ulur për të diskutuar këto nevoja dhe besoj se në një periudhë shumë të shkurtër kohore, ne do të adresojmë nevojat që na lindin në këtë proces. Nuk ka pikë diskutimi që e gjithë gama e detyrave, çështjeve dhe nevojave do të vijnë duke u shtuar. Kjo është dhe arsyeja që sot ne, në këtë takim, kemi ftuar zv.ministrat që janë si pikë kontakti në nivelin e lartë në institucionet përkatëse, sekretarët e përgjithshëm, për shkak të detyrave që i ngarkon ligji. Të bindur që procesi i integrimit europian nuk ka të bëjë thjesht me disa kontakte në ministritë e linjës apo institucione të tjera që janë prezente këtu, por është një proces që ka të bëjë me reformimin e plotë të të gjithë administratës publike dhe mënyrën se si ne do të duhet të funksionojmë në periudhën në vijim.

Kemi filluar procesin e “screening” për kapitullin 23. Kemi një kalendar të qartë nga ana e Komisionit Europian në këtë proces. Është shumë e rëndësishme që krahas përgatitjes për këtë proces, angazhimet ne të fillojmë t’i përkthejmë që tani në ligje e politika konkrete e në forcim burimesh njerëzore për të mos pritur afatin e fundit që ka lidhje me fillimin e bisedimeve për anëtarësim.

Përshtypja e parë, siç thotë dhe një proverb i huaj është shumë e rëndësishme dhe kur nuk ke një shans të dytë për të lënë përshtypjen e parë. Dhe në këtë drejtim, e gjithë puna jonë, koordinimi ynë i brendshëm institucional është jashtëzakonisht një proces sfidues. Unë jam i bindur që Vladimiri, i cili po na ndjek nga Nju Jorku që është ish-kryetari i ekipit negociator, ambasadori Drobnjak i Kroacisë, do të ndajë me ne eksperiencën e Kroacisë. Në këtë proces ne kemi analizuar disa modele dhe për hir të së vërtetës, kemi arritur në konkluzionin që nuk ka një model i cili mund t’i shërbejë të gjitha vendeve, sepse vende të ndryshme kanë specifika të ndryshme. Ne kemi përgatitur një skemë të bashkëpunimit ndërinstitucional që kombinon qoftë vendimmarrjen politike, e cila në çdo rast është politike, përfshirjen e drejtë për drejtë të Këshillit të Ministrave, Kryeministrit, dhe të ministrave, sidomos për çështjet kyçe që kanë të bëjnë me sundimin e së drejtës, pra, me ato që komisioni i konsideron si çështje fondamentale që duhen adresuar në një fazë të parë dhe mbi bazën e qasjes së përforcuar që vendet tona kanë në proces.

Së dyti, kemi identifikuar si shumë të rëndësishëm përfshirjen e Parlamentit. Modeli kroat është një model i cili është marrë në konsideratë, por jo vetëm. Kemi pasur parasysh modelin e Malit të Zi, të Serbisë dhe vendeve të tjera të cilat janë të përfshira në këtë proces. Dhe përfshirja e parlamentit është gjithashtu një linjë shumë e mirë komunikimi edhe për kanalizimin e zërit të shoqërisë civile dhe të botës së biznesit. Ne po e shohim se me kapitullin 23 dhe 24 gama e çështjeve që ne duhet të adresojmë është mjaft e gjerë, kapacitetet tona në disa raste janë të kufizuara, prandaj është shumë e rëndësishme që në këtë proces të dëgjohet zëri i çdo profesionisti dhe çdo aktori. Vetë, si Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme kam bërë thirrje për të krijuar një regjistër të të gjithë shqiptarëve, qofshin ata që jetojnë këtu apo jashtë atdheut që mund të kontribuojnë në këtë proces dhe në përputhje me profilet dhe eksperiencën dhe shkollimin e tyre. Ne do të kemi më pas mundësi për t’i aleguar dhe në varësi të nevojave që do të lindin. Në këtë kontekst, duke e mbyllur dua të bëj dhe një koment përfundimtar i cili shpresoj të jetë sa më sqarues dhe të shuajë dhe ato pritshmëritë kushedi se çfarë për sa i përket procesit të negocimit.

Pyetem shpesh dhe ndoshta ky është vendi më i mirë për ta thënë, ndonëse një pjesë e mirë e ekipit këtu e di këtë që po them: Ky nuk është një proces negociatash, në kuptimin klasik të fjalës ku ne do të negociojmë me BE dhe ku të dyja palët pritet të japin diçka nga pozicioni i tyre fillestar. Ky është një proces ku ne synojmë të anëtarësohemi në BE. Për pasojë, ne duhet që të përshtasim legjislacionin, politikat, mënyrën e funksionimit të institucioneve me standardet që imponohen nga acquis communautaire. Në këtë kontekst, ky ushtrim nuk është një ushtrim as i këtij grupi këtu, as i ekipit të ardhshëm që do të jetë ekipi i negociatorëve të Shqipërisë, as i kryetarëve të 35 grupeve të punës dhe as i njerëzve që mund të merren në mënyrë të përditshme me procesin e “Screening”. Ky është një proces shumë më i gjerë dhe në këtë kontekst ne çmojmë shumë mbështetjen e Komisionit Europian për mbështetjen e vazhdueshme që na jep përsa i përket fuqizimit të kapaciteteve tona administrative, sepse gjatë këtij viti, ne synojmë të fuqizojmë rolin tonë koordinues, i cili në disa raste shfaqet i mangët, rolin tonë koordinues dhe në raport me institucionet të cilat janë të pavarura. Për shembull, kur të na duhet për të raportuar për procesin e vetingut, gjithmonë kemi parasysh që trupat e vetingut janë institucione të pavarura. Kur na duhet për të raportuar për histori bindëse apo track record-in në fushën e sundimit të së drejtës, nuk mund të mjaftohemi as me thjesht një informacion që mund të vijë nga Policia e Shtetit, apo Prokuroria, por na duhet që të verifikojmë të gjitha shkallët duke përfshirë dhe vendimet e gjyqësorit, dhe kështu me radhë. Sikundër, na duhet që krahas punës që ne bëjmë me Komisionin Europian për procesin screening, ta kombinojmë dhe me procesin e zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit duke qenë që vitin tjetër ne po i afrohemi dhe dekadës së parë të zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit e cila hyri në fuqi në 2009. Të gjitha këto çështje, së bashku me ekipin e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme, kryesisht me pjesën që merret më drejt për drejtë me integrimin europian, nën drejtimin e Gentit, por edhe me ekspertë të ndryshëm ndërkombëtarë dhe lokalë, ne kemi përgatitur edhe disa modele që synojmë t’i kemi parasysh dhe t’i ndjekim kur të zbatojmë këtë strukturë të domosdoshme për përballimin e këtij procesi mjaft voluminoz.

Dua t’i jap fjalën Christian dhe ta falënderoj dhe një herë tjetër që është sot me ne për të ndarë disa nga idetë e tij dhe sugjerimet se çfarë duhet të kemi ne parasysh në këtë proces.

Faleminderit, fjala për ju Christian!